Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 28.02.2020 08:41

​Pa buxhet, Kosova mund të përballet me trazira dhe dëme të mëdha në shoqëri dhe ekonomi

Prishtinë | 21/01/2020 10:49

​Kriza politike në Kosovë si pasojë e vonesës në formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit, nuk përjashton mundësinë që vendi të përballet me kolaps buxhetor për shkak të mosmiratimit të buxhetit të vitit 2020.

“Ngërçi” politik me të cilin po ballafaqohet shteti ynë tash e sa muaj, sipas këshilltarit të kryeministrit në dorëheqje, Haki Shatri, mund të çojë deri në trazira dhe dëme të mëdha në shoqëri dhe ekonomi.

Po kështu po mendojnë edhe ekspertë të ekonomisë të cilët shprehen se mosmiratimi i buxhetit në afatet e lejuara, është një fatkeqësi për vendin dhe për sektorin privat.

Këshilltari i kryeministrit në dorëheqje, Haki Shatri thotë për KosovaPress se nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 mars, gjysma e popullsisë në vend mbesin pa të ardhura.

Përveç kësaj, Shatri thotë se edhe investimet kapitale për vendin janë ndaluar që nga 1 janari i këtij viti dhe nuk mund të zhvillohet asnjë projekt kapital.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi thotë se mosmiratimi i buxhetit është një fatkeqësi për vendin dhe mund të krijojë efekte shumëdimensionale në fushën e ekonomisë.

Sipas Krasniqit, kriza buxhetore, shkakton pasoja të shumta për bizneset dhe shoqërinë në vend.

Edhe eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj pohon për KosovaPress se nëse deri në fund të marsit nuk ka institucione të reja dhe nuk votohet buxheti për të qeverisur gjatë vitit 2020, barra kryesore hë për hë bie mbi partinë e parë të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Mustafa thotë se Kosova po rrezikon drejt shkuarjes në një kolapsi buxhetor, ndërkohë që theksoi se vendi po e humb edhe në arenën ndërkombëtare.

Këshilltari i kryeministrit në detyrë, Haki Shatri duke treguar se nuk kanë kompetenca të procedojë projektbuxhetin në Kuvend, thotë se është fat i mirë që draft buxheti për vitin 2020 është i përgatitur nga qeveria në dorëheqje dhe ka një përmbajtje e cila 80% nuk mund të ndryshojë nga cilado qeveri e re që vjen./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress