Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 26.09.2020 11:48
Bedri Halimi

​Libër që reprezenton në mënyrë të shkëlqyer faktografinë e gjenocidit serb në kosovë

Prishtinë | 22/05/2015 08:04

Shkruar nga: Bedri Halimi

Kohë më parë politikologu, intelektuali dhe veprimtari i njohur Bardhyl Mahmuti botoi librin me titull “Mashtrimi i Madh” Në këtë libër autori është nxitur të shkruaj për të ofruar të dhëna të shumta që kanë të bëjnë me faktografinë rreth krimeve serbe të kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit. Autori është nxitur pikërisht nga shkrimet e shumta të autorëve serb, gazetatarëve e mediave serbe të cilat të vërtetën rreth krimeve serbe në Kosovë janë munduar ta zhbëjnë, duke u munduar për t’ia ndërruar kahjen e drejtimit për 180 shkallë.

Kështu që, përmes shkrimeve të shumta propaganda serbe e ndihmuar përmes institucioneve kulturore e shkencore serbe si dhe nga vetë shteti serb janë munduar që të mohojnë gjenocidin serb në Kosovë duke e minimizuar këtë në përmasa ekstreme duke i dhënë kështu karakterin e ngjarjeve të vrasjeve sporadike nga individë të caktuar serb, të cilët në momentet e caktuara, ose kanë dalë nga kontrolli komandues, ose paskan qenë të frustruar dhe eksituar nga gjoja krimet e shqiptarëve të kryera ndaj popullatës civile serbe.

Për këtë qëllim shteti serb përmes tërë makinerisë propaganduese të saj jo vetëm që nuk ka pranuar gjenocidin ndaj shqiptarëve por është munduar që “të vërtetën serbe” për Kosovën ta plasoj në opinionin ndërkombëtar duke i përkthyer shkrimet dhe librat e tilla edhe në gjuhë të ndryshme të botës. Dhe jo vetëm kaq! Shteti serb në këtë drejtim ka kërkuar me pishë për të gjetur argat në vende të ndryshme të botës, e veçmas Evropës, në mënyrë që ata të shkruanin libra sipas platformës serbe, për t’i dalë kështu në ndihmë propagandës serbe si dhe për ta dezinformuar kështu opinionin për të vërtetën e krimeve në Kosovë. Padyshim se për këtë qëllim janë derdhur shuma të mëdha parash nga shteti serb.

Kështu Serbia e cila e humbi luftën në terrenin ushtarak, politik, juridik e diplomatik, pas lufte është lëshuar në ofanzivë të paparë për ta ndryshuar këtë imazh negativ të Serbisë të krijuar para opinionit demokratik botëror. Në ndihmë të kësaj platforme padyshim se përpos Peter Hantkes, bëjnë pjesë edhe individ të caktuar në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe Karla del Ponte e deri te Dick Marty.

Duke i patur parasysh të gjitha këto faktografi të rreme, të bluara aq trash në kuzhinat e propagandës serbe në radhë të parë, dhe të ndihmuar në ndonjë kuzhinë proserbe në botë, Bardhyl Mahmuti ka arritur që në mënyrë të shkëlqyer t’u kundërvihet të gjitha këtyre qarqeve dhe synimeve për ta ndryshuar imazhin për të vërtetën rreth ngjarjeve në Kosovë.

Bardhyl Mahmuti arrin që duke cituar të dhëna nga burimet e literaturës dhe mediave serbe në radhë të parë t’i shkoqis dhe t’i përgjigjet me argumentet relevante në radhë të parë serbe, për ngjarjet që përshkruhen në libër. Bardhyl Mahmuti sjell fakte, dëshmi konkrete, kundërargumente të shumta për shumë ngjarje dhe probleme në Kosovë, si për: të ashtuquajturin “Krematorin e Kleçkës” në zbardhjen e krimeve serbe në rastin “Panda“ ku vetë shteti serb vret civilët serb në Pejë dhe për ta kapitalizuar këtë për interesa politike, me synimin e rritjes së shkallës së urrejtjes ndaj shqiptarëve si dhe nxitjes së serbëve për mobilizim ushtarak. Më tej autori u kundërvihet gënjeshtrave mediatike duke i demaskuar edhe rastet e plaçkitjes me uniforma te UÇK-së, ndryshimet e ekspertëve mjeko-ligjor për të vërtetën e të vrarëve; manipulimin me krimin e gjenocidit në Raçak dhe aktet tjera të gjenocidit të kryera në vende të ndryshme në Kosovë; pastaj për spastrimin etnik dhe për dhunimet si akte gjenocidare; negociatave në Rambuje e deri te tentimet serbe për ti dhënë UÇK-së karakterin e “fundamentalizmit islamik”, “krimit të organizuar”, si “mafi shqiptare” të cilat shteti serb i ka proklamuar me libra të ndryshëm ndër të cilët edhe në të ashtuquajturin “Libër i Bardhë”.

Ndaj shumë të pavërtetave serbe autori Mahmuti arrin që t’i demaskojë, përmes një gjuhe të urtë, faktografike, duke mos tentuar në asnjë rast për të zbukuruar asgjë sepse zbukurimi më i mirë i gjenocidit, dhunës...është tregimi i së vërtetës.

Deri më tani për krimet serbe në Kosovë është shkruar nga autorë të ndryshëm por për të gjitha këto, ose është shkruar pamjaftueshëm si tërësi, kurse në raste të veçanta është shkruar me gjaknxehtësi. Të shkruarit më gjaknxehtësi rreth temave të mëdha siç është çështja e krimeve serbe, në momente të caktuara edhe argumentet relevante i relativizon. Përkundrazi, Bardhyl Mahmuti me këtë libër çdo gjë e paraqet pa emocione, me gjakftohtësinë më të madhe. Si i tillë, ky libër të bën për vete, edhe pse përmban 580 faqe, lexuesin e nxit për t’i shkuar librit deri në fund. Libri është i pajisur edhe me fotografi jo të shumta si ilustrime rreth dëshmive të sjella. Gjithashtu, ky libër është i pajisur edhe me faksimile që flasin për argumentet e ofruara.

Deri më tani, përpos librit të Nysret Pllanës që përmes librit të ilustruar me foto të shumta, ka arritur të ketë një jehonë të kënaqshme në opinionin perëndimor, libri “Mashtrimi i madh“ deri më tani është libri më i arrirë për sqarimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Një libër i tillë, me përmasa të tilla ka qenë dashur kaherë të bëhet nga institucione relevante të Kosovës si: Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Kosovës, Instituti i Historisë së Kosovës; Instituti Albanologjik, etj. qoftë kjo si libra autorial, qofshin edhe libra me punime të përzgjedhura. Prandaj jo vetëm që është e udhës, por është e domosdoshme që të gjitha këto institucione që u përmenden të bëjnë përpjekje për të dhënë maksimumin rreth ndriçimit të së vërtetës për ngjarjet në Kosovë. Jo për ta kënaqur vetveten e as opinionin e brendshëm, por për ta plasuar të vërtetën në mënyrën më të mirë të mundshme para opinionit botëror. Kjo nuk mund të bëhet as me një shkrim gazete, reviste, as me ndonjë intervistë e as me pjesëmarrje në simpoziume të ndryshme, edhe pse të gjitha këto e kanë vlerën e vet.

Faktet janë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNj) ekziston, njerëzit që i kanë përjetuar këto ngjarje gjithashtu ende janë gjallë. Ato vetëm duhet mbledhur, renditur e sistemuar me shije e profesionalizëm. Nuk mjafton fakti se intelektualët në Kosovë e dinë të vërtetën, siç i dinë edhe gënjeshtrat serbe, por ata duhet ta luajnë rolin praktik në histori. Oportunizmi larg tradhtisë në disa raste është vetëm një hap. Kush do të plasojë të dhënat për të vërtetën e Kosovës para botës nëse në radhë të parë nuk bëjnë përpjekje vetë intelektualët dhe institucionet tona? Mjerisht te ne ka ndodhë e kundërta: që edhe numri i librave të shkruara me të vërtetën reale në gjuhë të huaja nga autorë të huaj është shumë më i madh sesa numri i librave të shkruara në gjuhë të huaj nga autorë shqiptar.

Për shkak të nivelit profesional, faktografik të dhënave që sjell Bardhyl Mahmuti në librin “Mashtrimi i madh” ky libër meriton që urgjentisht të përkthehet në gjuhët më të mëdha të botës. Në gjuhën angleze për shkak të opinionit botëror që tashmë komunikon përmes kësaj gjuhe;

Në gjuhën frënge për shkak të miqësisë së dikurshme tradicionale serbo-franceze, për të dhënë dëshmi para lexuesit frankofon se Franca nuk ka gabuar me qëndrimin e mbajtur gjatë lutës së fundit në Kosovë;

Në gjuhën gjermane, për shkak të qëndrimit të vet shtetit gjerman si dhe për shkak të ndikimit të madh gjerman në BE;

Në gjuhën italiane, për shkak të qëndrimit të Italisë ndaj luftës së fundit në Kosovë si dhe për shkak të Vatikanit;

Në gjuhën Spanjolle, për shkak të nevojës për plasimin e së vërtetës para opinionit spanjoll si dhe spanjishtfolës, ku bën pjesë edhe ndonjë vend që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, në mesin e të cilave në radhë të parë qëndron vetë Spanja;

Në Gjuhën turke, përpos tjerash edhe për shkak të ndikimit të shtetit turk dhe opinionit turk në vendet e botës myslimane (arabe).

Por edhe në ndonjë gjuhë tjetër të botës si: rusisht, për shkak të vetë qëndrimit të Rusisë ndaj çështjes së Kosovës si dhe në gjuhën serbe, për shkak të nevojës për t’u ballafaquar lexuesi i pavarur serb me dëshmitë konkrete serbe për ngjarjet në Kosovë.

Të gjitha këto propozime të bëra në këtë rast, padyshim kërkojnë edhe investime materiale, si për përkthimet profesionale, procesin e botimit të librit gjithmonë në një cilësi të lartë, si në letër, ngjyrë etj.

Prandaj institucionet tona kulturore, arsimore e shkencore duhet që të mos hezitojnë e as të vetëmjaftohen, por që të japin maksimumin në këtë drejtim, duke filluar që nga Presidenca; Kryeministria; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve; Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe donatorë të ndryshëm dhe individ të vullnetit të mirë qofshin këta vendor apo ndërkombëtar. 

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar