Shefi i Zyrës së UNICEF, Murat Sahin gjatë fjalimit të tij hyrës në aktivitet tha se të gjithë duhet të bëhen vetja e tyre dhe të punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre.
Në “Activate Talks” u lansua edhe për herë të parë video e Rita Orës realizuar në Kosovë gjatë vizitës që ajo ka pasur në prill të këtij viti përgjatë edicionit të kaluar të Activate Talk.
Murat Sahin, shefi i zyrës së UNICEF tha se të gjithë mund të jenë “Rita Ora dhe Uta Ibrahimi” dhe arrijnë ëndrrat e tyre dhe këtë mesazh do ta përçojë edhe “Activate Talks”.
“Vetëm bëhu vetja, ëndërro dhe ne do të sigurohemi të ju dëgjojmë dhe të ofrojmë mundësi dhe mbështetje, në mënyrë që të gjithë të mund të bëheni Janis, Uta, dhe Rita në të ardhmen", tha Sahin.
Mysafir special të këtij aktiviteti ishte Janis McDavid, folës motivues me aftësi të kufizuar që përçoi mesazhe të fuqishme në audiencë për atë se si, secili, pavarësisht situatës së tij apo të saj duhet të shikojë përpara dhe të jetojë jetën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Mysafirë tjerë që folën para të rinjve ishte alpinistja Uta Ibrahimi, e cila foli për përvojën e saj në ngjitjen e maleve, dhe inspiroi të rinjtë për të ndjekur ëndrrat e tyre.
Po ashtu u mbajt një panel diskutimi për rolin e sektorit privat në shoqëritë gjithëpërfshirëse, ku një fjalë rasti dhe perspektivën e tyre e dhanë drejtori i IPKO-s, Robert Erzin, drejtori i Gjirafës, Mërgim Cahani si dhe koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.
Ndërsa nga grupi i të rinjve rrëfimet dhe projektet e tyre i ndanë Meriton Binakaj dhe Besfort Golaj nga projekti “Për ty” nga Gjakova; Erta Rashiqi nga projekti “Hajde shoqnohemi” nga Gjilani, Edita Rexha nga “Go Girl” të Prizrenit, Dion Deva nga “Te Pema”, Englantina Avdiu nga “3DX”, Selamiu nga EcoBags, si dhe përfaqësues të TechDummy.
Afro 400 të rinj morën pjesë në këtë aktivitet, që është ndër ngjarjet më të mëdha që UNICEF në Kosovë organizon me të rinjtë në Kosovë.
Ndryshe, në këtë aktivitet u prezantuan edhe mbi 20 projekte të të rinjve që janë mbështetur nga UNICEF, dhe kanë shërbyer në të mirë të komunitetit në komunat si: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, dhe Gjilan, projekte këto të mbështetura dhe mentoruara nga programet e UNICEF dhe UNICEF Innovation Lab, në partneritet me Ipko Foundation si: Upshift, Podium, StartUp dhe Ponder.
Kjo web faqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress - COPYRIGHT
2002-2019