Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 06.04.2020 04:22

​Rritet çmimi i çimentos, reagon OAK: E paarsyeshme dhe e papërballueshme

Prishtinë | 23/01/2020 14:56

​Ngritja e çmimit të çimentos për rreth 25% ka shqetësuar bizneset prodhuese të betonit, ku përfaqësues të tyre sot shprehën shqetësimet dhe kundërshtimin ndaj lëvizjeve dhe ndryshimeve të çmimeve që kanë ndikim të drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik.

Bazuar në reagimet e bizneseve, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) shpreh mbështetje në të drejtën e bizneseve për shqetësimet e tyre të argumentuara.

Në lidhje me këtë OAK reagoi duke kërkuar një sqarim nga Kompania “Sharrcem” e cila përmes një email-i dërguar Odës nuk ka dhënë një sqarim të detajuar mbi arsyet përveç se ka deklaruar se kjo rritje është bërë në përputhje me politikat e afarizmit të tyre.


Naim Mahmutaj nga OAK në një konferencë për media tha se kanë pranuar shqetësime nga bizneset anëtare që janë prodhuese të betonit në lidhje me dy vendimet e “Sharrcem”-it që brenda një viti kohor ka ngritur çmimin e çimentos.

Mahmutaj tha se bizneset të cilat furnizohen me lëndë të parë në “Sharrcem” kanë theksuar se çmimi i çimentos para datës 13 mars 2019 ka qenë 60.89 euro, ndërsa me këtë datë, pra më 13 mars 2019 janë njoftuar klientët për rritjen e çmimit prej 12.39% për çimenton refuz që përdoret për fabrika të betonit. Me aplikimin e këtij vendimi çmimi është bërë 68.44 euro.

Ai shtoi se po me vendimin e “Sharrcem” të datës 30 dhjetor 2019, që ka hyrë në fuqi nga data 13 janar e këtij viti është bërë edhe një rritje për 10.68% ku çmimi i ri është 75.75 euro.

    

Sipas tij, me këtë, në më pak se një vit, “Sharrecm” ka bërë ngritje të tonit të çimentos refuz për 24.4% apo 14.86 euro.

“Ngritja e paarsyeshme brenda dhjetë muajve prej 24.4% është e papërballueshme, e cila vështirëson pozitën e prodhuesve të betonit dhe i vendos ata në pozitë të pa pafavorshme në raport me klientët e tyre. Lidhja e konsumatorëve me klientë është e planifikuar në bazë të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që janë aktualisht në treg. Ngritjet e vazhdueshme të çmimeve për çimento pa paralajmërim paraprak në këtë rast godasin drejtpërdrejt këta prodhues dhe pasojat vazhdojnë deri te klientët e fundit, te qytetarët”, theksoi Mahmutaj.

Ai ka folur edhe për çmimet e këtij produkti në rajon, sipas të cilit, çmimet e çimentos në rajon nuk janë ngritur, përveç në Kosovë.



“Bazuar në të dhënat që posedojmë çmimet në rajon nuk janë ngritë , janë afërisht njësoj, por fillimi i ngritjes së çmimeve në rajon fillon më së pari në Kosovë, dhe ky është një shqetësim përse po zgjidhet tregu i Kosovës, ani pse dihet që këta prodhues të çimentos janë pronarë të njëjtë në rajon”, tha ai.

Edhe Bujar Avdyli prodhues i betonit tha se këto çmime të reja janë të papërballueshme dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në koston e ndërtimeve të larta e deri te ndërtimi i shtëpive të vogla.

“Këto ngritje të çmimit do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të betonit sepse me këto çmime aktuale të çimentos është e paleverdishme për prodhuesit e betonit që të vazhdojnë t’i mbajnë të njëjtat çmime të betonit. Pra, ngritjet nuk do të prekin vetëm prodhuesin e betonit, por do të prekin drejtpërdrejt qytetarin duke filluar prej ndërtimeve të larta e deri te ndërtimi i shtëpive të vogla. Do të këtë ngritje të përgjithshme të çmimit të betonit”, pohoi Avdyli.

Në fund, Naim Mahmutaj tha se këto ndryshime të çmimeve dëmtojnë interesin e kompanive që merren me prodhimin e betonit dhe produkteve të betonit, pasi që është e pamundur të bëhet ngritja e çmimeve të produkteve te tyre në formën dhe shkallën në të cilën po rriten çmimet e çimentos.

Lidhur me rritjen e vitit të kaluar kishte reaguar edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, të cilët në deklarimet e tyre e kanë vlerësuar të kundërligjshme me pretendimet se janë rezultat i shfrytëzimit të rolit dominues, pothuajse monopolit, në tregun kosovar.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte premtuar ndërmarrjen e veprimeve ligjore për anulimin e vendimit për ngritje të çmimit të çimentos.

Mirëpo, përkundër premtimeve e deklaratave publike të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës nuk është arritur ndalimi i rritjes së çmimeve të çimentos gjë që i shqetëson bizneset edhe më shumë dhe e bën gjendjen edhe më të rëndë.

Lidhur me këtë rritje, OAK ka kërkuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që të ndërmarrë masat e nevojshme./KosovaPress/


Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress