Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 30.03.2020 05:15
Menderes Ibra

​Gjuha-ky ind jetik kombëtar

Prishtinë | 24/01/2019 07:55

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Ringjalljet kombëtare kudo e në çdo kohë kanë shkuar hap më hap me pastrimin e gjuhës”. (Eqrem Çabej)

1.

Duke folur për gjendjen e  gjuhës shqipe, politikani dhe mendimtari madh Arbën Xhaferi në një rast pat thënë: ”Refuzimi i respektimit të gjuhës standarde është në fakt mbulim i injorancës gjuhësore si dhe projekt me elemente antikombëtare”. Nuk ishte fare e rastësishme që intelektuali i mirëfilltë dhe politikani largpamës në vlugun e problemeve të shumta kombëtare dhe krahas marrjes proaktive me to, i vetëdijshëm për rolin krucial të gjuhës në jetën dhe prosperitetin e një kombi, tërhiqte vëmendjen për këtë.

Ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës sonë duhet bërë gjithandej ku jetojnë shqiptarët, mirëpo me theks të veçantë në Kosovë. Eshtë vërtetë shqetësuese dhe e papranueshme që sot dy dekada pas përfundimit të luftës, dhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë e krijimit të shtetit, gjuha jonë të jetë në këtë gjendje. Mjafton që edhe përciptazi të vështrohet se si flitet e shkruhet ajo sot: në shoqëri, komunikimi i përditshëm në mes njerëzve, rrjete sociale, media të shkruara e elektronike, institucione, e madje edhe në shkollat tona të të gjitha niveleve. Eshtë dëshpëruese për të mos thënë tmerruese niveli i  përdorimit të saj. Barbarizma, lokalizma, shtrembërim i skajshëm i fjalëve, theks e diksion i rëndë, varfëri në të shprehur e karakterizojnë sot përdorimin e gjuhës sonë. Ekspertë të gjuhës shqipe me të drejtë janë duke ngritur shqetësimin dhe alarmin se gjuha e standardizuar shqipe në Kosove ka mbetur pa zot.

Pra,nuk ka kush që kujdeset për të në njërën anë, dhe për më tepër ka shumë, tepër shumë që e sulmojne pamshirshëm qoftë me hir apo pahir. Përderisa të parët këtë e kanë bërë gjithmonë, me ngulm dhe me strategji të qartë për ta rrënuar këtë ind vital koheziv kombëtar, të dytët bijnë në kurthat e ngritura me djallëzi dhe pavetëdijshem e në mënyrë infantile qojnë ujë në mullirin e tyre duke mbajtur ison në vallen e tyre makabre. Të parët denbabaden e sulmuan gjuhën tonë duke u munduar ta zhbëjnë me çdo kusht, dhe të pyesësh se pse e bëjnë këtë do të ishte njejtë sikur të akuzoje ujkun se pse  i gllabëron delet, por është ndjellakeqe kur të dytët e dëmtojnë gjuhën, thjesht nga padija. Të tillët të përkujtojnë dialogun në një tragjedi, kur kryepersonazhi i përgjakur dhe në agoni e pyet vrasësin: Pse ma ngule thikën në bark? Dhe vrasësi duke rrudhur krahët përgjigjet- Nuk e di!

2.

Si mundet vallë një shoqëri të sillet kështu me njerin nga mjetet më kryesore të jetës? Përdorimi i tillë është i dëmshëm per zhvillimin e kombit, dhe ai kërcnon me zymtësine e tij Si mund të sillet kështu me papërgjegjësi dhe shkurtpamësi me mjetin që mundëson komunikimin në mes njerëzve? E kualiteti i komunikimit përcakton edhe kualitetin e marrdhënjeve në një shoqëri dhe zhvillimin e saj. Nëse ai është në nivel i bën ato korrekte, por nëse ngec dikund krijon mosmarrëveshje, konflikte, e histeri të vërtetë. Sepse edhe dhuna fillon së pari me dhunën e gjuhës. Sepse kur dikush duhet që të shpjegoj krejt atë çka ndien brenda vetes me vetëm disa dhjetra a qindra fjalë atëherë nuk ka se si të mos bie në konflikt me të gjithë, por edhe me vetëveten. Duke e dashur gjuhën edhe e mësojmë ate, përmirësojmë komunikimin në mes veti, e rrisim mirëkuptimin dhe zhvillohemi më shpejt.

Duhet të jetë e qartë se duke qenë tashmë anëtar të familjes së madhe te shteteve, dhe duke pretenduar të integrohemi në qytetërimin e BE-së dhe më gjërë, këtë mund ta bëjmë me sukses vetëm atëherë kur gjuhën tonë e zhvillojmë,  e ruajmë me gjelozi, e pasurojmë dhe e kultivojmë si një pasuri shumë të çmuar, sepse para se të njohim një kulturë të re, duhet të njohim tonën.

3.

Pas rifitimit të pavarësisë nga ish BRSS në vitin 1990, Lituania u ballafaqua me shumë probleme jetike të natyrës ekonomike e ekzistenciale, dhe të cilat kërkonin zgjidhje të menjëhershme. Inflacioni i lartë, papunësia, mungesa e ushqimit, jostabiliteti buxhetor e politik kërcnonin shtetin e ri nga çdo anë. Por pavarësisht kësaj, mu në këtë kohë udhëheqësit largpamës lituanez u morën edhe me një problem tjetër të madh, i cili po të mos ndalej me kohë mund të krijonte rreziqe tjera afatgjate për zhvillimin e kombit dhe shtetit. Gjuha e tyre lituaneze e cila po neglizhohej e madje edhe po sulmohej në mënyra të ndryshme, duke rrezikuar të zhbëhej e zhdukej, qoftë përmes degjenerimit, përdorimit të fjalëve të huaja, nënçmimit, anashkalimit etj. Dhe kjo madje po ndodhte kur vendi ishte i lirë e i pavarur. Këtë çështje vendim-marrrësit e trajtuan  me seriozitet maksimal  institucionalisht, dhe  në vitet e para pas pavarësisë parlamenti lituanez miratoi ligjin për gjuhën. Përmes këtij ligji krijuan themelet për ta mbrojtur atë, përcaktuan standardet, obligimet e secilit institucion, të shkollave e universiteteve, dhe veçanërisht të mediave.  Inspektorati i veçantë shtetëror mbikëqyri zbatimin e tij, përcaktuan  masat ndëshkimore dhe dënimet në rast të mos zabtimit dhe thyerjes së tij. Dhe ata e zbatuan me përpikëri këtë ligj me përkushtimin më të lartë.

Kështu vendosën që institucionalisht të vepronin për të ruajtur e kultivuar atë me të cilën krenoheshin – gjuhën lituaneze, këtë gjuhë shumë të vjetër të kombit të tryre, me prejardhje nga gjuha sanskrite e Indisë, dhe e cila ishte gjuha me e vjetër indo europiane qe mbijetoj gjatë historise. Sot, kjo gjuhë flitet nga rreth 2.5 milion lituanezë, dhe është njëra nga më të voglat në BE, por njëkohësisht edhe një nga më të respektuarat në qarqet linguistike. Kështu  lituanezët e mbrojtën gjuhën e tyre në një moment kritik, dhe janë shumë krenar kur e tregojnë këtë, por edhe specifikat e saj, krajatat historike, vjetërsinë, veçantitë, gramatikën, kuptimin e emërave, raportet me gjuhët tjera, ose p.sh. se fjala më e gjatë lituaneze i ka 37 shkronja etj. Mirëpo, krenaria e tyre është e arsyeshme dhe rezultative, sepse sot gjuha lituaneze i ka tjekaluar rreziqet dhe zhvillohet e lulëzon në përdorimin e përditshëm. Dhe lituanezet jetojnë në harmoni, mirëqenje e mirëkuptim të plotë. Lingusti më i famshëm lituanez J.Jablonskis në një rast ka thënë: "Nuk ka asnjë nderë në të folurit e një gjuhe të huaj, por ka një turp të madh në mos njohjen e përkryer të gjuhës suaj"!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar