Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 06.04.2020 02:56

​Bizneset humbin miliona euro të qarkullimit në vit nga kosto e firo-s

Prishtinë | 23/01/2020 14:10

Nga vlerësimet më të fundit del se kallo apo humbjet nga mbetjet ushqimore arrijnë vlerën totale deri në 2-4% të qarkullimit vjetor të bizneseve. Kjo humbje është shumë e konsiderueshme dhe pasojat e humbjes së tillë janë edhe më të mëdha në afat të gjatë.

Në dritën e rezultateve të vitit 2019 të Administratës Tatimore të Kosovës, Rrjeti i Shitësve me Pakicë shpreh pakënaqësi rreth vështirësive të vazhdueshme me të cilat përballen bizneset që merren me tregtinë me pakicë, vështirësi këto që janë të lidhura ngushtë me veprimtarinë e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Financave. Më saktësisht, kjo pakënaqësi ka të bëjë me mostrajtimin e çështjes së kallos apo firos. 

Cfarë është firoja? Humbja që pëson në peshë, në vëllim etj, një mall a një prodhim gjatë mbartjes, gjatë përpunimit, nga tharja, nga avullimi etj.

Çështja e firos lidhet ngushtë me Ligjin mbi Vlerën e Shtuar apo me Rregulloren mbi Zbatimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar meqë trajtimi i firos kërkon përcaktim të deficitit të zakonshëm apo vlerën më të lartë të lejuar të shlyerjes së mallit, nga i cili nuk llogaritet dhe nuk paguhet tatimi mbi vlerën e shtuar.

Praktika të tilla janë të aplikueshme dhe janë në harmonizim edhe me legjislacionin dhe standardet evropiane.  

Ka më shumë se një vit që Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka ngritur për diskutim çështjen e kallos apo FIRO-s. Kjo çështje kërkon adresim të menjëhershëm nga institucionet e vendit, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim. 

Sipas legjislacionit në fuqi, shkatërrimi i mallrave si rezultat i skadimit, thyerjes, vjetrimit apo dëmtimit sanksionohet në bazë të Nenit 19, Paragrafit 10 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat. Ky veprim është në harmoni me rregullat dhe kushtet e përcaktuara përmes Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2010 për zbatimin e këtij ligji. Përpos produkteve ushqimore, ka edhe produkte të tjera që mund të kategorizohen si humbje në bazë të thyerjes, prishjes apo dëmtimeve të tjera që ndryshojnë përmbajtjen fizike apo kimike të produktit.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon zgjidhje afatgjatë të trajtimit të firos/kallos në harmoni me legjislacionin e shteteve të BE-së.

Rrjeti i Shitësve me Pakicë propozon si zgjidhje të mundshme një rregullore të specializuar që merret vetëm me këto aspekte. Për shembull, mund të miratohet një udhëzim administrativ që udhëzon se si të regjistrohet hyrja e çdo produkti në kuptim të humbjes. Një tjetër mundësi është që kjo çështje të trajtohet brenda projektligjit mbi tatimin mbi vlerën e shtuar.  

Rrjeti i Shitësve me Pakicë kërkon që kjo barrierë e bizneseve të lartpërmendura të trajtohet sa më parë që të minimizohen dhe eliminohen humbjet që po pësojnë bizneset pa nevojë dhe jo për faj të tyre.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress