Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Enjte, 20.02.2020 04:51

​Rrëfehet Merovci: Rugova ishte vetë miti, ja momentet më të vështira e më të lumtura me të

Prishtinë | 21/01/2020 16:45

Adnan Merovci ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Ai ka qëndruar krah presidentit të parë të Kosovës në momente të vështira dhe të lumtura. Në një rrëfim për KosovaPress, Merovci sjell histori nga rrugëtimi i tyre përbashkët.

Sot mbushen 14 vjet qëkur Rugova mbylli për herë të fundit sytë. Janari i vitit 2006 ishte mjaftë i ftohtë, por kjo nuk i pengoi qytetarët e shumtë të Kosovës që të bënin nderimet e fundit për themeluesin e LDK-së që ndërroi jetë më 21 janar.

Ish-shefi i protokollit Adnan Merovci ruan kujtime të pazëvendësueshme me presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Për të, Rugova vazhdon të jetë një figurë me rrezatim profetik që me idetë e tij shpëtoi Ballkanin dhe jo vetëm popullin shqiptar.

Në intervistën e tij për KosovaPress, Merovci thotë se Ibrahim Rugova është një person i cili duhet zbërthyer në shumë dimensione dhe se ka qenë miti i cili ka pasur një rrezatim profetik.

“Ndjesia për Rugovën edhe personalisht po më rritet. Po ballafaqohem me një moment që është personal, por megjithatë dua me këtë rast të shfaq dhe është çështja e zbërthimit të figurës së tij, të tipareve të tij si njeri, si një krijues që ishte dhe kaloi pastaj veprues në politik e deri në një prijës në politikë të Kosovës si njeri, si familjar, si mik dhe si shok. Definitivisht Ibrahim Rugova me kalimin e kohës po shndërrohet në një njeri ose në një personalitet me nevojë shumë të madhe për t’u zbërthyer në përgjithësi shumë dimensionalisht... Duke folur për Rugovën disa po mendojnë se po mitizohet, por në fakt Rugova, nëse e them për mitizim, ai ka qenë miti vetë, ai ka pasur rrezatim profetik edhe pse nuk ka qenë profet”, shprehet ai.

I kapluar nga shumë kujtime që kishte kaluar për më shumë se një dekadë bashkë me presidentin Rugova, Merovci ndau një ndër momentet më të lumtura që kishin kaluar bashkë e që ishte fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Derisa flet me shumë nostalgji për Ibrahim Rugovën, personi i cili i qëndroi më së afërmi gjatë jetës së tij, Adnan Merovci thotë se presidenti i ndjerë gjithnjë ka besuar që do të ndodh pavarësia e Kosovës, kjo që po e gëzojmë.

“Momenti më i ngazëllyer dhe më i lumtur në të cilën e kam parë Ibrahim Rugovën është momenti i rënies së bombës së parë me 24 mars 1999, diku rreth orës 20:00 në mbrëmje. Kam qenë në banesën time në Velani sa isha kthyer nga ai dhe pasi ra bomba unë mora guximin dhe shkova disa tek ai. Kur kam hyrë brenda, ai u befasua se si kam arritur sepse ka qenë i njoftuar me situatën dhe gjendjen e rrugës si është dhe e kam parë se definitivisht ky njeri me gjithë autoritet që arriti, po dika me qenë edhe njeri i thjesht, dhe ia pash edhe gëzimin dhe ngazëllimin. Ndoshta nuk është e tepër të them edhe sikur një fëmijë i pastër që gëzohet”, tha Merovci.

Gjatë rrugëtimit të tyre pati edhe shumë vështirësi dhe lajme të kobshme. Merovci për KosovaPress ndau edhe një ndër momentet më pikëlluese të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Sipas tij, data 6 maj e vitit 1999 kur ishte ekzekutuar nga forcat serbe profesori Fehmi Agani ishte momenti më i vështirë, sidomos pasi ai ishte ngarkuar që t’ia kumtonte lajmin Rugovës.

Duek kujtuar atë moment, Merovci thotë se reagimi i parë i ish-presidentit ka qenë “ç’mu paska thye krahu” për të treguar rëndësinë që Agani kishte në jetën e Rugovës.

“Momenti më pikëllues po e shkoqis është rasti me 6 maj 1999 kur ne vetëm kishim udhëtuar nga ajo peng-marrje kur serbët kishin ekzekutuar profesor Fehmi Aganin dhe italianët që e kishin kuptuar këtë informatë nuk kishin mund t’ia komunikonin Rugovës dhe më ngarkuan që unë t’ia them. Në atë rast ishte diku pritur në avion për të shkuar në një vizitë prej Romës. I them kryetar po dua të them diçka... Prej mënyrës si reagoi ai priti diçka të pakëndshme. Thash na ke thënë që në rrëmujat më të mëdha njeriu nuk duhet ta humb kokën sepse duhet të vazhdojë të punojë. ‘Po fol më çka ka ndodhur?’, tha ai. Goxha me nervoz, thash ‘ngushëllime, profesor Agani ka ndërruar jetë e kanë vrarë serbët’. Edhe tash kur po rrëfehem jam jashtëzakonisht i prekur. Iu nxiu fytyra dhe si asnjëherë tjetër sepse ka pasur edhe vdekje edhe më të dhimbshme. Më tha ‘ç’mu paska thye krahu’, kjo është fjala autentike e presidentit Rugova”, tha ai për KosovaPress.

Merovci e cilëson Rugovën si një njeri të urtë por jo edhe të butë karshi kërkesave dhe idesë së tij për liri.

Për të, Ibrahim Rugova i ka shpërthyer orbitat e të qenit shkrimtar, intelektual e president derisa e vlerëson si dijetar kombëtar me përmasa ndërkombëtare që me punën e tij e shpëtoi Ballkanin dhe jo vetëm popullin shqiptar.

“Ibrahim Rugova i ka shpërthyer orbitat e të qenurit një shkrimtar, një intelektual, një president, një politikan. Ibrahim Rugova është një personalitet që epiteti minimal që i përket është Ibrahim Rugova ka qenë një dijetar i ynë kombëtar me përmasa ndërkombëtare dhe po ta dhënë një fakt të vlerës së tij që ne po e shijojmë sot dhe jo vetëm shqiptarët...Sikur mos të kishte qenë ideja e tij krejt Ballkani ishte ndezur dhe qenia njerëzore ishte rrezikuar. Duke qenë kështu Ibrahim Rugova e ka mëritën jashtëzakonisht të madhe dhe kanë obligime dhe borxhe ndaj tij edhe vendet tjera të Ballkanit”, tha Merovci.

Derisa presidentin historik, Ibrahim Rugova e konsideron si të pazëvendësueshëm, ai thotë se Rugova e kreu misionin e tij, por që mbetet për të punuar edhe më tutje.

“Nuk ka zëvendësim të tyre, definitivisht Ibrahim Rugova është shembull unik, por unë mendoj se Ibrahim Rugova e ka kryer misionin e tij, ne pas tij duhet të punojmë...Unë mendoj se e ngarkojmë nëse kishim kërkuar më shumë nga Rugova, e ka kryer misionin e tij. Atë e ka marr ai që ka fal në të cilin ka besuar në çdo sekondë të jetës”, përfundoi Merovci.

Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut. Më 23 dhjetor 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në ish-Jugosllavi.

Në 14-vjetorin e vdekjes, pranë varrit të Rugovës, sot u bënë homazhe dhe u nderua vepra e ish-presidentit nga liderët e vendit, bashkëpartiakë, bashkëpunëtorë të tjerë dhe ambasadorë të vendeve të tjera të akredituara në Kosovë./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress