Ministri i zgjedhur i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku tha se një qeveri në ikje, pa buxhet të aprovuar, nuk mund të fus në obligime financiare qeverinë e ardhshme, siç ka ndodhur me rastin e tenderit në vlerë prej 110 milionë eurove për ndërtimin e autostradës Banullë-Dheu i Barhdë.
Andaj, ai tha se menjëherë ka iniciuar procedurat ligjore për anulimin e këtij tenderi, që sipas tij, thirrja për tenderim mund të ndodh vetëm pasi të miratohet buxheti i vitit 2020 dhe pasi të kuptohen saktësisht mjetet që i ka në dispozicion kjo ministri.
Ai tha se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nën mandatin e qeverisë së kaluar, më 13 janar të këtij viti ka shpallur tender në vlerë të 110 milionë eurove, për ndërtimin e 24 kilometrave autostradë Banullë – Dheu i Bardhë.
Meqë në kohë e shpalljes së tenderit, siç tha Abdixhiku me implikime enorme buxhetore, vendi nuk kishte qeveri të re dhe nuk kishte buxhet të miratuar, ai menjëherë në ditët e para të punës ka konsultuar komisionin rregullativ të prokurimit publik dhe Ministrinë e Financave të Qeverisë së kaluar.
Ai tha se të dy opinionet theksojnë se pa aplikim paraprak të mjeteve dhe pa ndarje buxhetore nuk und të shpallen thirrje që krijojnë obligime financiare për Kosovën.
I pyetur për mundësinë e ndërtimeve në Badovc, ministri tha se në ditët në vazhdim do të merret me këtë çështje.
Ndërsa për autostradën e Dukagjinit, Abdixhiku tha se planet e qeverisë janë që në vend të ndërtimit të një autostrade të tillë, të bëhet zgjerimi i rrugës aktuale, dhe mjetet e tjera të shkojnë për projekte të tjera, apo për arsim dhe shëndetësi.
Ministri i zgjedhur i Infrastrukturës foli shkurt edhe për rrugët në këto ditë me borë, kur tha se ato po pastrohen dhe janë në mbikëqyrje të menaxherëve përkatës./KosovaPress/
Kjo web faqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress - COPYRIGHT
2002-2019