Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, njoftoi për temat që do të diskutohen në seancën e radhës së Kuvendit që do të mbahet më 30 dhjetor.
Miratimi i Rregullores Komunale për Transparencë, miratimi i Rregullores për Taksa dhe Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale, propozim vendim për ndryshimin e Statutit të KRU “Bifurkacioni” nga Ndërmarrje Publike Lokale në Ndërmarrje Publike Qendrore, propozim për miratimin e Planit të Punës së Kuvendit të Komunës së Ferizajt për vitin 2020, janë temat që morën aprovimin e anëtarëve të Komitetit për Politikë dhe Financa, të cilat kaluan për diskutim dhe miratim të anëtarëve të Kuvendit.
Prezantimin e pikave të rendit të ditës e bënë drejtorët e drejtorive përkatëse, duke dhënë shpjegimet mbi nevojën e propozimit të dokumenteve të tilla për funksionimin e secilit sektor në drejtoritë që udhëheqin, bazueshmërinë ligjore si dhe interesin publik që përfaqësojnë kalimi i kësaj agjende legjislative në projeksionet e së ardhmes në këto fusha nga institucionet lokale.
Propozim i ri për rendin e ditës u parashtrua nga përfaqësues të opozitës, por që nuk mori mbështetjen e shumicës, e që kishte të bënte me raportimin e drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në seancë të Kuvendit, pikë kjo që nga shumica pjesëmarrëse u tha se është mundësia të konsumohet brenda pikave të fundit standarde të rendit të ditës, që ka të bëjë me pyetje e kërkesa si dhe të ndryshme, të cilat mund të parashtrohen nga anëtarët e Kuvendit.
Kjo web faqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress - COPYRIGHT
2002-2019