Serbia i ka merituar bombardimet e NATO-s
25/03/2019 05:48Mësuesja e jetës na mëson se kontinentin e vjetër – Europën – në shekullin XX e kanë përfshirë tri valë të mëdha çmendurish. Dy çmenduritë e para europiane, që kishin për qëllim dominim, i patën përjetuar popujt në shkallë botërore, kurse të tretën, çmendurinë serbe, e përjetuan vetëm tre popuj të Ilirikut, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët. Bazën e kësaj çmendurie e ka shpjeguar mirë amerikani me origjinë kroate, Branimir Anzuloviq, i cili në librin “Serbia hyjnore nga miti te gjenocidi” (Botimet Koha, Prishtinë, 2017), me të drejtë konstaton: “Mitet dhe legjendat e ngjizura pas Betejës së Kosovës u ripërtërinë nga inteligjencia serbe për të ndezur pasionet nacionaliste të bashkatdhetarëve të tyre gjatë viteve ’80 të shekullit XX”.
Këto pasione për të cilat flet autori, Serbia i pat shfaqur ndaj shqiptarëve në Librin e kaltër (1976), të shprehura me tërë agresivitetin e saj. Pas demonstratave studentore të viteve 1981-1990, në të cilat vite mbi 3500 shqiptarë u burgosën e u dënuan me mbi 250 shekuj burg dhe mbi 700.000 kaluan nëpër duart e Sigurimit të Shtetit. Pastaj u vranë dhe u kthyen në arkivole qindra të rinj që ishin në shërbimin ushtarak të Jugosllavisë, i helmuan mijëra nxënës dhe u larguan nga puna mijëra shqiptarë. Serbia nuk u mjaftua me këto, por i mbylli çerdhet, shkollat dhe Universitetin e Prishtinës, u mbyllën të gjitha mjetet e informimit dhe u bë suprimimi i autonomisë së Kosovës. Jo vetëm këto që u thanë, por edhe shumëçka tjetër qe nënvizuar në Memorandumin e ASHAS, i cili qe faza e parë e Projektit për gjenocidin e planifikuar serb mbi shqiptarët. Në atë gjendje të pashpresë shqiptarët e kishin vetëm një rrugë për të mbijetuar në atdheun e tyre të ligjshëm – PËR TË LUFTUAR DERI NË LIRI! Tjetër rrugë ata nuk kanë guxuar të zgjedhin.
Sigurisht që nuk është e lehtë ta duash luftën, por ishte rrugë e vetme dhe e pashmangshme që duhej ndjekur. Shqiptarët i dinin pasojat e luftës, sepse ato po u ndodhnin tashmë fqinjëve, por vetëm ajo ishte rruga e fundit që duhej ndjekur, rruga e luftës për liri, rruga e mbijetesës. Rrugë që kalonte nëpër rrëke gjaku dhe me flijimet e më të dashurve. Për shqiptarët jo vetë që ishte i ditur krimi e gjenocidi serb në Bosnjë e Hercegovinë, por ishte i ditur edhe se serbët mllefin më të madh ndaj të gjithë popujve të Jugosllavisë e kishin ndaj shqiptarëve dhe kjo dihej që nga koha e Garashaninit (1844). E kanë thënë njerëzit e mençur vite e vite më parë, se liria e lavdia e kanë çmimin e lartë, por pa to populli me integritet e dinjitet nuk mund të jetojë.
Nga atëherë e deri më sot, intelektualë e politikanë serbë janë ushqyer e brumosur me mitin dhe legjendat serbe se gjoja ata janë komb “hyjnor” nga është prodhuar miti i krimit dhe i gjenocidit serb. Miti i krimit dhe i gjenocidit fillimisht i përhapur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, pastaj hierarkia fetare, politika shtetërore serbe dhe natyrisht mediat, por promotori kryesor ishte shteti serb. Kë e nënvizon prokurori i Tribunalit të Hagës, kanadezi (izraeliti) Eliot Behar në librin “Tregoji botës”: “Një shtet ka kryer vrasje në masë, dhunime, dëbime, gjenocid. Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar të ndërhyrë me kohë.” (Botimet Koha, 2018, f. 99).
Këtë po e thotë një prokuror që nga viti 2008 deri në vitin 2014 ka punuar në Tribunalin e Hagës dhe ai krimin e gjenocidin e shtetit serb e ka parë në dokumente, dëshmitë e vetë serbëve, në fjalët, shpirtin e sytë e dëshmitarëve, që i kanë përjetuar dhe i kanë parë me sytë e tyre krimet dhe gjenocidin serb. Atë krim e atë gjenocid pushtetarët serbë as dje e as sot nuk kanë pasur gatishmëri ta dënojnë e as ta pranojnë, madje as edhe formalisht ta bëjnë një kërkimfalje.
Është fakt, bota demokratike nga 24 marsi 1999 ka filluar ta dënojë politikën e gjenocidit serb me bombardime nga toka e ajri, të cilat bombardime në qershorin e atij viti ia kthyen Kosovën pronarit të ligjshëm të asaj toke – shqiptarëve, ndonëse jo në përmasën e merituar. Bashkimi i shqiptarëve ishte dhe është edhe sot zgjidhja imperative e kohës, pa të cilin bashkim paqja do të jetë gjithnjë e brishtë. Nuk ka asnjë dyshim të vetëm, bombarduesit e NATO-s e ndërprenë krimin dhe gjenocidin serb në Kosovë, edhe pse në fillimet e bombardimeve qe thelluar e zgjeruar krimi e gjenocidi serb mbi shqiptarët duarthatë, mbi gra, fëmijë e pleq, por fundi i tyre i ktheu shqiptarët në tokën e tyre legjitime, të cilën për 86 vjet pushtuesi serb e kishte mbajtur ilegalisht.
Prandaj Serbia jo vetëm që i ka merituar bombardimet e NATO-s mbi gjithë infrastrukturën ushtarake, politike, mediatike etj., por e ka merituar dënimin për gjenocid nga GJND-ja. Serbia është dashur që t’i paguajë dëmet e luftës të shkaktuara në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Kjo amnisti që i është bërë Serbisë është trimërim i të gjithë mekanizmave të mitit gjenocidal serb që janë aktivë edhe sot në pushtet e kudo tjetër atje. Amnistia për gjenocid nuk është dashur të ndodhë edhe për faktin se Serbia ka bërë një varg shkeljes si: “shkeljet e renda të Konventës së Gjenevës të vitit 1949 (neni 2), shkeljen e ligjeve e të zakoneve të luftës (neni 3), gjenocidi (neni 4) dhe krimet kundër njerëzimit (neni 5). Këto ishin dhe janë krimet më të rënda që i njeh ligji.” (Po aty, f. 37).
Në përfundime të ngjashme si të prokurorit kanadez, vite më parë pati konfirmuar edhe zëdhënësja e Tribunalit nga Franca, Florence Hartmann, e cila ka shprehur dyshime për “rastin Millosheviq”, se si mund të kishte dilema, tek e kishte fjalën për gjyqtarin Nice, për rëndësinë që kishin lëndët për krimet serbe në Sarajevë e Sebrenicë dhe konstaton: “Të gjymtohet aktakuza kundër Millosheviqit në këtë formë është e paimagjinueshme. Kjo do të thoshte ‘të shtrembërohet kuptimi i përgjegjësisë, ta gjymtosh veprën”. (Florence Hartmann, “Paqja dhe ndëshkimi”, Botimet Koha, 2011, f. 105). Ndërsa për Kosovën ajo thotë: “Lënda për Kosovën (...) nuk paraqiste problem sa i përket rolit të Millosheviqit, në vrasjen e dhjetë mijë shqiptarëve dhe dëbimin e tetëqind mijë syresh, ngase kishte vepruar brenda shtetit, të cilin e kishte kryesuar”. (Po aty, f. 106).
Sipas autores, kjo ishte konfirmuar edhe nga dëshmitari Millan Babiq, i cili kishte konfirmuar se të gjitha vrasjet, dhunimet e dëbimet ishin urdhëruar nga Beogradi. (Po aty).
Shkurt: Serbia jo vetëm që i ka merituar bombardimet e NATO-s, por e ka merituar edhe dënimin nga GJND-ja për GJENOCIDIN E DËSHMUAR. Këtë po e konfirmojnë njerëz kompetentë të Tribunalit të Hagës me fakte e dëshmi të njohura e publike dhe jo me dokumente konfidenciale. Pra, nga kjo që u tha, del se Serbia u amnistua nga dënimi për gjenocid nga politika por jo nga drejtësia DHE U GABUA.