Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 30.03.2020 05:56

​​Grenell: Nuk do të përfshihem në diskutimet politike

Prishtinë | 22/01/2020 22:18

I dërguari i posaçëm i Presidentit Donlad Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, ka deklaruar se nuk do të përfshihet në diskutimet politike, por do të mundohet të shtyjë disa projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë.

Ambasadori Grenell që ka zhvilluar sonte një darkë pune me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, në një restorant të Prishtinës, tha se dëshirojnë të bëjnë progres në regjion, në Kosovë dhe Serbi, në frontin ekonomik.

“Presidenti Trump ka qenë i fokusuar për të zgjidhur këtë problem, duke mos shikuar mbrapa, duke mos i përdorur të njëjtat argumente të vjetra politike. Ne dëshirojmë të bëjmë progres në këtë regjion në Kosovë dhe Serbi, në frontin ekonomik. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është formula e administratës së Trumpit. Ne kemi një ekonomi të bujshme në SHBA, sepse kemi qenë në gjendje t’i themi qeverisë për të dialoguer përsëri. T’i lëmë bizneset të lulëzojnë dhe ta lëshoni rrugën dhe t’i lëni njerëzit të ecin përpara. Ajo se çfarë po bëjmë këtu është, të kuptojmë se këto problemet e gjata kanë nevojë e përqendrim nga njerëzit, pra duhet t’iu japim punë dhe zhvillim ekonomik njerëzve që e meritojnë, popullit të Kosovës, i cili e meriton të ketë vende të reja të punës dhe një të ardhme të ndritshme. Dhe ajo që po tentoj të bëj, është që të shikojmë të gjitha çështjet që kanë krijuar ngecje në bisedime, që kanë impakt ekonomik. Ne do t’i shtyjmë të dy qeveritë dhe liderët e Kosovës dhe të Serbisë dhe t’iu themi shikoni popullin dhe filloni të ecni përpara me vende të punës. Komuniteti i biznesit në SHBA, komuniteti i biznesit në Evropë do dëshirojnë të vijnë në këtë rajon me një masë të madhe, mirë po nuk mund ta bëjmë nëse ka konflikt nga estabilishmenti politik i të dyja vendeve”, tha ai.

Ambasadori Grenell potencoi se nuk do të përfshihet në diskutimet politike.

“Çfarë unë mundohem të bëj, është duke shtyrë disa projekte të ndryshme, kemi disa ide të cilat do t’i shtyjmë dhe të cilat do të krijojnë disa energji, shtytje ekonomike dhe më në veçanti vende pune me pagesë të mirë. Pra, kjo i nevojitet zhvillim ekonomik dhe siç e thash Presidenti Trump ka qenë i përqendruar dhe duke pasur një ekonomi vibruese dhe njerëz që marrin pjesë në ekonomi në një mënyrë të re, bizneset e reja vende më të mira të punës, atëherë edhe politika ndjek këto, sepse pastaj njerëzit përqendrohen në jetën e tyre të përditshme. Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu, nuk do të përfshihem në diskutimet politike, kjo është disi të shikuarit prapa. Unë dua të filloj të shikoj dhe të avancojë edhe Kosova edhe Serbia në drejtim të një kuptimi më të gjerë të punës së përbashkët për popullin”, tha ai.

Ndërkaq, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ka besim që nën lidershipin e Presidentit amerikan Donald Trump do të shkohet deri tek marrëveshja finale mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, e një marrëveshje e tillë sipas tij do të ndihmojë shumë zhvillim ekonomik, progresin, paqen dhe stabilitetin.

Kreu i shtetit tha se ambasadori Grenell nuk është në Kosovë për çështje lokale, por për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dëshirojë të falënderoj shumë për marrëveshjen e re që kemi arritur në lidershipin e ambasadorit Grenell dhe udhëheqjen e fuqishme të Presidentit Trump, atë të linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se është diçka e re, ajo që të tjerët nuk kanë arritur ta bëjnë, është duke e bërë ambasadori Grenell dhe administrata e SHBA-ve. Roli i ShBA-ve në këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kam besim të plotë se nën lidershipin e Presidentit Trump do të arrijmë deri tek marrëveshja finale mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, e kjo do t’i ndihmojë shumë zhvillimit ekonomik, progresit, paqes dhe stabilitetit”, tha ai.

Presidenti Thaçi duke folur për nominimin e kandidatit të LVV-së Albin Kurtit për kryeministër, tha se tash i mbetet atij dhe partive politike të punojnë për ta bërë shumicën në Kuvend.

Ai potencoi se vizita e ambasadorit Grenell nuk ka të bëjë me çështjet lokale dhe politike, por për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë kam nominuar kandidatin për kryeministër me kërkesën e tij, kryetarit të partisë së parë. Tash i mbetet partive politike që të punojnë dhe atij personalisht, të gjejë partner dhe të bëjë shumicën e mjaftueshme që të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ambasadori Grenelli është i ngarkuari special për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nga Presidenti Trump, nuk është për çështje lokale dhe të brendshme politike këtu, sikur që nuk janë asnjë diplomat që të interferojë apo të bëjë presion qoftë edhe ambasadorë në Prishtinë në çështjet e brendshme lokale, sepse është e drejtë e secilës parti politike të zgjedhë partnerin. Prandaj, ne do të diskutojmë për dialogun, do të diskutojmë për çështjet që janë me rëndësi jetike të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe kultivimit të përjetshëm të relacioneve mes Prishtinës dhe Uashingtonit. Kështu që, është jashtë agjendave lokale dhe elektorale kjo vizitë, por është në agjendën e planifikimit të shtytjes përpara të dialogut, për çka kam besim të plotë, përsëri e theksoj se nën lidershipin e Presidentit Trump do t’ia arrijmë”, tha presidenti Thaçi.

Vizita e ambasadorit Grenell realizohet pas arritjes së marrëveshjes për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Kjo marrëveshje për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe është përshëndetur nga liderët në Kosovë, Serbi, si dhe nga ndërkombëtarët.

Ambasadori Grenell gjatë ditës së nesërme do të zhvillojë takime tjera, raporton KosovaPress./M.Duraku/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress