Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 06:33
Menderes Ibra

​Për pagat, kënaqësinë dhe pakënaqësinë

Prishtinë | 15/03/2018 07:59

Shkruar nga: Menderes Ibra

1. Pas një stërzgjatje të diskutimeve në opinion debati për pagat u bart edhe në parlament, si çështje që për kohë të gjatë po zhvendosë vëmendjen nga problemet reale të vendit.

U tha se ata që marrin paga publike nuk janë të kënaqur me lartësinë e tyre,  e po kërcënojnë me greva. U tha, se ka një laramani të madhe pagash që nuk përkon me nivelin e përgjegjësive. U tha, po ashtu se shteti nuk ka një ligj që përfundimisht rregullon procedurat, nivelet dhe mënyrën e pagesës së punëtorëve të vet. Ishte mese normale që të prisje që të zgjedhurit e popullit në organin më të lartë ligjvënës të shtetit të zgjidhnin këtë problem, sepse më lartë se këtu nuk kishte ku të shkonte. Dhe kjo gjë mund të bëhej fare lehtë, edhe nga vetë deputetët, përmes përgatitjes së një projektligji (sipas rregullores 6 deputetë mund ta bëjnë këtë) që njëherë e përgjithmonë  të zgjidhte këtë çështje, ashtu siç është zgjidhur gjithandej në botë. Ku do të përcaktohej niveli i pagave që nga më e larta deri te më e ulëta, raporti në mes të pagës më të ultë e më të lartë, dhe ku pagat do të ishin në bazë të nivelit të përgjegjësisë. Nëse deputetët do të kishin vështirë ta bënin këtë nga e para, do të mund të merrnin një model nga cilido shtet (ta zëmë nga Shqipëria) dhe të adaptohej. Dhe nëse të zgjedhurit e popullit do të donin ta fashisnin menjëherë këtë problem, do të mund të bënin anashkalim të rregullores të punës dhe ta miratonin atë me procedurë urgjente. Dhe shteti do të kishte ligjin që nuk e ka, dhe nuk do ti kishte problemet që i ka. 

Por nuk ndodhi kjo, sepse i tërë debati shumë orësh u tëhollua e u bë tërkuzë vetëm në një dimension, paga e kujt është më e lartë, apo e kujt më e ultë, si të rriten ato, kush në sa vende punon etj? Nuk u diskutua për rezultatet e punës, nivelin e performancës, përgjegjësinë, shkallën e motivimit etj. Nuk u pyet se cila është pesha e faturës financiare që populli paguan për pagat e sektorit publik. E tërë puna u zgërlaq vetëm në një gjë, u shndërrua vetëm në një qëllim – paga. 

2.
F. Herzberg, psikolog i njohur amerikan  si dhe ekspert i menaxhmentit dhe teorisë së motivimit u bë i famshëm me studimin e ndikimit të pagës në motivim dhe performancë. Rreth 70 vite më parë ai krijoi sistemin  që edhe sot e kësaj dite përdoret në botën e zhvilluar për faktorët që ndikojnë në pagë. 

Ai punoj për të dhënë përgjigje në pyetjet kruciale: Çka e motivon një njeri të punojë? Cila është kënaqësia e njeriut në punë? Dhe synonte të sqaronte një dilemë tjetër: Çka në të vërtetë kërkojnë, çka dëshirojnë njerëzit nga puna e tyre? Çka presin nga ajo? Cilët faktorë e shkaktojnë kënaqësinë apo pakënaqësinë e punëtorëve?

Ai konstatoj se ka një grup faktorësh që ndikojnë në kënaqësinë e të punësuarave: (Arritshmëria, vlerësimi, përgjegjësia, puna, përparimi në karrierë), dhe   faktorët që ndikojnë në pakënaqësinë e punëtorëve: (Politikat e organizatës, mbikëqyrja e raportet me mbikëqyrësit, kushtet  e punës dhe paga). Kështu ai konstatoi një të vërtetë interesante dhe që deri atëherë nuk ishte përmendur: Kënaqësia dhe paknaqësia në punë nuk ishin të kundërta me njëra tjetrën! E kundërta e kënaqësisë në punë ishte Jo kënaqësia, kurse e kundërta e pakënaqësinë ishte jo pakënaqësia. Nga kjo rrjedh se kur eliminohen shkaqet e paknaqësisë nuk krijohet doemos kënaqësi. Po ashtu nëse shtohen faktorët e kënaqësisë nuk do të eliminohet pakënaqësia. Prandaj, nëse synohet eliminimi i pakënaqësinë duke rritur pagat pagat, do të arrihet një gjendje paqeje, por nuk do të rriten as motivimi e as performanca. 

Sipas Herzbergut karakteristikat që lidhen me pakënaqësinë në punë quhen faktorët higjenik. Edhe kur këta faktorë trajtohen dhe përmbushen në mënyrën më të mirë, punëtorët as nuk do të jenë të kënaqur, por as  të pa kënaqur. E kjo do të thotë që nuk do të jenë të motivuar. Dhe mjerë ajo organizatë që ka punëtorë të pa motivuar. Aty mund të ketë gjithçka por jo rezultate.

Në kontekstin e pagave ky është thelbi i çështjes dhe jo rritja e tyre. Se cili është motivimi i të punësuarëve në administratën tone publike sot e dihet, pasi që çdo ditë e shohim, ndjejmë dhe prekim atë. E sidomos rezultatet e saj. Fundja për këtë mund të bindemi edhe me performancën e deputetëve tanë, që edhe pse më të paguarit krahasuar me gjithë vendet fqinje dhe më gjerë, megjithatë në sferën e performancës lënë shumë për të dëshiruar. 

3.
Nuk po diskutohet as për raportin në mes pagave dhe shtet ndërtimit. Sepse ndërtimi i shtetit është mision që nuk mbështetet vetëm në pagë, por edhe në idealizëm. Jo vetëm të marrësh por edhe të japësh, dhe për më tepër të japësh më shumë se sa që merr nga populli. Dhe vërtetë, sa ka sot idealizëm në jetën dhe punën tonë? A mundet që i vetmi synim të jetë paga dhe të anashkalohet kontributi, puna e dobishme? Dhjetë vite pas pavarësisë është kohë e shkurtër dhe shumë punë janë të papërfunduara e që në vend të makutërisë për paranë publike kërkojnë sakrificë të secilit. Le të shikojmë përvojat nga shtetet tjera. Gjermanët, p.sh. pas luftës së dytë botërore për vite me radhë  morën paga uniforme nga 20 marka për të gjithë pavarësisht pozitës a rangut, pasi që kishin synim të rindërtonin shtetin dhe buxhetin ta orientonin në prioritetet kombëtare.

Prandaj, pyetja se a janë të kënaqur punëtorët tanë të administratës publike me pagat që ky shtet iu jep, mundet të merr përgjigjen përmes kundër pyetjes: A janë të kënaqur tatimpaguesit dhe shtetasit tanë me rezultatet e punës së tyre?

 Secila qasje që pretendon të ngritë performancën e të punësuarve, apo të pengojë dukuritë e ndryshme negative vetëm përmes rritjes së pagave, jo vetëm që është jo produktive por madje edhe ‘inovacion’  në sferën e menaxhimit të resurseve njerëzore.

4.
Në një rrëfim nga thesari ynë popullor,  tregohet për plakun e urtë që kishte vendosur të ndërtonte një kullë dhe ishte në kërkim të mjeshtrit kryesor. Kullë të mirë pa mjeshtër të mirë nuk mund të ndërtohet, andaj ai doli në shesh që përmes ca pyetjeve t’i provonte punëkërkuesit. 

“Çfarë di të bësh ti”, e pyeti të parin.  “Punëtor jam, bëj çdo punë dhe duhet të më paguash kaq para në ditë”, u përgjigj ai. Plaku vazhdoi tutje te tjetri me pyetjen e njëjtë. “Unë jam latues e murator  shumë i aftë, dhe ju kërkoj kaq para”, u përgjigj ai . “Po ti, iu drejtua plaku një tjetri, çfarë di të bësh ti”? “Unë ndërtoj  kulla”, u përgjigj ai, pa përmendur as pagë e as kurrfarë kërkese tjetër!

Plaku i urtë e pikasi  menjëherë tek ai dashurinë, përkushtimin dhe kënaqësinë  që i jipte atij puna për ndërtimin e kullës, dhe e zgjodhi për mjeshtrin kryesor. 

Sepse kullën do ta ndërtojë  më së miri, jo ai që ka në mendje vetëm pagën, por ai që e përjeton punën, kënaqet me të dhe vlerësohet. Ai që jeton për punën!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar