Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 12.07.2020 05:46
Menderes Ibra

​Dija dhe fuqia e organizimit

Prishtinë | 31/03/2019 23:54

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Nuk ka pasuri më të madhe se sa dija, dhe varfëri më të madhe se sa padituria”! (Buda)

1.

Fuqia e organizatave buron  nga niveli i organizimit të tyre, dhe jo vetëm nga posedimi i resurseve materjale. Ata që kanë shkallë më të lartë organizimi janë më superior në çdo aspekt, nga ata që  iu mungon ky atribut. Me shkallën e organizimit njeriu ballafaqohet gjithkund, çdoherë, në çdo hap të jetës, duke arritur  prosperitet e zhvillim nëse ai është i lartë, dhe duke pësuar dëshprim e rrënim nëse ai është i ulët.

Nuk ka se si të mos e vlerësohet dhe adhurohet niveli i lartë organizativ i një kombi, shteti apo organizate që rezulton me zhvillim, prosperitet dhe mirëqenje. Por, kur dhe si mund të arrihet gjendja e organizimit të lartë? Në çfarë mënyre do të planifikohen, hartohen dhe zbatohen objektivat? Si do të arrihet që me kosto sa më të ultë dhe me cilësi të lartë të arrihen synimet e planifikuara? Si mund të arrihet fitorja e vërtetë dhe jo ‘Fitorja e Pirros’, e cila që prej 23 shekujsh ka mbetur në kujtesën e njerëzimit, jo për vlerën e artit ushtarak, apo për ndonjë veçori tjetër, por për të treguar për koston e fitores, e cila nëse është shumë e lartë, madje edhe nuk mund të quhet më fitore. Aktiviteti i planifikuar efektivisht, përdorimi i saktë i resurseve dhe veprimi efikas janë veçoritë më dalluese të dijes e cila krijon organizimin që sjell fuqinë.

Në kontekstin e funksionimit efektiv dhe praktik të organizatave sot, flitet edhe për ‘vlerën për para’. Thënë ndryshe, secili shpenzim i bërë duhet që të rezultojë me një vlerë të shtuar, dhe e cila krahasohet përmes analizës së kostos oportune. Andaj, nuk mund të jetë synim primar dhe qëllim në vetëvete vetëm kryerja e një pune ose përmbushja e një aktiviteti me çdo kusht, por mënyra e kryerjes së saj, çmimi dhe cilësia e saj në raport me vlerën reale të resurseve të shpenzuara. 

2.

Nisur nga kjo, dija dhe organizimi janë faktorë që nuk mund të anashkalohen asesi, qoftë kur planifikohen e vlerësohen faktorët e rritjes ekonomike, qoftë kur kërkohen fajtorët për rritje të pamjaftueshme ekonomike, pasi që dija si kapital esencial në zhvillimin e qëndrueshëm, dhe rrjedhimisht faktor kyq në valorizimin dhe përdorimin e llojeve tjera të kapitalit, determinon nivelin e zhvillimit ekonomik dhe është faktor kyq i prosperitetit të një vendi apo organizate.

 Fakti se shtetet më të zhvilluara të së sotmes, kanë poashtu edhe  një sistem arsimor të fuqishëm, dëshmon se është e pamundur për t’u zhvilluar e prosperuar pa një nivel të lartë të dijes. 

Kështu, shtetet që kanë pasur për 25 vite rradhazi rritje konstante ekonomike vjetore mbi 7%, (Singapori, Malajzia, Koreja Jugore, Japonia, Indonezia, Hong Kongu, Tajvani, Tajlanda, Brazili, Malta etj), kanë një sistem arsimor i cili bazohet jo domosdoshmërisht në qasjen në shkollim, por ekskluzivisht në kualitetin e tij,  dhe ku nuk mund të ketë kompromis. Në Korenë Jugore pas luftës të vitit 1950 shkalla e analfabetizmit ishte rreth 78%, kurse BPV për kokë banori në vitin 1970 ishte 200 $. Koreanët e kuptuan se e vetmja mënyrë për ta nxjerrë vendin  nga prapambeturia dhe varfëria ishte arsimimi cilësor. Dhe ndërtuan sistemin që sot konsiderohet globalisht ndër më cilësorët, (për të arritur sot BPV për kokë banori rreth 37 000 $).

Përderisa në vendet e zhvilluara lufta bëhet për dije e kompetencë në ato të pazhvilluarat, ka tjera orientime e improvizime duke përfunduar shpesh në luftën për diploma. Shi për këtë ajo që njihet si mrekulli ekonomike në shumë shtete aziatike por edhe gjetkë, i ka rrënjët pikërisht në sistemin arsimor efektiv. Këtu zë fill akumulimi i kapitalit të dijes duke u shëndërruar në potencial të madh zhvillimor, dhe i cili i jep frytet e tij në të gjitha sferat e jetës.

3.

Në  shumë raste, edhe dija e edhe organizimi rrezikohen nga te moskuptuarit e vërtetë të kualitetit të dijes. Në raste të tilla dije quhet madje edhe vetëm një diplomë, apo pretendimi ose dëshira për ta pasur  atë, duke harruar se dija është diçka konkrete, e prekshme dhe rezultative. Fundja, sot dija  pasqyron rezultatin që arrihet në konkurrencën ekonomike globale. Mund të thuhet se ke dije, nëse ke sukses në kompeticionin global, dhe kur ky sukses shëndrrohet në të arritura konkrete.
Jo vetëm individët, por edhe shtetet dhe kombet që synojne dhe bazohen në dije, thellësisht dallohen nga ato që nuk bazohen në të, sepse dija nuk është qëllim në vetëvete, por hap dyert e vlerave sublime, të virtyteve dhe parimeve fundamentale të njerëzimit të cilat mundësojnë jetë të dinjitetshme dhe mirëqenje. Aty ku dija ka lëshuar rrënjë, ose të paktën aty ku është kuptuar se dija është themeli i çdo gjëje, përfitojnë  të gjithë.

Përdorimi i  dijes  dhe organizimit për të mirën e përgjithshme nuk është process i thjeshtë dhe i lehtë. Sepse, dija duhet edhe menaxhuar  efektivisht. Njëri nga shkecëtarët e njohur në sferen e menaxhimit P. Drucker thekson se resursi themelor ekonomik – mjetet e prodhimit- nuk është më kapitali, as resurset natyrore apo puna. Eshtë, dhe do të jetë dija. Mirëpo i vetëdijshëm se dija nuk vetëmjatohet nëse nuk vihet në funksion të së mirës të përgjithshme, ai thotë: “Nuk ka asgjë më të rendësishme se sa menaxhimi i dijes”.

Mentaliteti dhe kultura e improvizimi të dijes, si dhe vetë-mashtrimi ose iluzioni se ‘di gjithëçka’ jo që nuk mund të jetë substitut i saj, por krijon dëme të pallogaritshme, sepse krijohet iluzioni që di, kur ne fakt nuk di, dhe pastaj në vend të të kuptuarit të së vërtetës pason largimi nga e vërteta.

Shkencëtari i madh S. Hawking ka thënë: “Armiku më i madh i dijes nuk është injoranca, por iluzioni i dijes”.

4.

Organizimi sot në botë është shëndrruar jo vetëm në imperativ e shkathtësi të domosdoshme, por edhe në shkencë të mirëfilltë. Zhvillimi organizativ kështu përbën themelin e orientimeve strategjike nëpër organizata, duke arsimuar e përgatitur për jetë resursin më të çmuar të saj – njeriun. 

Zhvillimi organizativ ka pra për  qëllim primar aftësimin e njerëzve që përmes rritjes së efektivitetit e efikasitetit të planifikojnë dhe arrijnë qëllimet e tyre strategjike, ka evolvuar dhe ka pësuar ndryshime në vazhdimësi gjatë viteve. Kështu p.sh. në gjysmën e shekullit të kaluar quhej ‘ndërtim institucional’, në vitet ’60 deri ’70 quhej ‘fuqizim dhe zhvillim i institucioneve’, në vitet ’80 ishte ‘zhvillim i resurseve njerëzore’, në vitet e ’90 ishte ‘ndërtim kapacitetesh’, kurse në fillim të këtij shekulli tashmë njihet si ‘zhvillimi i kapaciteteve/rrjetat e dijes’. 

Dija mundëson që të arrihen dhe kuptohen ndryshimet e vazhdueshme në jetë, siç ka thënë Konfuci: “Thelbi i dijes është, që duke e pasur atë edhe ta zbatosh; e jo ta kesh , për të rrëfyer  injorancën tënde.”

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar