Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 12.07.2020 09:04

​Për tri vjet KEK-u investoi 1 milion euro për komunitetin

Prishtinë | 20/01/2020 16:33

Korporata Energjetike e Kosovës po vazhdon të investojë në plotësimin e nevojave të komunitetit, ku vetëm në vitin 2019 vlera e tyre arrin shumën prej 110 mijë euro.

Një nga lokalitetet që ka përfituar nga investimet e KEK-ut është fshati Dardhishtë i Obiliqit.

Falë investimeve të KEK-ut, banorët e këtij fshati tashmë nuk e kanë problem pluhurin dhe gropat e mbushura me ujë. 

“KEK-u e ka rikultivuar, e ka mbjellë, ka mbushur gropat me dhe, e ka mbuluar hirin me dhe, dhe tash është bërë ambienti qind për qind më i mirë se më parë. Këtu janë rrezikuar fëmijët të mbyten në gropat e ujit. Por, tash është mirë nuk është keq. Është bërë stadiumi. Falënderojmë KEK-un dhe të gjithë ata që kanë marrë iniciativë për ta ndërtuar. Tash është mirë. Këtë vit janë mbjellë 4000 fidanë, pisha, drunj etj. Shpresojmë se brenda mundësive do mbjellin prape. Mbjellja ka ndikuar shumë, pasi më nuk ka pluhur dhe ajri e ambienti është bërë i pastër”, deklaroi Daut Gashi, banor i Dardhishtës.

Ndërtimi i fushës së sportit po shihet edhe si një mundësi e mirë që fëmijët dhe të rinjtë të përfitojnë në aspektin edukativ.

“Ne e falënderojmë KEK-un për këtë fushë që e ka ndërtuar. Është shumë e mirëpritur nga ana jonë. Ndikimi për rininë i fushës që është ndërtuar në këtë kohë, është shumë i rëndësishëm duke marrë parasysh se kjo fushë ka një rol edukativ për rininë. E gjithë rinia, mirëpo edhe moshat tjera mund të vijnë këtu dhe të luajnë gjatë kohës së lirë dhe t’i shmangen rrugëve tjera që nuk janë edukative, arsimore për rininë. Në të ardhmen kemi menduar të mbajmë turnirë duke filluar nga futbolli, basketbolli, volejbolli, pasi kjo fushë i plotëson këto tri nevoja për të zhvilluar lojë”, deklaroi arsimtari Driton Gashi.

Përveç ndërtimit të fushës, banorët e Obiliqit kanë përfituar edhe nga dy parqe multi-funksionale.

Në këto parqe janë vendosur pajisje që shërbejnë për të gjitha moshat. Madje, banorët që jetojnë te parku i Obiliqit kanë pasur përfitim të madh nga ndërtimi i fushës, e cila dikur ishte deponi e madhe bërlloku.

“Ky projekt ka qenë shumë me rëndësi për lagjen tonë për shkak se ky vend përpara ka qenë më shumë si deponi e mbeturinave, ku njerëzit kanë hedhur bërllok dhe gjëra tjera, po ashtu kanë qëndruar edhe qentë endacakë që kanë qenë rrezik për fëmijët e lagjes tonë, ndërsa tash ky projekt është realizuar dhe është bërë shumë mirë për rininë dhe pleqtë gjithashtu, pasi e kanë pjesën për të qëndruar dhe pushuar, ndërsa ne të rinjtë kemi pjesën për aktivitet fizike ku mund të luajmë ping-pong, shah, tenis dhe të gjitha sportet t’i zhvillojmë në një vend”, tha Rinor Selmani.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka deklaruar se për Korporatën Energjetike të Kosovës, përmirësimi i jetës së qytetarëve është një nga objektivat kryesore të saj.

“Këtë vit Korporata Energjetike e Kosovës ka realizuar dy parqe dhe një fushë të sportit. Fushën e sportit në Dardhishtë siç e patë, parkun këtu në qendër të qytetit dhe është parku i Obiliqit. Të gjitha këto projekte kapin vlerën prej rreth 110 mijë euro, ndërsa në tri vjetët e fundit Korporata Energjetike e Kosovës vetëm në realizimin e projekteve për komunitetin ka shpenzuar një shumë prej rreth 1 milion euro. Korporata Energjetike e Kosovës do të vazhdojë me projekte të tilla për komunitetin çdo vit edhe këtë vit kemi ndarë buxhetin për këtë fushë”, deklaroi Bucolli, i cili shtoi se përveç parqeve dhe fushave të sportit, KEK-u ka investuar edhe në asfaltimin e disa rrugëve në fshatin Hade dhe ndriçimin e tri rrugëve që lidhin Obiliqin me fshatrat përreth.


Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress