Kosova po hynë në vitin 2020 pa institucione të reja. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit tregoi se votuesit si asnjëherë tjetër, kësaj radhe kanë votuar në radhë të parë koalicionin paszgjedhor i cili duhet ta qeverisë Kosovën në 4 vitet e ardhshme. Më 6 tetor, në një far mënyre janë mbyllur edhe bisedimet për ndarjen e pushtetit në mes të LV dhe LDK. Mandatarin e Qeverisë duhet ta propozoj LV, ndërsa Presidentin, LDK. Kombinimet kalimtare, deri sa ta liroj vendin Presidenti aktual, janë teknike. Tashmë u bë e çartë se votuesit, për pozitën e Kryeministrit, në mes të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, e kanë zgjedhur të parin, jo për tjetër, por për shkak të përvojës që ka fituar në ballafaqimin me Serbinë dhe besimit se do të jetë në gjendje ta ndaloj rrënimin e mëtejshëm që ia ka bënë Kosovës tandemi Vuçiq&Thaçi.
Duhet të përmendet se risi të këtyre zgjedhjeve ishin pajtimi paraprak i LDK dhe LV për emërimin e mandatarit nga fituesi i zgjedhjeve, me qëllim të braktisjes së traditën së keqe të xhambazëve që bënë pazare për këtë pozitë. AAK si parti minore, nuk do ta dhunoj më qytetarin tonë, duke e qeverisur Atdheun tonë pa e marrë besimin e votuesve, siç ka ndodhur deri tashti në disa mandate dhe PDK në një mandat.
Risi tjetër është edhe zotimi i dy partive fituese që të përgjysmohet numri i ministrive të shtuara për joshjen e koalicioneve joparimore. Ky vendim pritet të jetësohet me miratimin e Ligjit mbi Qeverinë e Kosovës, i cili duhet ta mbyllë këtë temë tagjie.
Zvarritja e marrëveshjes në mes të LV dhe LDK i ka irrituar votuesit të cilët kanë besuar se kanë bërë zgjedhjen e duhur për ndryshimin e kësaj gjendje të pashpresë. Sipas opinioneve të tyre, të paktën janë 3 arsye të zvarritjes së kësaj marrëveshje:
1. Frika nga Qeveria Kurti, e cila po mbillet nga disa drejtime: Nga disa parti të kotrumit të cilat kanë qeverisur me krim të organizuar, e që kanë frikë se suksesi eventual i saj mund ti shlyejë nga regjistri i KQZ-së dhe ti nxjerr para përgjegjësisë ligjore; nga Serbia e cila e di se në bisedimet e ardhshme përball nuk do ta ketë një person të dobët, si deri tashti, për të cilin nuk do të ketë vija të kuqe të temave që bisedohen; nga disa shtete anti Kosovë, të cilat kanë frikë se kjo qeveri mund ti prish ekuilibrat e politikës globale; nga klanet politike në Shqipëri dhe Maqedoni të cilat kanë frikë se kjo frymë e re do t’ua prish rehatllëkun e sundimit etj.
2. Shtimi i presionit dhe shantazhit ndaj disa drejtuesve të LDK-së, (nga disa drejtime), për ta ndaluar të bëjë koalicion me LV, duke i frikësuar se LV do ti djeg ata që janë hisedar të Marrëveshjeve të dëmshme Ndërkombëtare, hisedar në terminale dhe në plaçkitje të shtetit. Theksimi i shpeshtë i Vettingut nga ana e LV, po përjetohet si mesazh tmerrues nga disa figura vendimmarrëse në LDK.
3. Ushqimi i frikës nga vet LDK se suksesi i qeverisjes Kurti mund t’ia absorboj elektoratin e moshës së re dhe ta shndërroj këtë parti në satelit të LV, sipas shembullit të LDD-së së Nexhat Dacit, apo edhe të koalicionit joparimor të PAN-it i cili ishte rrënues për: AKR, PD, Nismën dhe lodhje të AAK-së.
Rrënimi i Kosovës është i madh, ama vullneti për ndryshim është edhe më i madh. Por për fat të keq, kapacitetet profesionale dhe përvojat në qeverisje të LV janë në shpërputhje me pritjet e votuesve. Megjithatë çdo punë e mirë e Qeverisë së ardhshme, do të jetë rritje e shpresës për një Kosovë ndryshe.
Sot, mbi të gjitha, nga votuesit kosovar do të vlerësohet kontributi i LDK-së si parti e traditës, në thyerjen e këtij ngërçi për ti dhënë shans zotimit për ndryshimin e Kosovës. Në këtë situatë, asaj iu është dhënë shansi të bëhet bashkautore e ndryshimit. Kjo do të mbahet mend nga votuesit dhe do të shpërblehet.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, pritja që këtë gjendje ta zgjidhin emisarët e shteteve mike, mbetet opsion real. Përndryshe, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, do ta bëjë LV fituese absolute, por të pamerituar, si reaksion i shpërthimit të pakënaqësive, ndërsa LDK-në mund ta përgjysmoj.