Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 30.03.2020 05:28
Halit Krasniqi

​Lëreni krehjen, ndalni çakmakët!

Prishtinë | 21/03/2016 15:31

Shkruar nga: Halit Krasniqi

Qytetari i këtij vendi, të rënët për këtë vend, dëshmorët dhe martirët, ju kërkojnë dy anëve të skenës politike: Njërës, lëreni krehërin dhe mbrojeni vendin që po digjet dhe tjetrit krah, ndalni çakmakët se mjaft dogjët!

Truri, mishi e ashti i këtij vendi po e ndjenë përcëllimin e kësaj flake. Adresa flakëvënëse shekullore, nëpër mes protagonistëve të sotëm në vendin tonë, të motivuar subjektivisht në skajshmëri, kanë projektuar dhe po zbatojnë djegien e arritjeve të vendit tonë me skenarët e dhimbshëm.

Është e pa falshme për të gjithë ata që sodisin dhe rrinë duke u krehur përballë këtij kërcënimi, sikur edhe për ata që i fryjnëkësaj flake, gjithashtu edhe për ata që shprushin këtë zjarr, i cili është ndezur për ta djegë këtë vend. Me të digjet edhe perspektiva e qytetarëve tanë të krijuar me përpjekje shekullore, me mund të madh e të arritura me një çmim të lartë gjaku e vuajtjesh. Ata që sot po brengosën për dukjen e tyre, ta hedhin krehrin nga dora dhe ta marrin Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi, t’i mësojnë e përvetësojnë për t’i konkretizuar. Nëse shoqërohen me dilema për t’i zbatuar, t’ua lëshojnë vendin kreativiteteve të duhura brenda subjekteve të tyre.

Ndërsa, ata që kanë humbur ndjesinë që po e dëmtojnë këtë vend, duke i vënë çakmakun, duhet të reflektojnë për pasojat, sot e nesër. Të ndalojnë së përgatituri gjendjen e kaosit dhe anarkisë për arritje të qëllimeve politike, pa respektuar rendin kushtetues dhe ligjet e aprovuara në institucionin ligjvënës, i cili është krijuar për ta ruajtur dhe zhvilluar qenësinë tonë. Madje, ky institucion është shndërruar në teatër eksperimental për të zhvilluar skenarët e dramave të shkruara gjetiu, në adresa ku është prodhuar gjithë drama jonë e përgjakshme qindra vjeçare. Herë-herë, duke krijuar tendenca për ta shndërruar në arenë tragjike, kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj!

Duke pare paralajmërime për veprime të pa përgjegjshme të radhës, të cilat po rrisin premisat për kaos e anarki, duke parë masa të pa mjaftueshme ndaj këtyre veprimeve, ndonjëherë me efektin e kundërt. Pa masa adekuate ndaj gjendjes, duke shfaqur megalomani e naivitet me deklarata e intervista të zyrtarëve të rendit e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit e drejtësisë, në njërën anë.
Ndërsa në anën tjetër, duke parë e lexuar deklarata e intervista nga protagonistë të skenarëve frymëzues për piromani, për të thelluar kaosin dhe anarkinë e zhvillimeve politike në vendin tonë, arrijmë në një përfundim logjik: Edhe sikur të ishim me subjektivitet të pranuar në OKB, dhe anëtar në të gjitha organizatat në marrëdhënie ndërkombëtare, do të ishte vënë në diskutim shtetësia dhe ruajtja e saj.

Krijohet përshtypja se protagonistë me kompetencë të rëndësishme dhe autoritete drejtuese të skenës politike në vendin tonë, në të dy kampet - pozitë e opozitë, janë shpërfaqur jashtë realitetit dhe kanë filluar me imitime jashtë kohës dhe hapësirës sonë, pa brenga për kontributet në krijimin e natës së Bartolomeut që po përgatitët në kuzhinat tashmë të njohura, do të jetë e pa falshme. Kjo e ka bërë bashkëpërgjegjës gjithë brezin tonë.

Të gjithë miqtë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, me kontribute historike për arritjet që i gëzojmë sot, duhet të ndërmarrin veprime sugjuestionuese për të shtrirë ndikimin e tyre mbi këta protagonistë që flasin e vendosin në emër të qytetarëve dhe në emër të këtij vendi, duke prodhuar të kundërtën e asaj që kërkohet prej tyre.
Dje ishte koha për këto veprime, sot është mese e domosdoshme të veprohet, nesër behët vonë!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar