Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 21.09.2020 02:34

​GLPS: Aktakuza “Veteranët e rrejshëm” me mangësi të mëdha

Prishtinë | 08/02/2020 12:42

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka prezantuar sot raportin “Një reflektim mbi trajtimin institucional të rastit ‘Veteranët e rrejshëm’”, me ç’rast u tha se aktakuza e ngritur nga prokuroria ka mangësi të mëdha.

Nita Kusari nga GLPS tha se në këtë hulumtim janë analizuar vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me refuzimin e masës për sigurimin e përkohshëm të kërkesës pasurore juridike, konflikti i kompetencave lëndore në mes të departamenteve, shkeljet e evidentuara nga ana e Drejtësia Sot.

Ajo tha se në analizën e bërë vërehet se aktakuza e ngritur është më mangësi të mëdha, ku aktakuza dështon të shpjegojë veprimet inkriminuese të të pandehurve veç e veç.

Kusari tha se veprimi i kryetares së trupit gjykues me të cilin u kufizua fotografimi, regjistrimi televiziv në pjesët kur jepet dëshmia e dëshmitarëve dhe u ndalua raportimi i dëshmisë së dëshmitarëve, si dhe që emrat e dëshmitarëve të publikohen vetëm me iniciale, është vendim i kundërligjshëm.

Kjo pasi sipas saj, në këtë rast nuk ka të bëjë me dëshmitarë të mbrojtur e as me dëshmitarë bashkëpunues, e që rrjedhimisht ajo tha se me një vendim të tillë gjykata ka shkelur të gjitha parimet e një gjykimi transparent duke dëmtuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. 

Ndërsa, Rreze Hoxha nga GLPS, ka paraqitur disa nga rekomandimet që i kanë për rastin “Veteranët e rrejshëm”.

Hoxha tha se këto raste duhet të trajtohen si prioritet nga gjykatat dhe prokuroritë në mënyrë që të mos zvarritet procesi gjyqësor dhe të respektohen afatet ligjore të përcaktuara, e që sipas saj në këtë mënyrë do të shënohej përmirësim i madh në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ajo tha se Drejtësia Sot fton gjyqtaren e rastit që të i respektojë të gjitha dispozitat ligjore në marrjen e vendimeve dhe për të njëjtat të vendos duke i respektuar ato dhe jo duke i tejkaluar. Vendime sikur vendimi për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë për vendosjen e masës së sigurisë, Hoxha tha se duhet evituar në tërësi meqenëse të njëjtat shkaktojnë dëm të riparueshëm.

Po ashtu, ajo i ka bërë thirrje gjyqtares së rastit që të respektojë të gjitha dispozitat e KPPRK-së, ashtu që të mos marrë aktvendime të pabazuara e të kundërligjshme të cilat do të ndikonin direkt në uljen e transparencës dhe llogaridhënies së gjyqësorit, ku ka përmendur rastin e marrjes së aktvendimit për publikimin e emrave të dëshmitarëve të rastit vetëm me iniciale.

Në rastin e njohur si rasti i “Veteranëve të rrejshëm” janë të përfshirë akterë institucional, të cilët gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë pasur statusin e luftëtarit dhe gjatë pasluftës kanë mbajtur dhe mbajnë pozita të ndryshme institucionale në vend.

Për këtë rast janë të akuzuar 12 persona të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ndërsa të akuzuar janë Agim Ceku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress