Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, bëri të ditur se nuk ka asnjë person të lënduar nga kjo fatkeqësi natyrore, por që dëmet materiale janë shumë të mëdha.
Ai tha se kanë formuar komisionin për mbrojtje dhe shpëtim, të cilët sipas tij kanë filluar menjëherë punën në terren.
Rugova mendon që këto erëra do ta shoqërojnë Istogun edhe ditëve në vazhdim, e për këtë arsye ai pret që nesër ta vizitojë qeveria në mënyrë që të gjejnë zgjidhje buxhetore për këto dëme.
Ai bëri të ditur se shkollat nuk do të hapen as nesër, ndërsa sa i përket energjisë elektrike tha se KEDS është duke punuar intensivisht dhe se sot brenda ditës një pjesë e zonave urbane do të jenë të furnizuara me energji elektrike.
Drejtori i shkollës fillore ‘Hysni Zajmi në fshatin Vrellë, Sadik Bicaj tha se kjo është një ndër shkollat me më shumë dëme materiale dhe se nuk ka kushte për mësim deri të hënën.
Drejtori i Urbanizmit, Besart Dreshaj tha për KosovaPress, se janë duke punuar në terren dhe se shumë shpejt do të dalin me një raport lidhur me vlerën e dëmeve të shkaktuar nga erërat.
Qytetari Vehbi Zogaj, tha për KosovaPress, se fshati Kaliqan i komunës së Istogut, ka rreth 300 shtëpi dhe se mbi 80 për qind kanë pësuar dëme nga erërat. /KosovaPress/





Kjo web faqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress - COPYRIGHT
2002-2019