Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 10.08.2020 04:13

​Krasniqi për takimin Sveçla-Gjuriq: Demaskimi i hipokritëve po ndodh më shpejt sesa pritej

Prishtinë | 08/12/2019 18:46

Foto nga arkiva

Anëtari i PSD-së Frashër Krasniqi ka reaguar ndaj takimit të djeshëm të Xhelal Sveçlës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.

Ai përmes një shkrimi në Facebook i quan anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe ai para se të dilte në PSD, si hipokritë.

“Ashtu qysh sot po e arsyetojnë takimin nëpër kafe me Gjuriqin - i cili po të ndodhte me këdo jashtë VV-së do të cilësohej si tradhti kombëtare e shitje e Kosovës, ashtu nesër do ta arsyetojnë ri-kapjen e shtetit, keq-qeverisjen dhe autoritarizmin e tyre. Sepse ky është morali hipokrit popullist: çka do që bëjnë ata është në "interes të popullit", çka do që bëjnë të tjerët është "tradhti ndaj popullit". E mira këtu është që demaskimi i këtyre hipokritëve po ndodh më shpejt se ç'e prisnim”, shkruan Krasniqi.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, është parë duke biseduar në Tiranë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Sveçla, deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, është fotografuar gjatë një takimi me zyrtarin e qeverisë serbe, në mbrëmjen e së shtunës.

Fotografitë janë realizuar në Tiranë, në atë që njihet si “15-katëshi”, ku edhe po zhvillohej takimi.

Në lidhje me këtë ka reaguar sot në një konferencë për media kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të japë një shpjegim.

Ndërsa, vetë Xhelal Sveçla, pas publikimit të fotos së përbashkët me Marko Gjuriq, ka theksuar se po merr pjesë në një konferencë për bashkëpunim rajonal.

“Dua të sqaroj se Lëvizja Vetëvendosje nuk funksionon duke braktisur tryezat. Qëndrimi ynë është të marrim pjesë në çdo diskutim, të argumentojmë qëndrimet tona dhe të pamundësojmë marrëveshjet në dëm të Kosovës, ndryshe nga paraardhësit tanë”, ka shkruar Sveçla dje në Facebook.

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress