Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 12.07.2020 06:20
Menderes Ibra

​Diskutimi kritik sjell pjekurinë

Prishtinë | 26/08/2018 08:01

Shkruar nga: Menderes Ibra

1. Ka një gjë që është mbase më e rëndë se sa padija. Kjo është të mendosh se di diçka kur nuk di atë. Në një debat televiziv, njëri nga pjesëmarrësit ngulte këmbë në qëndrimet e tij ndaj të tjerëve, madje as pa dashur të dëgjoj se çka thonin të tjerët.

Sa herë që zihej ngushtë, ai përdorte një fjali si brez mbrojtës: ”Jo, jo e keni gabim. Kjo që po them unë është e vërteta. Duhet të jemi racional . Unë jam racionalist“! Se çka bluante në kokë ai kur thoshte unë jam racionalist nuk dihej, por ai sillej plotësisht ndryshe, sepse ai që beson në racionalizëm asnjëherë nuk pretendon të zotëroj pronësinë e diturisë dhe të së vërtetës, as ai e as ndokush tjetër. Mendimtari e filozofi i njohur shkencor K.Poper thotë që, “ vetëm diskutimi kritik mund të na jap pjekurinë, e cila është e domosdoshme për ta parë idenë nga shumë anë dhe për ta gjykuar drejt atë”. Në një vend tjetër ai thotë:

“Racionalisti  është thjesht një njeri, për të cilin është më e rëndësishme  që të mësojë nga të tjerët dhe jo duke marrë thjesht opinionin e huaj, por duke lejuar me kënaqësi që idetë  e tij të kritikohen nga të tjerët dhe që kritikon me dëshirë idetë e të tjerëve. Racionalisti e vë theksin mbi idenë e kritikës apo më saktë mbi diskutimin kritik, dhe nuk beson se ai vetë apo ndonjë tjetër zotëron pronësinë e diturisë. Ai beson se vetëm diskutimi kritik  mund të na ndihmojë për ta ndarë grurin nga egjra në fushën e ideve“.
Racionalisti ynë, sado që pretendonte shihej që nuk  kishte kurrfarë njohurie për racionalizmin. Bile fjalën racional e përdorte  vetëm si brez shpëtimi kur vërente rrezikun e fundosjes. E përdorte atë mbase edhe nga ndjenja e avantazhit që i krijonte përdorimi i saj, pasi që sa herë e përdorte atë, të tjerët  tulateshin  tërë frikë e sprapseshin sikurse djalli prej temjanit.

Polarizimet në një shoqëri po qese nuk menaxhohen me kohë dhe kujdesshëm, gjithnjë krijojnë situata e ambiente ekstreme në të cilat racionalizmi më nuk gjen strehë. Dhe, polarizimet më së shumti krijohen jo si rezultat i debatit, por pikërisht i mungesës së tij. Thënë më saktë i mungesës së debatit të artikuluar dhe lirisë së plotë të të shprehurit.   Debati i qetë, i shtruar dhe racional është sinonim i shoqërisë së zhvilluar. Format e tij përcaktojnë nivelin e progresit të shoqërisë. Kështu p.sh. vlen të analizohen në këtë kontekst: Pakënaqësia konstruktive (mospajtimi konstruktiv) dhe antipodi i saj – kënaqësia (pajtimi) destruktive. 

2.
Pakënaqësia konstruktive është koncept dhe qasje që lidershipi përdorë në organizatë për të arritur objektivat.  Ajo nxit debatin, dhe vënien  në pah të vlerave të individit në shoqëri. Ajo stimulon proaktivitetin,  përjashton njëmendësinë, censurën dhe frikën e njerëzve. Dinamizon  lirinë dhe  krijon kushte për gjetjen e zgjidhjeve edhe në situatat më komplekse në shtegun drejt progresit. Ajo heq vargonjtë e druajtjes të njeriut, lufton monopolin dhe pozitat dominuese e krijon mundësi të barabarta për të gjithë. Ajo vë në plan të parë  aftësitë e njerëzve duke i nxjerrur ato edhe nga skutat më të fshehta, e duke i vendosur në funksion të zhvillimit, çliron energji të pafundme, zhvillon dinjitetin, farkon moralin dhe zhvillon  vetitë fisnike njerëzore. 

Ajo bën që njeriu në organizatë të mos rri pasiv, i pakënaqur dhe i ndrojtur përballë problemeve, duke bluajtur në kokë idetë dhe duke mos mundur t’i shprehë ato; mënjanon kufizimin e njeriut përballë klisheve, e bën atë që të ndjehet i vlefshëm për veten dhe shoqërinë, shkatërron veset dhe kultivon virtytet, duke bërë që njeriu të mundet të vendosë për fatin e vet dhe të mos jetë skllav i hipokrizive e qëllimeve të ulëta, dhe nxitë përgjegjshmërinë. Bën që njeriu në vend se të justifikohet për mos hapësirë apo të kënaqet vetëm me kritikë, të kontribuojë realisht aty ku duhet dhe  si duhet. Bazohet në sistemin e vlerave, e kështu mundëson që njeriu të ndjej vlerën e vet dhe të punoj në rritjen e saj. Pakënaqësia konstruktive nuk bën të thjeshtohet vetëm me pakënaqësinë ndaj rezultateve.Vlera e vërtetë e saj pra është se ajo e vë njeriun dhe organizatën në veprim. 

Kombe të ndryshme të përparuara si p.sh ai japonez kanë krijuar praktika pozitive të cilat janë bërë bazament i mentalitetit të jetës dhe kulturës së punës. Eshtë mirë e njohur atje rruga për krijimin e sistemit të menaxhimit të cilësisë, njërës nga shtyllat e zhvillimit japonez. Nga aty vie edhe deviza e shndërruar pothuajse në kredon e filozofisë së punës kudo: “Përmirësim konstant dhe kurrë i papërfunduar”, që është bërë pjesë e mentalitetit jetësor, e që nënkupton luftën e vazhdueshme për përmirësim konstant. Edhe atëherë kur rezultatet janë të shkëlqyeshme, synimi për më shumë përmirësim nuk ndalet. 

Mentaliteti i organizatave të suksesshme dhe sistemi i organizimit të tyre është i tillë sepse ndër të tjera ai  mundëson që  të shtrohen pyetje të rënda dhe të guximshme të cilat prekin në themel të misionit e vizionit të tyre, dhe nga përgjigjja në të cilat nuk është i përjashtuar askush, si p.sh: Pse po e bëjmë këtë? Si po e bëjmë këtë? A është kjo rruga më e mirë për të arritur ku synojmë? Cilat janë alternativat? Mosshtruarja e pyetjeve të tilla të vështira dhe mospërballja me kompleksitetin e tyre ka si alternativë strategjinë që ndjek struci, kur para çdo rreziku  futë  kokën në rërë! 

3.

Mospajtueshmeria konstruktive është ana e kundërt e pajtueshmërisë destruktive, që te popuj e kultura të ndryshme në periudha historike të caktuara është jetësuar në formën ‘dëgjoj dhe bindem’. Se cila rrugë do të ndiqet, se cila qasje do te përdoret, se cila metodë do vehet në veprim, varet nga rezultati që synohet, por edhe nga mentaliteti i shoqërisë dhe niveli i zhvillimit. 

Cilat janë karakteristika e njërës dhe tjetrës qasje, dhe sidomos cilat janë rezultatet e njërës dhe tjetrës, ose thënë ndryshe, cilat organizata dhe pse zgjedhin si parim dhe qasje mos-pajtueshmërinë konstruktive e cilat pajtueshmërinë destruktive. Pyetjet e tilla në asnjë rast nuk janë të lehta dhe përgjigjet aq më pak.

Në rastin e parë para kryerjes së punës do të ketë diskutim, debat, zhurmë e pakënaqësi kurse në të dytin do të ketë qetësi, nuk do të ketë debat, do të ketë pajtueshmëri në sipërfaqe por pakënaqësi në thellësi e cila do të heshtet aty ku duhet dhe do të shprehet aty ku nuk duhet dhe në momentin më të papërshtatshëm. 

Mentaliteti i pakënaqësisë konstruktive nënkupton shterjen e debatit sado të gjatë e të mundimshëm në vendin e duhur (pra në organizatë), kurse e kundërta e saj mbylljen e tij aty ku duhet dhe hapjen  e zgjatjen deri në pafundësi të tij aty ku nuk do të duhej- në kafene, rrugë, shesh etj. Pra, energjia do të shpenzohet gjithsesi edhe në rastin e parë e  edhe në të dytin, por çështja  është pse ajo të mos orientohet si duhet dhe të përdoret për të arritur rezultatin adekuat. 

Thënë shkurt ajo çka njeriu di, çka beson apo çka mendon, nuk është relevante në raport me atë çka bën e veçanërisht me mënyrën se si e bën.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar