Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 12.07.2020 05:31
Menderes Ibra

​Ajri i ndotur – ky vrasës i padukshëm

Prishtinë | 17/12/2019 07:22

Shkruar nga: Menderes Ibra

1. Të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se rreth 4.2 milion njerëz vdesin në botë në vit si pasojë e ajrit të ndotur në ambient. Krahas kësaj edhe 3.8 milion tjerë që vdesin nga ajri i ndotur brenda shtëpive, shkaktuar nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile.

Kështu, ajri i ndotur është shëndrruar në rrezikun kryesor ambiental për shëndetin, me pasoja që janë duke u rritur nga viti në vit. Sipas OBSH-së më së shumti janë duke pësuar  shtetet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim. Kategoritë më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit. Shkaktarët e vdekjeve që manifestohen përmes ajrit të ndotur: Nga sëmundjet e zemrës 2.4 milion vdekje, nga kanceri dhe semundjet e fytit 1.8 milion, nga goditja ne tru 1.8 milion vdekje etj. 

Duke qenë  se efektet e ajrit të ndotur janë vërtetë rrënuese eshte Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-se e quajti atë ‘duhani i dytë’. Në shumë shtete në zhvillim sikurse Kina, India, Brazili etj, sot përmasat e ajrit të ndotur kanë arritur deri në ato nivele, sa që është llogaritur se dëmet për njerëzit janë të barabarta me efektin e pirjes së 20-30 cigareve në ditë!

2.

 Gjendja e ajrit në Kosovë filloi të përcillet me të madhe, dhe proaktivisht qëkur Ambasada e SHBA-ve instaloi aparatet për matjen e cilësisë së ajrit në Prishtinë, dhe mundësisë që njerëzit të kenë qasje në kohe reale për cilësinë e tij.  Popullata filloi të informohet dhe pastaj edhe të vetëdijësohet rreth kësaj. U mësua se kryeqyteti ynë (e me siguri edhe qytetet tjera) kishte arritur nivele alarmuese të ndotjes së ajrit. U pa se shpesh Prishtina ishte në mesin e qyteteve me ajër më të ndotur në botë! Nisur nga rendesia e percjelljes se cilesise se ajrit, si dhe faktit qe aparaturat e tilla nuk eshte se kishin nje çmim të lartë, shtrohet pyetja, se pse aparate të tilla të mos ketë ne çdo qytet të Kosoves, dhe të dhënat të përcillen në kohë reale?

3.

Pasojat direkte të ajrit të ndotur shkaktojnë vdekjen e njerëzve, pastaj sëmundjet, efektet ekonomike përfshirë shpenzimet për shërim, efektet, dëmet në ekosisteme etj. Por si reagojmë si shoqëri përballë këtyre rreziqeve të mëdha? Dhe si reagojnë personat dhe institucionet pergjegjese? Në një debat televiziv ditëve të fundit rreth kësaj çështjeje, p.sh. disa zyrtarë  ishin aq inertë e indolentë e me fraza të thata, sa dukej sikur të flisnin për gjendjen në një planet të largët: “Ndotja e ajrit në vendin tonë është një problem shumë kompleks, për këtë nevojiten studime të thella shkencore, analiza, duhen ditur shkaktarët e ndotjes etj. Duhet pasur ekspertizë të huaj, duhen para, donacione…duhet…duhet!!”. Vërtetë për t’u çuditur e dëshpëruar! Si është e mundur një qasje e tillë, jo-profesionale, dhe e papërgjegjshme? Ca fjalë pa asnjë plan veprimi! Po ata njerëz e kanë vetëm këtë punë, dhe paguhen vetëm për këtë punë! Çka, dhe nga kush presin vallë ta kryejnë këtë punë? 

4.

Në Kosovë dihen fare mirë burimet kryesore të ndotjes: Tymi i termocentraleve, gazrat nga automjetet e shumta dhe djegja i thëngjillit dhe burimeve tjera fosile për ngrohje. Nisur nga kjo edhe një plan imediat e konkret veprimi mund të përgatitet. Termocentralet nuk mund t’i mbyllim sepse na duhet energjia elektrike. Mirëpo mund të investojmë në filtrat e tyre, pastaj në rritjen e ko-ogjenerimit për ngrohjen qendrore. Sa i përket veturave, ne shohim për çdo ditë qindra e mijëra vetura në qarkullim, shumë sosh të prodhuara  para tridhjetë e më tepër vitesh, pa konvertorët katalitikë, e me emitim enorm të gazrave helmuese. Pse nuk zbatohet lëvizja alternative e  veturave (qift e tek) duke përgjysmuar kështu automatikisht qarkullimin e tyre? Kjo metodë është përdorur në shumë vende. 

Sa i përket përdorimit të lëndëve djegëse, dihet se: Nga rreth treqind mijë ekonomi familjare në Kosovë (përjashto një pjesë të Prishtinës dhe Gjakovës që kanë ngrohje qendrore, si dhe ato që përdorin energjinë elektrike për ngrohje), pjesa tjetër, vleresohet rreth 75% e tyre për ngrohje përdorin drurin dhe thëngjillin. Po të marrim një mesatare të ultë të shpenzimit prej 5-7 metra kub për çdo ekonomi familjare, shohim sasinë enorme të drurit dhe thëngjillit që digjet në vendin tonë. Mos të harrojmë këtu edhe shpenzuesit tjerë të mëdhenjë si institucionet publike që përdorin këta energjentë, si p.sh. një numër i madh  i mbi një mijë e njëqind shkollash (arsimi fillor dhe i mesëm) që perdorin drurin per ngrohje.

5.

Pra, nëse dëshirojmë që të përmirësojmë cilësine e ajrit, atëherë duhet vepruar sipas një plani konkret. Së pari duke vendosur këtë si prioritet vërtetë të lartë, dhe me konstrukt e mbështetje buxhetore financiare. Duke financuar ngrohjen qendrore me burime alternative (p.sh. me biomasë). Tashmë ekzistojnë studimet e fizibilitetit nga një organizatë ndërkombëtare se ngrohtore me biomasë mund të ndërtohen në dhjetë komuna të vogla Kosovës, dhe të cilat nuk kushtojnë më shumë se 6-7 milionë euro secila. Gjithashtu duke investuar në energjinë solare, gjeotermale dhe të erës. Një mundësi tjetër është edhe përgatitja për kyqje në korridoret e gazit natyror. 

Këto do të mundesojnë gradualisht zvogëlimin e perdorimit të thengjillit, dhe të drurit, e që mund të arrihet permes formave të ndryshme të stimulimit, dhe të ofrimit të alternativave të burimeve të ngrohjes. Të gjitha këto veprime munden përafersisht të kuantifikohene edhe financiarisht, dhe burimet duhet te jenë nga buxheti dhe nga bashkëpunimi me institucione te ndryshme financiare nderkombetare (si p.sh. BERZH-i që kanë gatishmeri për këë etj). Sa i përket pjesës buxhetore do te mjaftonte që p.sh. në emër të të gjitha ketyre qe permendem, te hiqet dorë nga disa investime ne infrastrukturën rrugore që mund te presin akoma. Jo vetëm qe do të zgjidhej problemi i ajrit të ndotur, por do të ngritej cilësia e ngrohjes, do të luftonim ndryshimet klimatike, do të shpetonim pyjet, dhe thjeshtë do të përmirësonim substancialisht jetën tonë.

Sepse nuk duhet harruar, se përderisa ndryshimet klimatike sot janë problem global, ndotja e ajrit megjithatë shihet si problem lokal, dhe shtetet e varfëra e të pazhvilluara nuk mund të presin vetëm ndihmat e shteteve të zhvilluara për pastrimin e ajrit të tyre. Thënë më së thjeshti, duhet përveshur llërët, dhe duhet punuar, nëse dëshirojmë që të kemi ajër të pastër! Dhe jetë të dinjitetshme.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar