Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 12.07.2020 05:33
Menderes Ibra

​Fuqia e fjalëve dhe diskursi ynë sot

Prishtinë | 20/03/2019 07:36

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Në rast se do të merreshim me një bombë, e cila do të mund të eksplodonte çdo minutë si rezultat i veprimeve tona, ne do të koncentroheshim maksimalisht dhe do të ishim shumë të kujdesshëm. Fjalët tona kanë fuqi të njejtë, mirëpo ne i përdorim ato sikurse të ishin totalisht të pafuqishme dhe tërësisht të papesha”! (Y. Berg)

1.

Kur mendimtari i madh kinez Konfuci në një  rast ishte pyetur nga studentët e tij, se cili do të ishte veprimi i parë që do të bënte nëse do të ishte perandor i Kinës, ai pa mëdyshje e hezitim ishte përgjigjur: “Së pari do të angazhohesha për të përcaktuar drejtë kuptimin e fjalëve”. Kështu, rreth dymijë e pesëqind vjet më parë mësuesi më i madh dhe filozofi më i njohur kinez, idetë dhe mësimet e të cilit kishin determinuar dhe influencuar tej mase zhvillimin e civilizimit në tërë Azinë Lindore, kishte vërejtur rëndësinë dhe peshën e fjalëve në komunikim.

E në këtë kuadër, pra, të kuptuarit e drejtë të tyre, madje jo vetëm nga ai që i dëgjon ato, por edhe nga ai që i flet ato! Sepse keqkuptimi fillon mu në këtë nivel e fillesë, atëherë kur diskrepanca e mesazhit është evidente: Ndryshe jipet nga dhënësi e ndryshe kuptohet nga marrësi. Ose madje, në rastin me të keq, mesazhi që në fillim jipet keq dhe i paqartë, dhe  si i tillë nuk ka se si të kuptohet mirë.

E me këtë rrëgjon pashmangshëm edhe kualitetin e marrdhënieve në shoqëri, i degradon ato deri në skajshmëri. Sepse harrohet se fjalët deri më sot janë mjeti më i fuqishëm që njerëzimi ka në dispozicion. Ato mund të rregullojnë por edhe të prishin gjithëçka. Ato kanë fuqinë që të ndihmojnë e shërojnë, por edhe të lëndojnë e shkatrrojnë. Kanë fuqinë për të dërguar në parajsë, por edhe në ferr.

2.

Sa e sa herë dëgjojmë diskursin në thuajse gjithë nivelet e shoqërisë sonë, këndej e andej kufirit, në qarqe akademike e institucionale, që për emërues të përbashkët ka komunikimin e pasaktë, të pamatur e që pashmangshëm derivon në atë konfliktuoz, dhe e tëra kjo duke neglizhuar fuqinë e fjalës në komunikim. Duke e shpërdoruar e stërkequr atë. Sa e sa herë dëgjojmë njerëz që flasin e flasin, duke përsëritur vazhdimisht shprehjen ‘po dua me thënë’, ose ‘desha të them’, dhe për të përmbyllur diskutimin me shprehjen: ‘Po e përsëris edhe njëherë me fjalë tjera’ etj etj, duke dëshmuar vobektësinë në të folur. Sa e sa here jemi dëshmitarë të mosmarrëveshjeve eklatante për shkak të përdorimit jo adekuat të fjalëve, të keqkuptimit me opinionin e brendshëm apo të jashtëm për shkak të një termi të pamenduar e analizuar mire. Sa e sa here e njëjta fjalë apo shprehje kuptohet e interpretohet diametralisht në mënyrë te kundërt nga palët e përfshira në një veprim. Dhe të gjitha këto duke anashkaluar përgjegjësinë për fjalën e thënë.

3.

Në librin e tij “Dashuria si mënyrë e jetës” autori i njohur G.Chapman duke shkruar për rëndësinë e fjalëve dhe rolin e tyre në  jetën e njeriut, si dhe në raportet ndërnjerëzore, i përshkruan ato përmes  metaforës interesante, kur fjalët  mund të jenë ‘plumba ose farëra’. Metafora ka një kuptim dhe aludim fare të qartë: Nëse ne përdorim fjalët tona si plumba, duke ushtruar ndjenjën e superioritetit dhe arrogancës absolute ndaj tjetrit, me synim për të nënçmuar, poshtëruar, apo në instance të fundit për ta linquar,  dënuar e ndëshkuar tjetrin, atëherë, qartazi krijojmë terren dëbimi e refuzimi, që nuk lë vend për respekt e dashuri. Dhe, si mund ta respektosh apo dashurosh dikend të cilin  e gjuan me plumba? Bile, ate jo që nuk mund ta respektosh e dashurosh, por as nuk do të  mund fare ta kuptosh! Në anën tjetër, nëse ne përdorim fjalët tona si farëra, duke pasur për qëllim mirëkuptimin, dashurinë, përkrahjen dhe mbështetjen vullnet  mirë, atëherë jo vetëm që do të ndërtohet pozitiviteti e mirëkuptimi, por madje edhe do të rindërtohet aty ku marrdhënia  është e dëmtuar.

Fundja sa e sa herë është dëshmuar katërcipërisht se e keqja, dhe tërë mbrapshtitë në një shoqëri fillojnë që nga padurimi e fjalët e dhunshme, sepse gjuha e dhunshme gjithnjë i paraprinë dhunës së përgjithshme. Shumë kohë më pare e kishte thënë në mënyrë brilante Aristoteli: “Aty ku gjuha është e prishur, as mendja nuk mund të jetë e ndrequr”.

4.

Jo vetëm shkalla e zhvillimit shoqëror e ekonomik por edhe ajo e moralit dhe ndërgjegjes së një indiividi, apo edhe shoqërie, përshkruhet më së miri me mënyren se si flitet në një shoqëri. E kualiteti i komunikimit përcakton edhe kualitetin e marrdhënjeve në një shoqëri dhe kështu edhe zhvillimin e saj. Pra, a flitet hapur, sinqerisht, pa nënkuptime, me respekt, dashuri apo flitet ngurtazi, me rrotlla, me hipokrizi, me nënkuptime, me urrejtje etj. A flitet ajo çka mendohet, pa rezerva dhe hapur, apo flitet diqka e mendohet krejt diçka tjeter?

Për këtë arsye mësimi i filozofisë, moralit dhe etikës në sistemet arsimore të shteteve e kombeve të zhvilluara paraqet bazën e arsimimit e rrjedhimisht edhe të shtetndërtimit. Andaj prosperiteti dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm i tyre kombëtar shkon krahas edhe me një atribut esencial dhe të domosdoshëm të zhvillimit – ndërgjegjja kombëtare. Funksionimi i këtij binomi është faktori kryesor dhe si i tillë edhe i domosdoshëm në zhvillimin e shoqërisë. Mjafton që të shiqohen vendet dhe kombet e zhvilluara sot. Nuk ka asnjë vend të zhvilluar e të prosperuar që të mos ketë një sistem arsimimi dhe edukimi të zhvilluar, në të cilin njeriu merr dijen dhe edukatën e nevojshme për punë e jetë, por edhe bazat e ndërgjegjes  kombëtare. E ku çdo gjë padyshim fillon nga fjala, nga përdorimi i duhur i saj, e duke pasur në mendje fuqinë e madhe të saj, për ndërtim apo në të kundërtën për rrënim. Ashtu siç në një rast kishte thënë Niçe: “Krejt ça më duhet është një fletë letre, ku do të mund të shkruaja diçka, dhe pastaj do të mund ta ktheja botën me kokë poshtë”.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar