Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 05:56
Menderes Ibra

​Pesha e vendimmarrjes

Prishtinë | 26/12/2018 08:06

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Se vetëm cmira kënaqet me një fitore të rastit dhe me një sukses të lehtë, dhe asgjë nuk e lartëson aq shpirtin e njeriut sa përleshja me forcat e egra e vështërsitë…” (S.Cvajg)

1.

Gjithmonë ka pasur një kurthë rrënuese në procesin e vendimmarrjes, dhe e cila pamëshirshëm u ka vënë krusmën vendimmarrësve: Dështimi për të kuptuar dhe njohur një vendim në tërësinë e tij. Pra, jo vetëm se a është ai i mirë, por edhe se a është i marrur mirë. Asesi nuk mjafton që një vendim vetëm të jetë i mirë, por ai edhe duhet që të jetë i marrur mirë. Dhe, ashtu si nuk mund të kesh një mollë të tërë në dorë pasi të kesh ngënë gjysmën e saj, poashtu nuk mund të kesh një vendim të duhur po të mos kesh këto dy pjesë të tij së bashku.

Shi për këtë, gjatë tërë historisë së njerëzimit pa nda është punuar që ky proces dhe ata që i marrin vendimet të jenë të pajisur me dije supreme, të jenë pa xanxa, të njohin teknikat dhe mënyrat e vendimmarrjes, të kenë informacione dhe menquri, për të parë më larg, më shumë dhe më mirë se të tjerët, sepse fundja kjo është puna e tyre: Të marrin vendime. Të llogarisin saktësisht pasojat, të ofrojnë zgjidhjen më të mire. por edhe të marrin përgjegjësi. E në tërë këtë proces, dija është ‘energjenti’ i domosdoshëm dhe faktori kryesor, si të gjendet së pari dhe  si të transmetohet e përdoret aty ku merren vendimet.

Cila është rruga e dijes deri te vendimmarrësit? Kush janë vektorët transmetues, dhe pse ndodhë që ndonjëherë të sillen vendime pa mbështetje në dije, apo e kundërta  kur burimet e dijes nuk e gjejnë rrugën deri te vendimmarrësit? Kombet e përparuara me kohë iu kanë dhënë përgjigje pyetjeve të tilla, duke krijuar saktësisht shtigjet drejt vendimeve të mira.

2.

Cili është mekanizmi i vendim-marrjes në një vend, i cili gjendet në situatë dramatike?

Historia njerëzore është plot me shembuj kur shtete e kombe kanë kaluar nëpër situata të vështira, asosh ‘të jesh apo mos të jesh’, kur duhet marrë vendime që prekin jetën e gjeneratave të tëra, dhe brenda nje kohe tejet te kufizuar, në atë që quhet ‘sekondë  historike’.

Vendimmarresit në këso raste janë në pozitë të vështirë e sfilitëse, mirepo kjo nuk duhet t’i stepë ata, dhe as t’i tmerrojë, sepse duhet të përdorin armën e fortë të dijes e menqurisë duke e gjetur atë ku është e s’është, duke e organizuar atë dhe duke marrë vetë përgjegjësinë. Vlerat dhe virtytet e liderëve duhet të vijnë në shprehje pikërisht në momente të tilla, sepse siç do të thoshte Presidenti i SHBA-ve R. Regan: ‘Eshtë puna ime, puna e një lideri që të marr vendime të vështira, për këtë jam zgjedhur’.

3.

Gjatë procesit të vendimmarrjes gjithnjë ka rrezik që të pranohet zgjidhja e cila është e pranueshme për momentin, e jo optimalja apo idealja. Dhe zgjidhja e momentale e një problemi është e para që njeriut i bie ndërmend, e si më e shpejta ajo edhe kërkon më së paku energji. Ato optimale dhe ideale ndodhen shumë më larg, kërkojnë më shumë kohë e energji e edhe analiza më të thukta, me shumë punë, mund e djersë.

Vendimet e mëdha janë ato pika kthese që bëjnë dallimin në mes dy botërave krejtësisht të ndryshme; në mes suksesit dhe dështimit, në mes progresit dhe regresit, në mes dritës dhe errësirës. Dhe veçanërisht në mes të pasojave që do të zgjasin shumë, tepër shumë për të përmirësuar atë që bëhet gabim, apo madje edhe pamundësisë për ta përmirësuar fare atë.

Varësisht se si do të menaxhojnë ‘sekondën kritike’ të një vendimi, atëherë kur gjithëçka është e mjegullt e asgjë e kjartë, kur ka përpara dhjetëra alternativa e qindra pyetje për t’u përgjigjur,  se ‘çka do të bëhet nëse veproj kështu’, ose ‘ çka nëse bëj të kundërtën’, vendimmarrësit ndahen në dy taborre të mëdha; të suksesshëm dhe të pasuksesshëm. Të tillë që shtrojnë rrugën për në parajsë apo për në ferr, të tillë që veprojnë arsyeshëm e me maturi apo me emocione e nguti, të tillë që nuk i lënë asgjë rastit apo që reagojnë ad-hoc e aty për aty.

 Të suksesshmit janë proaktiv dhe energjinë e shpenzojnë para marrjes së vendimeve duke llogaritur gjithëçka deri në imtësi me gjakftohtësi, duke u koncentruar me tërë fuqinë në të tashmen, e në këtë mënyrë duke punuar për të ardhmen.

Të pasuksesshmit janë reaktiv dhe shpenzojnë energji enorme pas dështimit, duke u kthyer në të kaluarën, duke u arsyetuar se pse ndodhi ashtu, duke kërkuar fajtorët gjithkund tjetër perveç se te vetëvetja, duke vajtuar pasojat, duke ndërtuar teori konspirative të llojeve të ndryshme, duke thurur elozhe per kundershtarin etj.

Askush nuk mund të mohojë nevojën për dije të mirëfilltë në procesin e vendimmarrjes.  Të gjithë thonë se dija është e domosdoshme, dhe se po e përdorin atë. Por ketu varet se kush çka saktësisht nënkupton me dije, dhe se si e definon atë. Ka gjithmonë dy grupe njerëzish: ata që e përdorin dijen e vërtetë  në plotëkuptimin e fjalës dhe ata që pretendojnë për këtë, deklarativisht dhe vetëm sa përë të thënë. Dallimi në mes tyre është kolosal: Argumenti i të parëve është suksesi, kurse i të dytëve justifikimi i pafund për dështimet,”art” ky të cilin e zhvillojnë deri në  pafundësi.

4.

Në fund të fundit çdo gjë varet nga liderët  vendimmarrës, ata që duhet të ‘prejnë’ nyjen e Gordit, ata që duhet të ‘kalojnë Rubikonin’ në momentin e caktuar, ata që do të bartin barrën e peshës së vendimeve. Dhe, kur ata në vetëvete kanë të mbruajtur vizionin, dijen dhe urtësinë aq të nevojshme për  vendime të tilla, e që lidershipin nuk e kuptojnë si kurorë lavdie, por si përgjejgësi për të udhëhequr suksesshëm dhe ndershëm të tjerët, ata që kanë menqurinë për të dalluar interesat afatshkurtër nga ata afatgjatë, duke parë larg, atëherë kjo quhet ‘fati i mirë’ për ata popuj e shtete. Për këto arsye në lidership i kushtohet kujdes parimit  se:  ‘lider është  ai i cili i udhëheqë njerëzit atje ku ata dëshirojnë të shkojnë, kurse lider i mirëfillte është ai i cili i udhëheqë njerzit atje ku ata duhet të jenë’!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar