Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Premte, 28.02.2020 08:25
Imzot Dodë  Gjergji

​Faleminderit Shqipëri

Prishtinë | 21/01/2020 00:45

Shkruar nga: Imzot Dodë Gjergji

Fort të dashur vëllezër e motra, zonja dhe zotërinj, Ju përshëndes dhe ju falënderoj të gjithëve që pranuat ftesën tonë, ashtu që pas 20 viteve të kujtojmë mikpritjen që kemi përjetuar në Shqipëri.

Sikur e kam cekur në ftesë, që e keni marrë, “Viti 1999, ishte një vit i tmerrshëm në historinë e re të shqiptarëve”. Por, nëse këtë tragjedi duam ta shohim nga këndvështrimi pozitiv, lirisht mund të themi që, mu këtë vit, shqiptarët kanë përjetuar një moment tejet të bukur bujarie, mikpritjeje dhe dashurie ndërvëllazërore. Ishte momenti kur Shqipëria hapi kufijtë e  shqiptarët hapen zemrat e dyert e shtëpive,  për t’iu ardhur  në  ndihmë vëllezërve të tyre nga Kosova.

Në atë kohë unë nuk isha refugjat, por një prift në Shqipëri, që përpiqej, si gjithë të tjetër, të jepte kontributin e tij. Mbi gjitha, angazhohej t’i koordinonte ata që angazhoheshin për të përgatitur një pritje sa ma të ngrohtë.

Unë isha atje, dhe si dëshmitar kam shumëçka të tregoj, por duke pas parasysh kohën e kufizume po e përmbledhë në një fjali: Ndihma ishte e menjëhershme, e gjithanshme dhe e shumëllojshme. Ajo shfaqej dhe shprehej në mënyra të ndryshme, sa që herë-herë,  mbeteshim të mahnitur, si nga kreativiteti ashtu edhe nga spontaniteti i shprehjes së saj. Këndej mendoj je këta njerëz e meritojnë një falënderim të madh, ku duam t’i përfshijmë të gjithë duke e thanë: “Faleminderit Shqipëri”.

Një falënderim i tillë s’ka munguar gjithë kësaj kohe, pasi është dëgjua nga ata që kanë vazhduar relacionet miqësore, kontaktet familjare dhe ndërveprimet shoqërore. Mbi gjitha, nga ata që kanë lidhë jetën martesore.

Dorën, n‘zemër, kjo brohoritje falënderimi, nuk ka munguar as në takimet e ndryshme ndërkulturore, ndërnjerëzore apo ndërqeveritare.

Ajo që jemi duke bërë sot është thjeshtë dëshirë për të rishprehur falënderimin tonë, së bashku,  solemnisht dhe njëzëshëm. Pasi, në këtë mënyrë kumbon më shumë, jehon më gjatë e dëgjohet më larg. Po edhe ne ndihemi më mirë, më të lumtur dhe më mirënjohës.   

Secili prej jush do të donte të shprehte edhe një falënderim të veçantë,  siç dëshiroj edhe unë të them:

Faleminderit gjithë shqiptarëve, që harruan çmendurinë e 1997 dhe dalldisjet e ‘98. E, që në vitin ‘99 i thirrën arsyes,  mobilizuan virtytet dhe iu përgjigjën në mënyrë dinjitoze përgjegjësive të atëhershme.
Falënderoj burrat dhe gratë, institucionet shtetërore dhe ato fetare, që me një kreativitet të paparë “të njerëzve zemërbardhë e shpirtmirë”, gjenin forma të ndryshme për të shpreh dhimbjen, ngushëllimin, bujarinë dhe mikpritjen, për bashkëkombësit e tyre nga Kosova, që dhunshëm dëboheshin nga shtëpitë e tyre.
Faleminderit juve miq, bashkëpunëtorë dhe dashamirë të pranishëm, që s’u lodhet asnjëherë, por u angazhuat natën e ditën, që punët e mikpritjes të shkonin sa ma mirë.
Falënderoj gratë e vajzat e reja,  që gatuanin në familjet e tyre, atë që kishin dhe i sillnin ato ushqime nëpër qendra tona. Sigurisht, ajo assesi nuk do të mjaftonte, po qe se nuk do të kishim ndihmën e  organizatave dhe popujve miq.
Këndej, një falënderim i veçantë iu shkon organizatave joqeveritare, karitative të vendeve të ndryshme dhe atyre vendore  (laike apo fetare), që  ndihmuan të përballonim momentin më të vështirë, e më vonë dhe ta rindërtonim vendin.

Nëse nga distanca atëhershme e shohim të sotmen,  atëherë duket krejtësisht ndryshe. Asokohe unë isha më i ri. Më kujtohet Hashimi edhe më i ri se unë. Naimi s’ishte Kryemyfti e Massafrën e kisha komshi. Pandeli s’ishte kaq i bardhë e Iliri ishte më i shnetshëm. Tjerë që sot janë bërë burra,  ishin fëmijë  ose  s’ishin fare.

Problemi nuk qëndron këtu! Pasi, këto gjëra s’janë n’dorën tonë. Çfarë më shqetëson është fakti që: sot jetojmë më mirë e kemi më shumë  –   por ndihemi më keq e jemi më të pa lumtur.

Thonë se për këto gjëra fajin e ka politika, korrupsioni, influencat e jashtme, Ipeshkvi apo Myftiu, gjë që të gjitha mund të qëndrojnë. Por, personalisht mendoj se gjitha këto burojnë nga mungesa e motivit shtytës dhe e gatishmërisë për të sakrifikuar.

Për shembull: Askush nga ne nuk e vë në diskutim objektivin e përcaktuar lidhur me integrimin Evropian. E, për të arritur këtë qëllim, kemi bërë ligje, vendime, mekanizma juridik, angazhime shumëçka tjetër. Por mjerisht, kur shohim se sa vështirë ndryshojmë, sa ngadalë veprojmë e si arsyetojmë, atëherë kuptohet që na mungon motivi i brendshëm.

Jam shumë i bindur që, siç arriti Shqipëria të dilte nga gjendjen kaotike e post ‘97,  për t’iu përgjigj sfidave të ‘99, ashtu mund të gjejmë motivin  për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës së sotme  

Dy ishin motivet e atëhershme:

ndjenja e  përkatësisë së përbashkët, që na bashkojë për të përballuar dhunën, dhimbjen dhe trishtimin.
Përpjekja për liri dhe dëshira për të jetuar në paqe. Ky motiv i bindi popujt e lirë dhe paqedashës që të na bashkohen në arritjen e këtyre qëllimeve. Sot, nevojitet një motiv i ri për t’i ri mobilizuar virtytet, njerëzore dhe kombëtare dhe për të promovuar kauza të drejta  që të ruajmë ose ta rifitojmë besimin e miqve.

Jam shumë i bindur, që  populli im është mikpritës, bujar, besnik, liridashës, i lirë dhe ilir. Ai, do të dijë të ruaj:

ndjenjën e unitetit  etnik, varësisht dallimeve që ka, mes tirqve dhe fustanellave, mes këngës labçe dhe asaj malësorçe ose mes kanacave dhe gjymlekut.
Begatinë e dashurisë ndervëllazërore dhe bashkëpërgjegjësinë qytetare, varësisht diversitetit religjioz që ka, duke qenë i krishterë apo mysliman.
Forcimin e unitetit kombëtarë, varësisht diversitetit politik e qytetarë të shteteve që iu përkasim.

Sipas gjykimit tim, përgjegjësia jonë sot qëndron në faktin që duhet të gjejmë përgjigje të përbashkëta, brenda diversiteteve që i ceka më lart dhe duke ia njohur njëri-tjetrit liritë, përgjegjësit dhe dallimet, deri në përcaktim personal dhe përgjegjësinë individuale. Pasi ky paska qenë fati jonë, të jemi një komb me shumë tradita, me shumë fe, më shumë shtete, por me një traditë, me një gjuhë, me një shpirt, me një zemër,  me një të ardhme.

Po ashtu është në përgjegjësinë tonë të ruajmë ambicien për liri, dëshirën e flakët për të jetuar në paqe, me njëri-tjetrin dhe me fqinjët tanë, që është motiv dhe synim i përhershëm i bashkësinë e popujve të lirë dhe paqedashës që e përbëjnë qytetërimin e dashurisë. Edhe pse në ambientin që na rrethon,  kërkohet përpjekje mbinjerëzore për të vetshëruar plagët e së kaluarës, durim maksimal ndaj njëri-tjetrit deri sa të mësojmë të jemi bashkëpërgjegjës për të mirën e përbashkët.

Mbi gjitha kem nevojë për guxim intelektual dhe burrnor për t’u përballë me të vërtetat e së  kaluarës. Po, dhe me realitetet që na presin, pa u munduar që t’i shtrembërojnë ato, që t ‘mund t’i fus secili në thes të vet. Pasi, fati i së vërtetës  është “për të dal në shesh”.

Shpresoj shumë që, sikur në të kaluarën, në hirin e shkrumbit  historik, kemi ditë të shpresojmë, le të rindezim shpresën në zemrat e të gjithëve për një të ardhme më të mirë.  Pasi që zhytja fataliste në dëshpërim, zhgënjimi pa përpjekje dhe jeta pa motive të shëndosha nuk na qon askund. Edhe njëherë, Faleminderit juve, Faleminderit Shqipëri./drita.info

*Fjala e plotë e ipeshkvit në Akademinë Solemne FALEMINDERIT SHQIPËRI, Qendra “BogdaniPolis”, nën Katedralen Shën Nënë Tereza, Prishtinë, 18 janar 2020. Titulli është i redaksisë sonë. Pjesa hyrëse e përshëndetjeve është larguar me lejen e autorit.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar