Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 30.03.2020 07:19

​Fëmijët më të rrezikuarit nga bota mediale

Prishtinë | 08/02/2020 13:10

Fëmijët kanë mundësi që gjatë gjithë ditës të shohin shumë emisione që manifestojnë dhunë seksuale. Ata ndikohen nga gjërat që shohin në programet televizive dhe shpesh herë kemi parë kur fëmijët pasi shohin një film, priren të imitojnë skena agresive apo personazhe që marrin pjesë në atë program.

E krejt kjo po ndodhë për shkak se televizionet në Kosovë, nuk kanë kontrollin e duhur të etikes apo kulturës dhe në shumicën e rasteve shfaqin programe të sjellura nga kulturat tjera.

Këtu mund të përmendim një set filmash, me origjinë nga lindja e largët, të cilët nuk kanë asgjë tjetër në përmbajtje përveç dhunës, pastaj serialet vendore që janë të shikuara po thuajse nga të gjithë fëmijët siç është seriali ‘O sa mirë’ që paraqet studentin si kriminel pastaj seriali ‘Çka ka shpija’, ku paraqitet një familje e degjeneruar dhe me shumë dhunë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë te fëmijët ku këta të fundit pa e kuptuar prapavijën e humorit, mendojnë që ai është realitet. Të tilla janë edhe ato me personazhe magjibërëse, për shembull: filmat me HarryPotter, aq të pëlqyer nga fëmijët, nga ana tjetër përjetimet emocionale, ndjenjat e dashurisë midis heronjve, pra të gjitha këto paraqiten në ekranet televizive duke i bërë pjesë të jetës fëmijërore që në moshë mjaft të vogël.

Me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, e njëjta varësi e fëmijëve ka kaluar edhe në internet, duke bërë që kohën më të madhe të ditës ta kalojnë në rrjete sociale apo në video lojëra.

Pra dhuna që fëmijët e shohin në televizion apo në rrjete sociale ka ndikim të madh në jetën e tyre e krejt kjo për shkak se ata nuk kanë përvoja të jetës reale për të gjykuar nëse diçka që ata shohin në ekran është reale apo e trilluar dhe për shkak se prindërit nuk kujdesen aq sa duhet për këtë pjesë dhe se programet televizive nuk kanë kontrollin e duhur të etikës.

Drejtori i departamentit ligjor nga Komisioni i Pavarur i Mediave,Niman Racaj në një intervistë për KosovaPress-in, thotë se KPM-ja është në dijeni që disa përmbajtjet programore të pa përshtatshme për fëmijë transmetohen në televizion edhe në kohën kur fëmijët ka gjasa të jenë të ekspozuar para ekranit por sipas tij janë disa masa mbrojtëse dhe sinjale akustike që programet televizive duhet t’i vendosin në mënyrë që fëmijët mos ta kenë komplet të qartë se çfarë është duke u proklamuar në atë kronikë.

Sipas Recajt, rolë të rëndësishëm në parandalimin e rrezikimit të fëmijëve nga dëmtimet mediale luajnë edhe prindërit, të cilët duhet t’i kontrollojnë vazhdimisht fëmijët. Sipas tij, ajo çka ish dashtë me ndodhë në raste të tilla, është që shoqatat dhe organizatat të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duhet të kenë më shumë tryeza të diskutimit me prindërit dhe t’i orientojnë se si duhet të sillen me fëmijët.

Të njëjtin mendim ndan analisti dhe profesori Rrahman Paçarizi, sipas të cilit një pjesë e prindërve nuk dinë t’i mësojnë fëmijët e tyre se si t’i përzgjedhin përmbajtjet të cilat mund t’i konsumojnë.

Paçarizi si zgjidhje të kësaj dukurie e sheh futjen e lëndës ‘Edukimit Medial’, nëpër shkolla, e cila sipas tij, fëmijët do t’i mësonte si t’i seleksionojnë dhe t’i përzgjedhin përmbajtjet të cilat mund t’i konsumojnë e që nuk janë të dëmshme për ata.

Paçarizi tha se përveç autoriteteve ekzistuese duhet të ndërtohet një autoritet tjetër  rregullator i cili do t’i kontrollonte përmbajtjet veç e veç. Sipas tij, duhet ndërtohet një lloj filtri, sidomos nga providerët e internetit. 

E psikologu Ilir Humolli, deklaroi se fëmijë janë pjesa më e rrezikuar e shoqërisë nga bota mediale.

Për t’i kaluar këto rreziqe, Humolli rekomandon drejtuesit e programeve televizive që gjatë ditës të transmetojnë më shumë programe edukativo-arsimore.

Humolli theksoi se skenat programore duhet të rishikohen dhe të ri-dizajnohen. Po ashtu,  iu bën thirrje prezantuesve të emisioneve të ndryshme televizive, të kenë kujdes me veshjet e tyre.

Duke u bazuar në statistikat aktuale, në Kosovë konsiderohet se janë 72 mijë fëmijë që e përdorin internetin./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress