Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Enjte, 09.04.2020 07:23

​Rriten shpenzimet për mëditje për 3.1 milionë euro, në shumë raste edhe janë keqpërdorë

Prishtinë | 11/12/2019 16:50

Rreth 14.7 milionë euro janë shpenzimet e institucioneve të Kosovës vetëm për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit në vitin 2018. Në vitin e kaluar, shpenzimet për mëditje ishin për 27 për qind apo 3.1 milionë euro më shumë se sa në vitin 2017.

Nga 11 ministri që kanë raportuar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë shpenzuar më së shumti për mëditje.

Përveç shpenzimeve të mëdha, shpeshherë ka pasur edhe keqpërdorime të mjeteve nga kjo kategori veçanërisht nga zyrtarë të ministrive. 

Kështu u tha sot gjatë publikimit të një hulumtimi nga Instituti GAP me temë “Lufta për mëditje: praktikat e institucioneve publike rreth udhëtimeve zyrtare”, në kuadër të Javës Kundër Korrupsion 2019.

Nora Latifi Jashari nga Instituti GAP, tha se mëditjet përbëjnë një shumë mjaft të madhe të parasë publike, teksa shtoi se roli i mëditjeve si instrument është që t’u mundësohet punonjësve të sektorit publik pjesëmarrja në seminare, punëtori, trajnime dhe takime të rëndësishme shtetërore.

Ajo ka inkurajuar zyrtarët që t’i paraqesin këto keqpërdorime për ta luftuar korrupsionin.

Jashari tha se deri në mesin e vitit 2018 shuma e mëditjeve për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë shtetit është rregulluar me një rregullore të UNMIK-ut, ndërsa vitin e kaluar Ministria e Financave  ka aprovuar një vendim të ri për ndryshim të tarifave të mëditjeve krahas standardit të jetesës në cilin shtet udhëtohet, por pa e ndryshuar përmbajtjen e Udhëzimit Administrativ.

Hulumtuesi në Institutin GAP Blendi Husaj ka evidentuar disa të gjetura, në të cilat sipas tij, ka raste që mëditjet përdorën për kompensime për shkollim apo për ngritje profesionale të punonjësve në sektorin publik dhe jo vetëm për udhëtime zyrtare, teksa shton se ka zyrtarë që kanë marrë mëditje sa dyfishi i pagës vjetore.

Edhe Ardiana Sahiti, auditore e Brendshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit tha se nga shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit 95 për qind janë bërë nga niveli qendror dhe vetëm 5 për qind janë shpenzime nga niveli lokal, teksa bëri të ditur se ka pasur raste që është financuar shpenzimi i udhëtimit për marrjen e diplomës së një punonjësi.

Edhe deputeti i ri i Kuvendit të Kosovës ka përmendur disa raste të keqpërdorimit të mëditjeve, siç tha ai në një rast është shpërblyer një punonjës zyrtar me një udhëtim zyrtar jashtë vendit veçse i ka lindur gruaja.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe zyrtari amerikan Shawn Waddoups i cili ka kërkuar që shpenzimet për mëditje të jenë sa më transparente e efikase dhe të mos keqpërdoren./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress