Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 06:02
Menderes Ibra

​Liria dhe karakteri, ky binom kurrë i pandarë

Prishtinë | 01/08/2018 09:25

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Liria kërkon një dije të përgjithshme nga njerëzit, dhe përdorimi i dijes të shpërndarë te njerëzit është problem qendror teorik i tërë shkencave sociale.” F.Hayek

1.

Shpesherë ka një keqkuptim serioz për lirinë. Ajo mendohet si një stacion i largët, e i përhershëm,  ku mbërrihet pas një udhëtimi të gjatë, si një cak pas të cilës udhëtari i drobitur e rraskapitur nuk mund të bëj qoftë edhe një hap më tutje. Lëre, që edhe po të mundtte mendohet se nuk ka nevojë, sepse tashmë ka mbërri në cakun e synuar. Fundja, çfarë është ai stacion pas të cilit duhet të udhëtohet edhe më? Apo, qfarë është caku që pas vetes ka edhe një tjetër, e pas tij një të tretë, e kështu me rradhë! 
Kështu mendohet duke e thjeshtësuar tej mase të kuptuarit e lirisë, pasi që ajo as nuk është një stacion i përhershëm, as një cak njëherë i arritshëm, dhe as një strehë e sigurtë dhe e paprekshme nga rreziqet. Rruga drejt lirisë është një udhëtim i pandalshëm ku gëlojnë rreziqet dhe një përpjekje e përhershme. Është një proces progresi sfidues e shumë dimenzional. Dhe mbi të gjitha një binom kurrë i pandarë: Liria dhe karakteri.

Karakteri i njeriut, ky tipar e kjo veçori më e fuqishme se sa cilado pasuri materjale, se sa cilado diplomë apo gradë shkencore e arritur, se sa cilido nivel i dijes  të përfituar gjatë tërë jetës. Ekspertë botëror të psikologjisë thonë: “Nëse dëshironi të punësoni një punëtor duhet të keni parasysh tri gjëra: Karakterin (integritetin), inteligjencën dhe energjinë. Por, keni kujdes karakteri është faktori kryesor, sepse nëse dikush nuk e ka atë, atëherë dy kualitetet tjera të tij inteligjenca dhe energjia, jo që nuk do t’ju ndihmojnë, por do të ju vrasin”.

Njeriu me karakter të fortë dallohet me ndershmëri, përulësi, durim, përgjegjësi, vetë-disciplinë, kurajo, etja të pashuar për mësim e dije etj.

Mendimtarët kanë thënë me të drejtë se, “liria e vërtetë është produkt i një civilizimi të pjekur”. Pjekuria e një njeriu e rrjedhimisht edhe të një civilizimi arrihet nga njerëz të pjekur. Njerëz që kanë karakter, që kanë integritet personal dhe dinjitet. 
E vërteta e vjetër thotë që liria dhe virtyti duhet të qëndrojnë së bashku ose të bijnë së bashku.

2.

Aty ku njerëzit nuk kanë karakter  ka hipokrizi. Aty edhe mund të ketë të mira materjale, pasuri e gjëra lluksi me tepri, por nuk ka raporte të mirëfillta njerëzore. Aty mund të jetë edhe pasuria e botës, por nuk ka kënaqësi, nuk ka lumturi, sepse njerëzit nuk e respektojnë njëri-tjetrin. Edhe nëse ka respekt nuk ka dashuri. 

Hipokrizia kjo vello e pafytyrësisë dhe ligësisë rrënon majtas e djathtas, para dhe mbrapa, lartë dhe poshtë, duke krijuar një greminë të pafund theqafjeje. Aty rrezikohet dhe bile e  pëson edhe liria, ngase nga një ‘mall’ përë të gjithë ajo shndërrohet në ‘mall’ për disa. Dhe e tërë kjo bëhet përmes hipokrizisë së pashembullt: Jetojmë në liri, unë jam i lirë andaj edhe mund të bëj çka të dua. 

Në një rrëfim tregohet për një person në SHBA që po gjykohej pasi që kishte dhunuar një tjetër person, duke i thyer hundët me grushte. Arroganca e tij  u shpërfaq edhe në gjyq,  po ku ndeshi në drejtësinë dhe logjikën e hekurt të gjyqtarit. Ai mbrohej duke thënë se ishte qytetar i lirë dhe prandaj gëzonte lirinë per t’i levizur grushtet e veta ne çdo drejtim, ku ai dëshironte. Mirëpo gjyqtari i dha një mësim të mirë duke i thënë: Liria juaj për t’i lëvizur grushtet tuaja ka kufij. Këta ndoshta ndryshojnë ndonjëherë. Por hundët e bashkëqytetarëve tuaj ndodhen  gjithmonë jashtë këtyre kufijve. A do të mund të funksononte vallë liria dhe demokracia amerikane pa dijen dhe drejtësinë e gjyqeve, dhe pa aftësinë, përkushtimin e pasionin për ta mbrojtur atë me çdo kusht. Dhe pa karakterin e fortë të tyre. 

3.

Liria, pra është e pandashme nga karakteri, dhe kjo krijon binomin e pandarë. Kur prokurori Fitzgerald i Çikagos arrestoi guvernatorin Rod Bllagojeviç në vitin 2009 për shitje të mandatit të senatorit Obama (i zgjedhur tashmë president), tha se guvernatori e kishte nënçmuar e poshtëruar aq shumë Çikagon dhe tërë shtetin e Illinoisit sa ish-presidenti Abraham Linkoln do të rrotullohej në varr po ta dëgjonte këtë. Opinioni publik, shtypi, mediat, qytetarët, të gjithë e dinin se prokurori Fitzgerald thjesht po mbronte shtetin dhe të drejtën me atë veprim. Ata e dinin se ai po mbronte lirinë e tyre, lirinë e të gjithëve si gjënë më të shtrenjtë të përbashkët, dhe pavarësisht se nga kush sulmohej ajo. 

Gjenialiteti i Etërve Themelues të SHBA-së ishte shpërfaqur edhe në parashikimin e saktë të kërcnimeve të lirisë- duke përfshirë edhe ato nga brenda. Prandaj ata kishin përgaditur mekanizmat mbrojtës për lirinë përmes ndarjes, balancimit dhe kontrolleve të pushteteve. Në një mes plot dije, liria nuk mund të kërcnohej nga askush.

4.

Keqkuptimi i përmendur në fillim të këtij shkrimi nuk mbaron me aq. Ai thellohet edhe më, pasi e paramenduar si një stacion, njerëzit e mendojnë si një udhëtim të garantuar njëdrejtimësh, duke harruar se nga liria ka plot shtigje që dërgojnë edhe mbrapa a në drejtime tjera, mirëpo në të tilla raste  me vetëm një destinacion – humbëtirën. 
Historia e civilizimeve të njerëzimit tregon se gjithë kombet që arritën lirinë hynë në këtë vend magjik e tokë të premtuar në mënyrë të njejtë: Duke e paguar shtrenjtë, duke luftuar, derdhur djersë dhe gjak, duke kalitur virtytet, duke u zhvilluar e flakur tutje kërcejtë e egërsisë; kurse ata që dolën nga aty në mënyra e forma të ndryshme, gjithnjë duke rrënuar bazamentin  e saj, dhe pasi kishin braktisur virtytet e kishin rrëgjuar karakterin. 

Dhe vërtetë, historia, kjo mësueses e ashpër por e vyer e jetës, dëshmon katërcipërisht se brenda gjirit të mbamendjes  së saj të pesë mijë viteve të fundit, nuk ka njerëz e popuj që arritën të mbajnë lirinë pasi që më parë humbën karakterin e tyre! Ata që humbën karakterin këtë zmalt të kohezionit e shoqërisë së lirë, humbën edhe lirinë e tyre.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar