Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 07:27
Menderes Ibra

​Lufta për investimet e huaja direkte

Prishtinë | 21/05/2018 16:44

Shkruar nga: Menderes Ibra

1. Para ca ditësh Presidenti turk Erdogan në kuadër të vizitës zyrtare Britanisë së Madhe dhe takimeve në nivelin më të lartë, mori pjesë edhe në Forumin Turko-Britanik të Biznesit (të shtatin me radhë).

Në delegacion kishte zyrtarët më të lartë ekonomik të shtetit. Ai takoi udhëheqësit e kompanive më të mëdha britanike dhe i ftoi ata për investime në Turqi. Edhe pse volumi tregtar midis dy vendeve tashmë ka arritur mbi 16 miliardë $, synohet që ai të rritet në 20 miliardë $. Dhe ajo çka bie në sy është përpjekja e Turqisë, që edhe në nivelin më të lartë shtetëror të ftoj bizneset britanike për investime të mëtutjeshme në Turqi. Dihet trendi i lartë i rritjes e zhvillimit ekonomik veçanërisht viteve të fundit në Turqi, si dhe fuqia e saj ekonomike dhe progresi që është duke e shënuar në shumë sfera, mirëpo pavarësisht kësaj shembulli i lartpërmendur tregon për qasjen dinamike dhe proaktive të shtetit turk në ekonomi përfshirë edhe nivelet më të larta. 

Nëse edhe presidenti i një shteti sikurse Turqia i fton drejtpërsëdrejti investitorët e huaj, atëherë është e qartë se sot në gjithë vendet e botës ka jo vetëm një konkurrencë të ashpër, por lirisht mund të thuhet edhe një lloj lufte të pakompromis  për tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Në këtë, sikurse edhe në çdo lloj lufe do të fitoj më i miri e më i përgatituri, sepse nuk është lehtë që të binden investitorët të investojnë kapitalin e tyre. Ata zakonisht çmohen si njerëz të aftë e kompetentë, dhe që në mënyrë pothuajse të pagabuar  gjithmonë zgjedhin alternativat më të mira.

2.
Në këtë kontekst, zhvillime të shumta ndodhin në mes dy polesh të kundërta, por që dëshpërimsht megjithatë kërkojnë njëra tjetrën: Investitorët që kanë paratë dhe shtetet që i kërkojnë ato. Sidoqoftë, të gjithë kanë nevojë për para, andaj investitorët kanë mundësi që të zgjedhin kujdesshëm ose edhe të vën kushte. Cilat janë kushtet që kërkojnë dhe cilat janë shtetet që më së tepërmi tërheqin investimet e huaja direkte? Sipas vlerësimeve të organizatave profesionale të fushës, viteve të fundit investitorët janë duke u fokusuar gjithnjë e më tepër në kualitetin e qeverisjes dhe faktorët rregullativ. Kjo nënkupton përmirësimin e sigurisë operacionale për bizneset, reformimin e rregullativës ligjore, krijimin e mekanizmave efektivë të zgjedhjes së mosmarrveshjve, pastaj uljen e normave tatimore për korporatat etj. 

Në këtë drejtim shtetet që synojnë të tërheqin sa më shumë investitorë dhe me qëllim  të rritjes së aftësisë së tyre konkurruese duhet të përqendrohen në çështjet e sipërpërmendura dhe përmirësimin e vazhdueshëm të tyre.  Në fakt, mjafton edhe një vëzhgim i përciptë i situatës në shtete të ndryshme të botës, për të vërejtur se përpjekjet kryesore të institucioneve konsistojnë pikërisht në punën në këto aspekte. Dhe, këto dhe faktorët tjerë specifikë janë determinuesit kryesorë që përcaktojnë se cili shtet apo komb arrin të tërheq më shumë investitor se sa tjetri. Rëndësia e investimeve të huaja direkte (IHD) si burime financiare investimesh në e pambuluara nga buxheti nacional, përveç se bëhen pjesë e ekonomisë, përdoren edhe si indikatorë të rëndësishëm për të treguar shëndetin e ekonomisë së një vendi. Ndaj, pavarësisht kompleksitetit të llogaritjes (për shkak të ndërveprimit të shumë faktorëve, dhe përllogaritjes të një numri të madh variablash), statistikat globale shpesh ofrojnë të dhëna se cilat janë shtetet më të suksesshme në këtë drejtim.

3.

Duke marrë për bazë faktorë të lartpërmendurendur, Global Finance këto ditë përgatiti një rangim të njëzet top shteteve më të suksesshme bazuar në indeksin e IHD (për vitin 2017), një algoritmi  që kombinon masat historike të performancës së IHD me masat progresive për tërheqjen e IHD-ve. Këtë grup të shteteve më të suksesshme për tërheqjen e investimeve, dhe që quhen edhe superyjet e kryeson Britania e Madhe, duke  pasuar në renditje: Singapori, Holanda, Irlanda, Australia, Luksemburgu, Portugalia, Qipro, Azerbajxhani, Gana, Hong Kongu, Suedia, SHBA, Malajzia, Panama, Mozambiku, Belgjika, Shqipëria, Vietnami dhe Italia.

Duhet potencuar si arritje të veçantë dhe në konkurrencë të ashpër renditjen e Shqipërisë në vendin  e 18-të.

Britania e Madhe është e para në këtë tabelë, duke iu falenderuar historisë së gjatë të kombit britanik si akter i tregtisë globale dhe si një qendër financiare e zhvilluar dhe shumë konkurruese, elemente këto që rrisin besueshmërinë e investitorëve. Në këso rrethanash Britania e Madhe edhe përkundër faktit që ka ekonomi shumë më të vogël se sa SHBA, megjithatë proporcionalisht i bie të ketë pasur nivel më të lartë të IHD-ve.

4.

Është interesante që  të analizohen shtetet  që arrijnë të përfitojnë shumën më të madhe të IHD-ve. Sipas të dhënave të Bankës Botërore të publikuara tash së voni, e që përfshijnë vitin 2016, njëzet top shtetet që tërhoqën më së shumti IHD janë:

Nr. Shteti Shuma, në miliardë $
1. SHBA 391.1
2. Britania e Madhe 253.8
3. Kina 133.7
4. Kina, Hong Kong 108.1
5. Holanda 91.9
6. Singapori 61.5
7. Ishujt Virgjin Britanik 59.1
8. Brazili 58.6
9. Australia 48.1
10. Ishujt Kajman 44.9
11. India 44.4
12. Rusia 37.6
13. Kanada 33.7
14. Belgjika 33.1
15. Italia 28.9
16. Franca 29.3
17. Luksemburgu 26.8
18. Meksiko 26.7
19. Irlanda 22.3
20. Suedia 19.5

IHD edhe për shtetet e mëdha janë po aq të rëndësishme sikurse për shtetet e  vogla dhe në zhvillim, andaj edhe rrjedha e tyre në këtë drejtim është e pandalshme. Kjo vërtetohet edhe nga analiza e tërheqjes kumulative të IHD për periudhën 10 vjeqare (2007-16). Edhe këtu prin SHBA me 2.4 trilion $, pastaj Kina me 1.1 trilion, Britania e Madhe me 897.8 miliardë $, Hong Kongu me 879.3 miliardë, Brazili me 610.6 miliardë $ etj. Renditjen në këtë tabelë e mbyllë Luksemburgu me 238.4 miliardë $.

5.

Në analizën  e nivelit të IHD dhe rrjedhës së tyre në shtetet anë e mbanë botës, megjithatë duhet pasur parasysh edhe elementet tjera, të cilat nuk kufizohen vetëm në madhësinë e ekonomisë, atë gjeografike apo ndonjë indicator tjetër të veçantë. Për të pasur pasqyrë më të kompletuar rreth rrjedhave të IHD-ve, duhet marrë në konsideratë edhe analizën e detajuar të pjesëmarrjes së secilit shtet në totalin e IHD për tërë botën në raport me pjesëmarrjen e tij të BPV në BPV totale botërore. Në këtë mënyrë mund të fitohet një pasqyrë e saktë rreth nivelit të IHD-ve në çdo shtet dhe krahasimet me shtetet tjera, e me këtë edhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik. Të dhënat  e tilla u shërbejnë politikëbërësve dhe planifikuesve e hartuesve të dokumenteve zhvillimore afatgjata.

Nën kushtet e globalizmit dhe dinamikës së tashme të zhvillimit secili shtet në botë përpiqet që të bëhet sa më atraktiv dhe joshës për tërheqjen e IHD, duke përdorur të gjitha mjetet dhe resurset që ka në dispozicion për të krijuar avantazhin ndaj të tjerëve. Historia, resurset natyrore apo pozicioni gjeografik janë faktorë që në masë të madhe ndikojnë në fatet e popujve, mirëpo megjithatë ajo që ka rol vendimtar në zhvillim është aftësia për të t’i përdorur ato me mençuri dhe për të nxjerrë më të mirën e mundshme nga to duke i vënë suksesshëm në funksion të progresit të përgjithshëm.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar