Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 07:18
Menderes Ibra

​Liria pozitive dhe negative

Prishtinë | 12/02/2019 07:43

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Liria nuk është diçka që mund t’i jipet kujtdo. Liria është diçka që njerëzit e marrin, dhe prandaj njerëzit janë aq të lire, sa duan të jenë”. (J.Baldwin)

1.

Reagimet që dëgjojmë shpesh për akcilën ngjarje tronditëse në shoqëri (sikurse p.sh. kjo e fundit në komunën e Drenasit), fillimisht janë një përzierje pezmi, dhimbje dhe dëshpërimi. Ky reaksion emocional zakonisht përfundon me qudinë shtanguese dhe pyetjen: Po si është e mundur vallë, që kjo të ndodhë në liri? Po, ne tashmë jemi të lirë! Eshtë kaq e pabesueshme etj. Por, kjo qasje para se të jetë racionale është më shumë emocionale, është më shumë reaktive se sa proaktive, njejtë, sikurse reagimi zemërak, i pakontrolluar e instinktiv pasi që të të ketë pickuar gjarpëri. Ti edhe mund ta goditësh a plandosësh atë për toke, por sa para vlen kjo, pasi tashmë ai të ka plagosur dhe helmatisur, dhe duket sikur të thotë me qësendi, epo ku i kishe mendtë më parë? 

Në këtë mënyrë padashtas bëhet një eskivazh serioz nga  përballja, dhe edhe nga zgjidhja e problemit. Sepse, kështu ngatërrohen pasojat me simptomet. E edhe mjeku më i mirë në botë, edhe terapia më e përsosur nuk mund të shëroj plagën e fshehur. Të ekspozosh dobësinë nuk është dobësi, sepse të kuptuarit e gjërave në çaste të rënda është liri, është hapi vendimtar drejt zgjidhjes së problemeve.

2.

Shpesherë liria mendohet si një stacion i largët,  ku mbërrihet pas një udhëtimi të gjatë, të lodhshëm e  rraskapitës. Dhe në të cilin çdo gjë shkon si më së miri. Dhe kur nga njerëzit nuk kërkohet më kurrfarë angazhimi, pasi që liria i rregullon vetë gjërat. Kështu mendohet duke e thjeshtësuar të kuptuarit e lirisë, pasi që ajo në fakt, as nuk është një stacion i përhershëm, as një cak njëherë i arritshëm, dhe as një strehë e sigurtë dhe e paprekshme nga rreziqet e vështërsitë. Rruga drejt lirisë është një udhëtim i pandalshëm ku gëlojnë rreziqet dhe sfidat. Dhe ku në fund të fundit vullneti i njeriut është ai që përcakton se cila është sasia e lirisë që do të merr. Dhe sidomos, se a do t’i pëlqejë liria, a do ta dojë atë, a do ta çmojë? A do të qëndrojë aty, apo do të rrugëtojë prapa apo në drejtime tjera. E, mirëfilli dihet se secili vend jashtë lirisë është jo-liri.

E.Fromm,  psikologu, sociologu dhe filozofi i njohur gjerman, në njërën nga librat më të njohur të tij “Arratisja nga liria” (verzioni anglisht Frika nga liria), krijoi nocionin,  se liria është një forcë magnetike – me dy pole, ku  njëri pol, na detyron të arratisemi në të, e që ai e quan liri pozitive; kurse poli tjetër, na nxit të ikim prej saj, e që është një manifestim i lirisë negative. Dhe vazhdon më tutje me pyetjen: A nuk ka, ndoshta, përveç një dëshire të lindur të njeriut për liri, po ashtu edhe një dëshirë instinktive për nënshtrim?

3.

Po, çka është vallë ajo që shtyn njeriun të ikë nga liria? Çka e nxitë të manifestoj lirinë negative? Pse veprimet e tij nganjëherë janë më monstruoze se sa ato në robëri? Pse rrënohet liria e të tjerëve aq lehtas? A mos është vallë liria barrë e papërballueshme për disa? Lidhur me këtë From thotë: “Vështirësia vendimtare me të cilën ballafaqohemi qëndron në faktin se zhvillimi i kapaciteteve intelektuale të njeriut ka tejkaluar shumë zhvillimin e nivelit të emocioneve të tij.” Për të vazhduar më tutje: “Truri i njeriut jeton në shekullin e njëzet, kurse zemra e shumicës së njerëzve jeton ende në Kohën e Gurit. Ne nuk mund të shpresojmë që të tejkalojmë shpejt shumicën e marrëzive dhe budallallëqeve të zemrës dhe ndikimin e tyre shkatërrues në imagjinaten e njeriut”. Për të vazhduar më tej:

“Preferencat më të bukura dhe prirjet më të shëmtuara të njeriut nuk janë pjesë e një natyre fikse njerëzore biologjike, por rezultojnë nga procesi shoqëror që e krijon njeriun. Me fjalë të tjera, shoqëria nuk ka vetëm një funksion shtypës – (megjithëse e ka edhe atë), por ka gjithashtu edhe një funksion krijues. Natyra e njeriut, pasionet dhe ankthet e traumat e tij janë produkt kulturor; në të vërtetë, njeriu vetë është krijimi dhe arritja më e rëndësishme e përpjekjes së vazhdueshme njerëzore, të cilin e quajmë histori.”

Dhe për këtë arsye kur flasim e debatojmë për këto dukuri në shoqëri, do të duhej parë ato në tërë kompleksivitetin e tyre, në mënyrë rrënjësore, dhe jo përciptazi, thjeshtë e vetëm në një dimension. Jo vetëm nga pasojat e konsekuencat e tyre, por edhe nga shkaqet. Jo vetëm nga prognozat por edhe nga diagnozat e tyre Do të duhej pare ato p.sh. nga dimenzioni i sistemit të edukimit e arsimit në shoqëri, dhe se pse p.sh. sindikatat e arsimit aq sa luftojnë për rritjen e pagave po aq kundërshtojnë vlerësimin e performances së mësimdhënësve. Ose mënyrat e menaxhimit të punës në mekanizmat, organet e institucionet, ku mungon vlerësimi adekuat i performances dhe nuk përfillet sistemi i menaxhimit të cilësisë totale. Gjithandej në botë këto janë instrumente me vlerë të menaxhmentit, të cilat doemos sigurojnë rezultate, efikasitet dhe efektivitet në punë, që ngrisin përgjegjësinë dhe ofrojnë funksionim efektiv të sistemeve.

4.

Liria, nganjeherë mendohet si një udhëtim njëdrejtimësh, dhe nje cak permanent, duke harruar se nga aty ka shtigje që dërgojnë edhe mbrapa, apo në drejtime tjera, mirëpo me vetëm një destinacion – humbëtirën.

Historia e  njerëzimit tregon se gjithë kombet që arritën lirinë, hynë në këtë tokë të premtuar në mënyrë të njejtë: Duke e paguar shtrenjtë, duke luftuar, duke derdhur djersë dhe gjak, duke kalitur virtytet, vlerat, dinjitetin dhe integritetin njerëzor, dhe duke  flakur tutje veset e dukuritë negative.

Historia, kjo mësusese e ashpër por e vyer e jetës, dëshmon katërcipërisht se brenda gjirit të mbamendjes  së saj të mijëra viteve të fundit, nuk ka njerëz e popuj që arritën të mbajnë lirinë pasi që më parë humbën karakterin e tyre! Ata që humbën karakterin këtë zmalt të kohezionit e shoqërisë së lirë, humbën edhe lirinë e tyre.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar