Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Enjte, 09.04.2020 03:06
Diana Toska

​30 vjet nga themelimi i PPD

Prishtinë | 04/01/2020 13:15

Shkruar nga: Diana Toska

Për të artikuluar zërat dhe afinitetet e tyre politike në prill të vitit 1990, një grup intelektualësh shqiptarë kishin formuar, Partinë për Prosperitet Demokratik, e cila u shndërrua në lëvizjen e parë politike në Maqedoni.

Kishin vënë në krye Nevzat Halilin, me qëllim që ta organizonin jetën e tyre politike dhe kishin caktuar misionin e tyre të veprimit: t’ua kthejmë shqiptarëve të Maqedonisë dinjitetin e nëpërkëmbur njerëzor e kombëtar. Me këtë ndërmarrje politike, shqiptarët kishin nevojë të dëshmonin sociologjikisht se nuk janë masë amorfe pa krye siç propagandohej, por se kishin sens për të ngritur shqetësimet e tyre në shkallën e organizimit të mirëfilltë politik dhe  për herë të parë të tregonin se janë faktorë me relevancë politike e etnike në Maqedoni. Pra, arritën ta institucionalizojnë çështjen shqiptare, t’i tregojnë botës për madhësinë, gjerësinë, kulturën, trashëgimin, identitetin dhe për historinë e tyre në këtë vend, për aftësitë shtetformuese dhe për kreativitetin për të organizuar vetë jetën e tyre politike. Kishin provuar zgjedhjet, kishin treguar unitet, kishin fituar 23 vende deputetësh, një fitore bukur e madhe për fillim dhe për ti faktorizuar e kurajuar të luftojnë dinjitetshëm për të drejtat dhe liritë kombëtare.

Grupi Parlamentar i PPD-së në korrik të vitit 1991, para miratimit të kushtetutës së re të vendit, kishte lëshuar një “deklaratë për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni” , duke iu referuar historisë dhe luftës së përbashkët të të dyja etnive, shqiptare dhe maqedonase dhe duke kërkuar ndër të tjera që vendimet, që prekin interesat shqiptare,  të jenë konsensuale. Shqiptarët u ngritën, folën, bënë projekte e shkruan letra në adresa të ndryshme edhe për shumë probleme  të tyre praktike. Hartuan një mori dokumentesh, që kishin të bënin me arsimin, gjuhën, simbolet, e gjithçka tjetër që i përkiste rrobave dardane .Për diplomatët në Bruksel, Nevzat Halili ishte bërë i njohur. Kishte arritur të dorëzojë një mori kërkesash me shkrim lidhur me të drejtat e shqiptarëve dhe të bisedojë me udhëheqësit kryesorë të Këshilit të Europës, duke potencuar që këto kërkesa duhet trajtuar në nivel të barabartë sikurse ato maqedonase. Andaj, nga PPD-ja  pritej, jo vetëm garanci për këto të drejta, të cilat do të kodifikoheshin edhe në Kushtetutën e re, por se ato edhe do të zgjeroheshin dhe implementoheshin.

PPD përballë ‘ujqërve’ socialdemokratë

Përballë PPD, po qëndronte Partia Socialdemokrate e Maqedonisë, e formuar nga ‘ujqërit’ e vjetër të ish LKJ-së, nga intelektualë eminentë, nga një numër i madh i komunistëve të mëhershëm, nga strategë perfidë, zyrtarë me përvojë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Neokomunistët, në krye me presidentin Kiro Gligorov, proklamonin shtetin e tyre si ishull stabiliteti me gjithë nacionalizmin e tyre kushtetues duke vepruar haptazi kundër shqiptarëve, të cilët jo vetëm që i trajtonin si rrezik demografik, gjeopolitik dhe strategjik për Maqedoninë, por për ta bindur opinionin ndërkombëtarë, organizuan ngjarjet e përgjakshme në Bit Pazar, montuan Aferën e Armëve dhe një varg procesesh tjera duke legjitimuar kështu shtetin policor me të vetmin qëllim që ti frikësonin dhe  tiu kundërvinin çdo iniciative që do të vinte nga ana e shqiptarëve.

Me Kushtetutën e vitit 1992,Maqedonia u definua shtet unitarist, ekskluzivisht i takonte popullit maqedonas, gjuhë shtetërore ishte gjuha maqedonase dhe se shteti do të identifikohej nëpërmjet Kishës Ortodokse Maqedonase, si atribut i përkatësisë dhe përbërjes ortodokse-sllave të shtetit.

Maqedonia tashmë i kishte të gjitha performancat e një shteti të pavarur të pranuar edhe ndërkombëtarisht e në OKB,por nuk kishte arritur ta amortizonte frikën, mosbesimin, ndjenjën e pasigurisë dhe të ndërtonte shtet human demokratik me vizion stabil. Në kushtet e një mungese të tillë të kohezionit të brendshëm shoqëror e ndëretnik , Maqedonia u krijua si shoqëri me ndarje të thellë mes dy bashkësive më të mëdha etnike: asaj maqedonase dhe shqiptare. Duke qenë të ndarë edhe sipas gjuhës, fesë dhe, me ndjenjë të fuqishme të identitetit nacional, komunikimi mes dy bashkësive mbeti, jo vetëm i kufizuar, por, njëherësh, edhe problemi më serioz i pazgjidhur edhe deri më sot.

Sistemi i instaluar proserb në politikën maqedonase

Elitës së re politike shqiptare, tani po i jepej shansi historik të merrte përgjegjësinë e organizimit politik të shqiptarëve, duke pasur përballë një sfidë jo të vogël, kur ishte në pyetje ballafaqimi me kastën politike dhe shtetërore maqedonase që, jo vetëm ishte sprovuar në të gjitha mënyrat në luftë kundër shqiptarëve, por i kishte në sirtar edhe dosjet e secilit lider të ri shqiptar me të gjitha mundësitë për shantazhe dhe kërcënime.Në këtë konstelacion forcash me sistem të instaluar proserb, për të cilin survejonin  dhe vendosnin eprorët e lartë ushtarakë e ata të sigurimit policor të shtetit, e aq më parë kur pothuajse asnjëri prej tyre nuk kishte kulturë politike shtetërore, nuk kishte qenë pjesë e sistemit dhe të institucioneve të shtetit, por pa fajin e tyre, këtë mundësi, jo që nuk e  kishin dashur, por nuk ua kishin dhënë kurrë, andaj ishte e vështirë  ti realizonin të drejtat e tyre të natyrshme.

Dhe pikërisht në kohën kur shqiptarët kishin nevojë për unitet më të madh për ta luftuar nacionalizmin antishqiptar, nga Shqipëria, përmes Televizionit Shtetëror Shqiptar, në adresë të PPD-së dhe liderit të saj, u hodhën dyshime e akuza, të cilat jo vetëm që lënduan dhe futën përçarjen dhe ndasitë në lëvizjen e parë shqiptare,por moralisht thyen vullnetin e entusiazmin edhe të popullit shqiptarë në Maqedoni. Ky diversion i Tiranës zyrtare (1994) i destabilizoi përbrenda qenies së tyre, humbën dhe ngatërruan hapin në ecjen e tyre të filluar bukur mirë për konsolidim të radhëve dhe për realizimin e aspiratave të tyre të drejta kombëtare, u defokusuan dhe filluan të merën më shumë me veten, me pozicionimin dhe dominimin, brenda për brenda korpusit shqiptarë.

Ku të kërkonin përkrahje, kur Shqipëria politike sulmonte, kurse Kosova në heshtje kërkonte mos rrezikimin e saj, ndërkohë që për shqiptarët e Maqedonisë këto dy shtete kombëtare ishin të shenjta?

A kishin kapacitet politikanët shqiptarë  të merreshin paralelisht me përmirësimin e statusit të shqiptarëve, domethënë, të luftonin brenda institucioneve shtetërore kundër pozicioneve antishqiptare maqedonase dhe, në të njëjtën kohë, të luftonin për pozicionim dhe dominim brenda llojit të një partie shqiptare…?

Ku mbeti sot Partia për Prosperitet Demokratik?

Dalja e Arbër Xhaferit në skenë  me çka u nda PPD në dy krahë ua prishi komoditetin, jo vetëm krahut themelues të PPD-së, por edhe protagonistëve të tjerë nga jeta publike e mediatike e vendit, me çka u krijua një hapësirë dhe ambient tjetër politik, si për palën shqiptare, ashtu edhe për atë maqedonase. Arbëri, njihej për erudicion dhe luciditet në shqiptimin e diskursit publik, kërkonte që shteti të mos ndërtohej mbi baza devijante etnike, por ky diskurs kërkonte edhe pragmatizëm.

Ku mbeti sot Partia për Prosperitet Demokratik e cila si Lëvizje e shpresës në fillimet e saja pati një organizim, konsolidim, hapje të guximshme të të gjitha çështjeve shqiptare në vend dhe botë, bëri histori të lavdishme bashkë me një numër të madh të intelektualëve shqiptarë në kohë dhe momente shumë më të vështira se sot… Intelektualët brenda kësaj partie kishin obligim moral ndaj të gjithë atyre që u besuan që të vazhdojnë rrugën e trasuar me taban kombëtarë dhe mos të dorëzoheshin aq lehtë kundrejt matrapazëve brenda partisë dhe para sfidave tjera të cilët e shkatërruan legjitimitetin e saj dhe e çuan në harresë.

Borxhi i partive politike shqiptare ndaj votës së huazuar këto 30 vjet ka qenë dëshprues dhe i kushtëzuar vetëm me përqindjen e interesit partiak e personal, duke lënë pas dore atë të shenjtën nacionalen. Uroj që liderët shqiptarë të gjejnë forcë, e të bëjnë sakrifica të konsiderueshme që të çlirohen nga borxhi  nga i cili asnjëherë nuk arritëm këtë interes të pritur si popull ta shpaguajmë duke përcaktuar identitetin real të këtij vendi me paqen e merituar dhe mundësinë e të jetuarit si komb brenda sovranitetit tonë.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar