Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 22.02.2020 01:41

​Afaristët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë shpalosin problemet e shumta me të cilat ballafaqohen

Prishtinë | 17/01/2020 10:33

Oda e Afarizmit të Kosovës të enjten ka mbajtur takimin e radhës me afaristët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë në kuadër të eventit “Kafja e Mëngjesit”, i cili po organizohet në të gjitha qytetet e Kosovës.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skender Krasniqi ka rikujtuar edhe një herë rekomandimet që i ka bërë Oda për Qeverinë e re e cila pritet të formohet.

Ai ka përmendur kërkesat për ndryshimin e disa prej udhëzimeve administrative që po dëmtojnë bizneset, të miratuara nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Krasniqi ka thënë se disa nga ligjet që duhet ndryshuar për të cilat Oda ka ardhur në përfundim se janë të dëmshme për bizneset në Kosovë janë: Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, Ligji mbi TVSH, Ligji për Falimentim dhe disa ligje të tjera. Gjithashtu, Krasniqi ka rekomanduar që të krijohet Ligji për Tregti të Brendshme, të funksionalizohet Ligji për Investime Strategjike me ç’rast do të krijoheshin oferta për bizneset.

Prodhuesi i betonit në Mitrovicë, Mustafë Fazliu ka thënë se të gjitha pikat e lartpërmendura janë më se të qëlluara e me theks të veçantë ka përkrahur kërkesën e OAK-së për të krijuar Ligjin për Tregti të Brendshme në Kosovë. 

Po ashtu ai ka thënë se bizneset duhet të jenë të përfaqësuara më denjësisht në institucione, sikur në komunë ashtu edhe në parlament.

Ndërkaq, kultivuesja e shpezëve Qefsere Kadriu është shprehur e pakënaqur me pa mundësinë për të eksportuar mish jashtë Kosovës. Sipas saj Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës duhet ta bëjë inspektimin në mënyrë të duhur se a po vaksinohen kafshët në Kosovë apo jo.

Anëtari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Hysni Zogaj përmendi lobimin e fuqishëm dhe përkrahjen e madhe që po e bën Oda për bizneset në Kosovë. Por, ai bëri thirrje që bizneset të jenë më të zëshme dhe të shprehin më shumë vullnet për ta ndryshuar gjendjen.

E Hatixhe Ibrahimi nga “Agro Koshtova” tha se duhet që femrave t’u jepet më shumë përkrahje në biznes.

Më tej, Erdall Zasella nga “Royal Group” tha se bizneseve në Mitrovicë nuk duhet t’u ndalohet për të punuar edhe të dielën ngase në këtë mënyrë bizneset vetëm po dëmtohen.

Sipas tij, ky ligj që ndalon punën e bizneseve të dielën duhet ndryshuar dhe të bëhet ashtu siç është në vendet e Bashkimit Evropian. Po ashtu ai ka përmendur edhe kërkesën e kryetarit të Komunës në Mitrovicë Agim Bahtiri që të paguhet përnjëherë taksa komunale e cila u hoq dikur nga vet ai.



Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress