Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 18.10.2021 04:11

    ​Debat për ndërtimin e Xhamisë qendrore në Prishtinë

    Prishtinë | 25/07/2017 16:55

    Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës janë shprehur për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, por kanë shprehur dilema për projektin e përzgjedhur. Përfaqësues të BIK-ut para tyre kanë paraqitur projektin e xhamisë, e cila pritet të ndërtohen afër PTK-së në Prishtinë.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se ndërtimi i xhamisë më të madhe në Republikën e Kosovës, është përtej mandatit të tij si kryetar dhe se nuk është çështje e vetëm një partie.

    Ai tha se askush nuk po e diskuton lokacionin, as atë se a duhet të ndërtohet xhamia apo jo, ai tha se ky debat është i përfunduar dhe se xhamia do të ndërtohet.

    “Arsyeja e ftesës për këtë debat është që të ndërtohet konsensus, që pastaj të mos përdoret kjo të thuhet nesër se për ato arsye, ose për këto arsye, është bërë kështu apo ashtu. Kjo xhami do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, i njëjti financim është bërë për xhaminë qendrore në Tiranë, kostoja e saj vlerësohet të jetë prej 35 deri në 40 milionë euro”, tha ai.

    Kurse sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi tha se çështja e debatit për xhaminë qendrore, ka nisur këtu e 17 vite më parë, gjegjësisht që nga çlirimi. Ndërkohë që potencoi faktin që vetëm Prishtina nuk ka xhami qendrore. Rexhepi tha se xhamia qendrore e kryeqytetit, nuk ka të bëjë me asnjë parti politike dhe sipas tij xhamia është e besimtarëve.

     “Xhamia qendrore e kryeqytetit, nuk ka të bëjë me asnjë parti politike, ajo është jashtë pretendimeve partiake. Xhamia është e besimtarëve, xhamia është e atyre që kanë vendos me ju përkulë Zotit, prandaj edhe koha sot që e kemi zgjedh neve na u ka imponuar, sepse përkundër iniciativës tonë që kemi ndërmarrë për përmirësimet e mundshme në projekt, megjithatë puna na u shtyu deri më sot”, tha ai.

    Sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi, u tha asamblistëve të Komunës së Prishtinës që kanë nevojë për përkrahjen e tyre, ku ai tha se nëse e kanë përkrahjen e tyre do ta kenë xhamin më të madhe në Ballkan.

    Para këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, paraqiti projektin e xhamisë qendrore arkitekti i BIK-ut, Esat Ramadani, ku pas këtij prezantimi këshilltarët janë shprehur lidhur me ndërtimin e xhamisë qendrore.

    Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha tha se përkrahë ndërtimin e xhamisë, por nga ajo që pa gjatë prezantimit, Hoxha tha se dalin disa pikëpyetje që është dashur të trajtohen.

    “Nga kjo që po shoh, se është hera e parë që po e shoh projektin e xhamisë, dalin disa pikëpyetje të cilat mendoj se është dashur t’i trajtojmë. E para mendoj që orientimi i objektit mendoj se nuk përkon me lokacionin, do të thotë lokacioni është ndarë atëherë gabimisht në 2012, sepse orientimi e deformon paksa pjesën arkitektonike, nuk e di a ka pasur zgjidhje tjetër, a ka pasur mundësi të jepet diku, që kthimi nga kibla korrespondon kah sheshi apo rrugën ku ajo del. E dyta, po ashtu madhësia e parcelës nuk korrespondon me madhësinë e objektit. Konsideroj që për këtë lloj objekti, është dashur të ndahet parcelë shumë më e madhe”, tha ai.  

    Kurse, këshilltari komunal nga PDK, Muhamet Selmani tha se qëndron mbrapa qëndrimit të partisë së tij për ndërtimin e kësaj xhami, por që ai tha se objekti i xhamisë qendrore do të donte të jetë objekti më i bukur në Kosovë.

    “Së pari do të doja që xhamia qendrore e Bashkësisë Islame të jetë objekti më i bukur në Kosovë, që do të ishte pasqyra e parë që do ta shihte çdo njëri. E dyta edhe funksionaliteti i tij do të doja të ishte në shërbimin më të mirë dhe qëllimin më të mirë me të cilin do të ndërtohej. Nuk dua të prezantohem se a më pëlqen apo jo ky propozim, meqë në se shumica  e kanë zgjedhur. E para çka dëshiroj të pyes, do të doja të dija se si ka ardhur deri tek ky propozim dhe cilat kanë qenë kriteret e zgjedhjes së projektit apo arkitekturës së xhamisë. E dyta, do të doja të kem informacion se ku janë burimet e financimit të kësaj xhamie dhe nga do të vijnë të gjitha këto financime”, tha ai.

    Ai tha se parcela e ndarë për këtë xhami në bazë të prezantimit shihet që është shumë e vogël. Po ashtu, ai pyeti se pse është vendosur që xhamia të ketë stil neoklasik osman.

    Ndërsa, këshilltarja nga radhët e AKR-së, Mirlinda Sopa tha se ky debat që po bëhet sot është dashur të bëhet në vitin 2012. Po ashtu, ajo potencoi faktin që AKR e përkrahë ndërtimin e kësaj xhamie.

    “Ky debat sot që po bëhet në Kuvendin Komunal të Prishtinës, besoj që ish dashur të bëhet në vitin 2012. Sot që po flasim unë sinqerisht gjatë gjithë kohës po dëgjoj më shumë vëmendje dhe nuk po mund të gjej arsyen që po e bëjmë një debat, pas një vendimi të marrë në vitin 2012”, tha ai.

    Visar Arifi, nga Paria e Fortë, tha se ky debat është dashur të bëhet shumë moti dhe është dashur të bëhet  në vazhdimësi. Ai tha se nuk duhet të anashkalohet mënyra qysh është bërë përzgjedhja e këtij objekti, pasi sipas tij nuk është vetëm për nevojat e sotme.

    “Nuk është e drejt që vetëm me anashkalua mënyrën qysh është bërë përzgjedhja e këtij objekti, e këtij projekti edhe me e marrë si të kryer. Ky objekt nuk është vetëm për nevojat e sodit, është nevoja për gjeneratat që kanë me ardhur, ka me mbijetua dekada, ka me mbijetua shekuj. Mos ta lejmë tash disa procedura teknike të sotshme me na kushtua me një gabim fatal që nuk mundemi me përmirësua asnjëherë. Shembull më të mirë e kemi katedralen, për shkak se katedralja nuk ka pasur diskutim publik, ka përfunduar si një shëmti mund të them”, tha ai.

    Kuvendi Komunal i Prishtinës gjatë kësaj mbledhje ka shtyrë për një ditë tjetër propozim-vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatgjatë të Ambasadës së Shqipërisë.

    Ndërkohë që ka miratuar disa pika të tjera, siç është miratimi i propozim vendimit për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatgjatë  Fondacionit “Vier Pfoter”, propozim vendimin për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, e disa pika të tjera, raporton KosovaPress.

    Loading...
     

    Shpërndaje


    Artikuj të sponzorizuar

    Më shumë nga KosovaPress