Në MPJ u bë dorëzim-pranimi i detyrës ministrore
04/02/2020 17:01
Pas ceremonisë së dorëzim - pranimit të detyrës ministrore, ish-ministri Pacolli dhe ministri Konjufca u prononcuan për media.
Ish-ministri Pacolli shprehu besimin e tij se ministri Konjufca do ta kryejë punën edhe mirë edhe me përgjegjësi, ndërsa tha se do të vazhdojë të kontribuojë gjithmonë për shtetin e Kosovës.
“Kam punuar me të gjitha kapacitetet e mia, kam bërë aq sa kam mundur dhe sa kam ditur. Asgjë nuk kam kursyer. Këtu i keni të dokumentuara të gjitha ato që kam bërë, bashkë me rekomandimet”, tha ish ministri Pacolli derisa ia dorëzoi raportin pasardhësit të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ministri i ri Konjufca tha se akti i dorëzimit me ceremoni është tregues se shteti i Kosovës po maturohet.
“Ndryshimi demokratik i pushtetit ndodh në krejt botën, dhe në këtë kuptim duhet ta përshëndesim një akt të tillë”, tha ministri Konjufca.
Pas përfundimit të ceremonisë së dorëzim-pranimit të detyrës ministrore, Konjufca dhe Pacolli, kanë zhvilluar edhe një takim pune së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Drejtorin e Përgjithshëm dhe drejtorët e departamenteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Kjo web faqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress - COPYRIGHT
2002-2019