Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 28.02.2020 10:06

​Telekomi vazhdon t’i shlyejë borxhet, ATK rrit të hyrat 47.4 milionë euro

Prishtinë | 15/01/2020 13:22

Në kuadër të borxhlinjve më të mëdhenj ndaj shtetit është edhe Telekomi i Kosovës, por pavarësisht vështirësive financiare, kompania publike po vazhdon ta realizojë marrëveshjen e arritur muaj më parë me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për shlyerjen e borxheve.

Për këtë drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj tha se Telekomi është duke zbatuar marrëveshjen e arritur me ATK pas mbylljes së llogarive bankare për shlyerjen e borxheve.

Madje, drejtori i ATK-së lavdërohet se në vitin 2019 trajtimi i borxheve ka ndikuar që të inkasohen 108. 1 milionë euro, ndërsa borxhet ndaj këtij institucioni financiar janë edhe 354.3 milionë euro.

Murtezaj gjatë shpalosjes së raportit të punës për 2019, tha se ky vit për ATK ka qenë me shumë sfida, por edhe me arritje të mëdha, ku të hyrat vjetore nga tatimet ishin 504.5 milionë euro ose 47.4 milionë më shumë se vitin paraprak.

Drejtori Murtezaj garantoi se ATK ka shtrirje të plotë në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e Mitrovicës për ushtrimin e aktivitetit në përputhje me objektivat e përcaktuara.

Ndërsa, zëvendës ministri në detyrë i Financave në detyrë, Fatmir Gashi, tha se është i kënaqur me të arriturat e ATK-së për vitin 2019, i cili shtoi se në vazhdimësi ka edhe rënie të informalitetit falë punës së ATK.

Gashi tha po ashtu se falë punës së ATK-së ka arritur të ulet borxhi publik, ndërsa shtoi se nuk do të ketë më ligj për faljen e borxheve e as TVSH-së.

ATK vitin që lamë pas ka ndërmarrë 176 aktivitete për shmangie tatimore, 37 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, ndërsa 5.3 milionë euro është vlera e shmangies tatimore.

Plani afatmesëm i reformës 2019-2021 është luftimi i evazionit fiskal në sektorin e ndërtimtarisë, identifikimi i bizneseve ndërtimore që nuk përmbushin obligimet tatimore dhe kontrolli i përgjithshëm në sektorin e ndërtimtarisë.

Po ashtu ATK gjatë vitit 2019 ka aprovuar 626 kërkesa të bizneseve për lirim nga TVSH, ndërsa për shkak të mos përmbushjes së kërkesave ka refuzuar 32 sosh./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress