Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 06:51
Menderes Ibra

​Best man for the job

Prishtinë | 02/04/2018 08:50

Shkruar nga: Menderes Ibra

1. Dikush mundet të mos e dijë, e tjetri për ndonjë arsye të tentojë ta fshehë atë, por askush nuk mund ta mohojë, se shoqëria moderne varet shumë nga krijimi i dijes e përdorimi i saj.

Në një shoqëri që nuk ka krijim të dijes ka brutalitet të injorancës. Një shoqëri që nuk prodhon dije apo që mjaftohet me ndonjë surogat të saj nuk ka se si t’i shpëtojë stërkeqjes e rrëgjimit, sot apo nesër, në këtë apo atë formë. Sepse, kur nuk prodhon diçka që të duhet, atëherë do ta kontrabandosh ose vjedhësh atë. Dhe kështu fillon qarku vicioz në të cilin hyhet lehtë dhe  shëndosh, por dilet shumë vështirë dhe i gjymtuar.

Slogani ‘Best man for the job’ (Njeriun më të mirë për çdo punë) në SHBA, është më shumë se sa një slogan, ai është një mentalitet i përgjithshëm që konsiston në sendërtimin e një parimi të thjeshtë dhe kuptimplotë: Që për secilën punë të zgjidhet njeriu më i mirë, e veçanërisht në postet udhëheqëse në organizata duke përfshirë të gjitha nivelet. Vetëdija e krijuar në SHBA por edhe në vendet tjera të zhvilluara konsiston në të kuptuarit se duke zgjedhur më të mirin në një post përfitojnë të gjithë dhe përgjithmonë. Është dëshmuar pafundësisht shumë herë si dobia nga njeriu i duhur ashtu edhe dëmi nga njeriu i gabuar. Njerëzit e tillë janë gur themel i institucioneve të fuqishme, e këto të fundit janë kushti kryesor i zhvillimit të një vendi. 
2. 
Kur Mart Laar u zgjodh kryeministër  në Estoni situata nuk mund të ishte më e pashpresë. Më 1991, pas 50 vite nën perandorinë komuniste sovjetike kishin bërë që çdo gjë të shkatërrohej. Ekonomia ishte e lidhur dhe e varur rreth 92 % nga ajo e Rusisë. Rrugët, ndërtesat, fshatrat e qytetet ishin si mos më  keq. Modeli i ekonomisë së centralizuar sovjetike kishte shkatërruar  edhe ambientin. Pothuajse asgjë nuk prodhohej, papunësia, varfëria, pabarazia rriteshin pa u ndalë. Shitore të zbrazëta, rradhë të gjata për ushqim, dhe artikujt elementarë si buka e qumështi u kufizuan. Inflacioni kishte arritur 1000%, kurse çmimet e karburantetve u rritën mbi 10000 %.  Aq e rëndë dhe kaotike ishte gjendja saqë në mungesë të gazit për ngrohje qeveria planifikonte që kryeqytetin ta evakuonte në zonat rurale të vendit. 

Komunizmi kishte rrënuar jo vetëm gjërat materiale, por edhe ato shpirtërore, kishte deklasuar moralin dhe vlerat e mirëfillta njerëzore. Estonezët e pranonin se krahasuar me fqinjët e tyre nordikë, ishin shumë prapa me nivelin e ndershmërisë, efikasitetit, besueshmërisë, sinqeritetit, flekisbilitetit e sjelljes së mirë. Si rezultat i kësaj ishte trandur plotësisht qenia  e njeriut. Ishte humbur besimi dhe shpresa. Në këso kushtesh Mart Laari më 1992 pas zgjedhjeve të para u zgjodh kryeministër i shtetit pothuajse të shkërmoqur, që po shantazhohej jo vetëm nga Rusia por edhe nga pakica e fuqishme sllave brenda që përfshinte rreth 35 % të popullsisë, si dhe nga të tjerë që nga injoranca apo qëllime tjera po kërcënonin shtetin e vogël ta fundosnin në batakun e varfërisë e mjerimit. Askush, madje as optimistët e miqtë më të mëdhenj nuk parashikonin të ardhme të ndritur. Me gjithë këto vështirësi të brendshme e të jashtme, me ekonomi të rrënuar, pothuajse pa resurse natyrore, prognoza e vetme për  Estoninë ishte e zymtë, askush nuk dyshonte në dështim total, çështja ishte vetëm se si dhe sa shpejtë do të fundosej në greminë për të mos u ngritur kurrë më. Por.....
3.
...ndodhi ajo që nuk pritej, e që sot njihet si mrekullia e quajtur Estoni. Shteti me 1.3 milion banorë kapërceu një nga një vështirësitë e panumërta, dhe u ngrit me ritme të paimagjinueshme. Kryeministri Laari që pas ca vitesh mori edhe një mandat të dytë, dëshmoi një lidership të pabesueshëm. I njohur tashmë jo vetëm si lider por edhe si arkitekt dhe baba i reformave ekonomike që shërbyen si katalizator për zhvillimin rapid brenda një periudhe njëzet vjeçare, dhe që përbëjnë model të zhvillimit të vendeve në tranzicion në mbarë botën. Lideri që fliste rrjedhshëm gjuhën angleze, gjermane, finlandeze, suedeze dhe ruse nuk u step para as një pengese, dhe manifestoi vizion të qartë, të cilin e vlerësuan edhe liderët e përmasave botërore. 

Ai në kokën e tij kishte ngulitur qysh në fillimi synimin - jo vetëm të arrihen vendet e Perëndimit, por edhe të tejkalohen ato! Ai mori çmime prestigjioze ndërkombëtare për dijen, kurajon dhe vendosmërinë për t’i shërbyer vendit të tij, e për rezultatet e pamohueshme . Vendimet e tij gjatë kësaj kohe qenë të shumta, të rëndësishme dhe që u dëshmuan të drejta. Vite më pas ato duken vërtetë si ëndrra të trishta. Kështu në vorbullat e ndryshimeve, përmenden fakte si ajo e pas shpalljes së pavarësisë, kur vendi kishte vetëm një lidhje telefonike mobile me Finlandën, dhe e cila ishte fshehur në kopshtin e ministrit të punëve të jashtme.  Kur Finlanda që po digjitalizonte rrjetën e telefonisë ia ofroi si dhuratë komplet infrastrukturën telefonike analoge, qeveria estoneze pas një analize vendosi që të mos e pranonte atë, me arsyetimin se ata do të ndërtojnë rrjetin e tyre digjital duke dëshiruar që të bëhen konkurrent dhe të zënë hapin me të zhvilluarit edhe përkundër varfërisë e prapambetjes.

4.
Si rezultat i reformave adekuate e të shpejta, dhe sidomos të lirive ekonomike si receta kryesore për prosperitet e zhvillim, shteti pësoi një transformim rapid, duke arritur që brenda disa vitesh të ketë normën më të lartë të rritjes ekonomike në Evropë, e cila arriti deri në 13% në vit. Rezultatet ishin të shumta: Standardi jetësor u rrit,  demokraci e pluralizëm i mirëfilltë, tregtia u liberalizua, u zbatua privatizimi i suksesshëm, papunësia ra në 5.3%, eksportet u rritën, investimet e huaja direkte ishin më të larta se në çdo vend tjetër të Europës Lindore, borxhi publik dhe deficiti buxhetor ishin më të ulta se edhe të vendeve të BE-së. Vendi u bë anëtar i BE-së, OBT-së, NATO-s etj. Sistemi tatimor estonez u bë më i konkurrueshmi në kuadër të vendeve të OECD-së. Estonia u bë një nga vendet më të zhvilluara teknologjikisht në botë, një nga pesë vendet më sistemin më të zhvilluar arsimor, vendi me përdorimin më të lartë të e-qeverisjes, dhe ku sot kompania mund të regjistrohet për vetëm 18 minuta. Janë të shumta atributet që ajo sot ka, por mbi të gjitha është standardi i lartë jetësor dhe mirëqenia e estonezëve. Nga të gjitha shtetet në tranzicion kishte korrupsionin më të ultë (më të ultë edhe se anëtarë të kahershëm të BE-së), i cili thuajse ishte inekzistent. Nga një shtet i vogël që kërcënohej të zhbëhej u shndërrua në ‘Tigrin e Baltikut’, duke krijuar reputacionin për vete si ’shteti i vogël që ia doli’. Estonia ia doli të të bëhet një nga vendet më të pasura të Europës Lindore.

5.

Mart Laar e kishte kuptuar se duhet bërë reforma të thella, e se nuk kishte kohë për të humbur, sepse koha është gjithçka dhe faktori kryesor. Vendimet e duhura dhe në kohë të duhur i japin shtetit një përparësi të madhe. Një vendim i mirë por i marrur me vonesë, qoftë edhe i drejtë shpesh rezulton që të jetë jo vetëm më pak i suksesshëm por madje edhe  kundër produktiv. Gjithsecili, në një kohë ka një mundësi për ta shfrytëzuar, por mundësia e rasti është si një dritare e cila nuk qëndron përgjithmonë e hapur, andaj vaj halli për ata që vonohen. Me qasjen dhe vizionin personal e poashtu me politikat adekuate publike ai e dëboi apatinë nga popullata, largoi frikën dhe zhdavariti mungesën e shpresës. Ai inspiroi njerëzit dhe u ngjalli atyre besimin. Stili i tij ishte ’Respekto njerëzit, diskuto, diskuto, diskuto, e pastaj vendos’.

Ai me ekipin e tij energjik, ambicioz e kompetent kishte vendosur që të adoptojnë mantrën e pamëshirshme të formuluar nga M.Theçër e F.Hayek “Bëje ose vdis”. Kur pas shumë vitesh e pyetën se si arriti të udhëheqë vendin me aq sukses përkundër shumë vështirësive që dukeshin të pakalueshme ai u përgjigj me çiltërsi: 
”Kanë thënë që është e pamundur- ashtu sikurse të ecje mbi ujë. E ne megjithatë ecëm mbi ujë, sepse thjeshtë, ne nuk e dinim që ishte e pamundur!”

Mart Laari, megjithatë në çdo intervistë ishte modest, duke mos ia atribuuar asnjëherë vetëm vetes meritat. Po, thotë, ia arritëm me sukses, unë vërtetë isha kryeministër, por meritat i takojnë  ekipit tim, dhe të gjithëve që punuan e kontribuuan. Ne ia kishim borxh popullit e shtetit tonë!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar