Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 30.03.2020 05:50
Menderes Ibra

​Ku banon e keqja?

Prishtinë | 20/01/2020 08:20

Shkruar nga: Menderes Ibra

"Ne mund të zgjedhim atë që duam të mbjellim, por jemi të detyruar të korrim atë që kemi mbjellë." (Urtësi e vjetër kineze)

1.

Janë më se të shpeshta pyetjet që njerëzit i bëjnë vetes, por edhe njëri-tjetrit: Nga vjen e keqja, dhe përse ekziston ajo? Si dhe në q’mënyrë e pllakos njeriun? Ku gjendet ajo, te të cilët individë, shoqëri apo kombe? Si ndërthuret ligësia me individët nopran?   Këto pyetje me siguri që nuk bëhen vetëm sa për të thënë, dhe as nga kurreshtja për t’i parë surratin së keqes, apo larg qoftë, për t’i bërë elozhe asaj. Bëhen nga nevoja imanente e njeriut për dije, për njohjen e vetëvetes, të shoqërisë, e mbi të gjitha për të vërtetën. Sepse, edhe kur duam e edhe kur luftojmë diçka, gjëja e parë që duhet është njohja e saj.

E keqja pa mëdyshje që është fluide, djallëzore dhe e paparashikuar. Ajo luan pamëshirshëm me sinqeritetin, naivitetin apo paditurinë e njerëzve, duke u maskuar shpesh me mjeshtëri dhe e duke fshehur fëtyrën e saj. Në tilla raste, dhe nën vellon e së mirës, e keqja bën kërdinë, sepse njeriu edhe nëse arrin ta njeh atë, kjo ndodhë aq vonë, dhe pas aq pasojash, sa që më thuajse nuk ndonjë efekt. Naiviteti njerezor dhe mendjelehtësia  nganjëherë nuk ka kufi duke u bërë lehtë pre e mashtrimit. Duke tërhequr vërejtjen rreth kësaj nobelisti J.Brodski në një rast ka thënë: “Ju kurrë nuk do ta shihni të keqen, duke kapërcyer pragun për të hyrë në shtëpinë tuaj dhe duke u prezantuar qetësisht para jush: Ju përshendes! Unë jam e keqja”!

2.

Si, dhe pse dështon njeriu që të pikasin dhe të njohin të keqen? Apo, si arrin e keqja që të maskohet duke mashtruar njerëzit? Pse vallë shthuret e turbullohet mendja, dhe gjërat shihen përciptazi e vagëllimthi? Mbase, pikërisht këtu edhe qëndron një nga shkaqet e mbijetesës së të  keqes. Mendja e errësuar e sfilitë arsyen, e cila pastaj bëhet skllave e veseve. Prandaj e keqja arrin që me fuqinë e saj të depërtojë edhe në skutat më të thella të karakterit të njeriut. Dhe më e rrezikshmja është se shpesh njerëzit as që e dijnë se ajo që po bëjnë është e keqe.

 Ka një libër interesant për tragjikën e Luftës së Dytë Botërore, ku ndër të tjera flitet edhe për një nga arkitektët kryesor të Rajhut të Tretë, udhëheqësin e rangut të lartë, dhe një nga bashkëpunëtorët e afërt të Adolf Hitlerit, Albert Speer. Ai i kishte mbijetuar Luftës së Dytë Botërore, dhe në gjyqin nga aleatët ishte dënuar, dhe kishte mbajtur burgun prej 25 vitesh për mëkatet e tij në Holokaust. Pasi që kishte mbajtur burgun, njëherë e kishin pyetur: Si është e mundur që ke punuar aq gjatë me Hitlerin, dhe nuk e ke kuptuar të keqen e madhe që vinte nga idetë dhe nga veprimet e tij? Përgjigjja e tij ishte befasuese dhe interesante: “Është shumë veshtirë të njohësh djallin kur duat e tij janë në supet tuaja”!

3.

Edhe përkundër fuqisë së saj, nuk mund të thuhet se të keqes nuk i dihet adresa. E keqja banon gjithnjë aty ku nuk zbatohen parimet fundamentale të histories së civilizimit të njerëzimit. Aty ku ka urrejtje, e nuk ka dashuri. Aty ku ka padrejtësi e nuk ka drejtësi. Ku ka hipokrizi e nuk ka sinqeritet. Ku ka injorancë e nuk ka dije. Ku ka vese dhe nuk ka virtyte. Ku ka intriga e jo fisnikëri. Ku ka gënjeshtra e nuk ka të vërteta. Aty ku ka pabesi e nuk ka integritet personal. Aty ku zilia, shpirtëligësia dhe shthurja ia zënë vendin karakterit dhe arsyes. Aty ku mendjemadhësia, mburrësia dhe arroganca e kanë shporrë thjeshtësinë, vetëpermbajtjen dhe përulësinë. Ku ka babëzi dhe lakmi të pangopur e zdërhallje, e nuk ka zemërgjerësi. Aty ku lajka bëhet shkallë për t’u ngjitur, dhe urë miqësie në raportet në mes njerëzve, e ku çiltërsia është object talljeje. Aty ku shtirja, shpirtëvogëlsia e interesat meskine personale e grupore i kanë zënë frymën interesit të përgjithshëm. Aty ku thashethemnaja ka ngritur perandorinë e vet, ku përtacia e punët boshe hedhin vallen, e papërgjegjësia ua mban ison. Aty ku thurja e lavdeve vetëvetes shkon deri në neveri. Aty ku ka qyqarllëk e nuk ka kurajo. Ku cinizmi e përbuzja bëhen rrugë të vetme komunikimi.

4.

E keqja shtrohet këmbekryq edhe aty ku njerëzit jetojnë në të kaluarën duke e glorifikuar atë,  duke mos e parë të tashmen e lëre më të ardhmen. Aty ku në vend   që të shiqohet  realiteti  futet koka në rërë si struci. E keqja shtrihet gjërë e gjatë edhe aty ku shiqohet vetëm interesi afateshkurtër, e braktiset ai afategjatë. Aty ku antivlera dominon vlerën.

Në të gjitha këto raste, e keqja banon duke krijuar qerdhen e saj, duke e mënjanuar tërësisht të mirën, duke rrëgjuar, rrezikuar dhe asgjësuar atë. Duke e stërfarur e zgërlaqur atë, derisa t’i rrëmbejë çdo gjë.  Që nga kohët e lashta mendimtarët të njohur e kishin përcaktuar të mirën si synimin parësor dhe gjënë më të lartë. Mësimet e përpjekjet e tyre kishin pasur qëllim që në shoqëri të dominoj e mira, si shteg drejt progresit. Ishin të vetëdijshëm se e keqja e lufton gjithmonë të mirën. Historitë e  civilizimeve njerëzore dëshmojnë katërcipërisht se kishin të drejtë: Ato shoqëri, kombe e shtete ku fitoi e mira u zhvilluan e prosperuan duke e bërë jetën e njeriut parajsë. Kurse ato në të cilat  e keqja triumfoi hynë në një çoroditje të thellë vicioze, amulli e plogështi të flashkët, degraduan, dhe bënë hapin fatal drejt honeve e humnerave të errëta e të pafundme, duke dërguar vetëveten pashmangshëm drejt ferrit të harresës, në kohë dhe hapësirë…

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar