Në një komunikatë për media, thuhet se falë menaxhmentit jashtëzakonisht të përkushtuar, KRU Gjakova për dallim nga kompanitë tjera, nuk ka problem për furnizim me ujë të pijes.
“Liqeni është i mbushur plot, dhe ne si kompani me ndërtimin e fabrikës së re për përpunimin e ujit, kemi rritur kapacitetet nga 500l/sek në 1000 l/sek. Sasi kjo e mjaftueshme për të dyfishuar numrin e konsumatorëve”, thuhet në komunikatë.
Për të mbajtur epitetit e Kompanisë Lider në Kosovë normalisht që përveç punës së menaxhmentit dhe punëtorëve të KRU-së, rol të veçantë thuhet se kanë konsumatorët të cilët janë vetëdijesuar për rëndësinë e ujit por dhe për seriozitetin e kompanisë.
“Me një bashkëpunim të ngushtë mes Kompanisë dhe Konsumatorëve është arritur zvogëlimi i humbjeve dhe është rritur pagesa e konsumatorëve për shërbimet që marrin në 97%”, vijon komunikata.
KRU Gjakova thotë se është gjithmonë e përkushtuar dhe në nivel gatishmërie që të ofrojë shërbim sa më cilësor për të gjithë konsumatorët të cilët furnizohen nga rrjeti i saj.