Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Diel, 12.07.2020 05:53
Menderes Ibra

​Si dështojmë të komunikojmë?

Prishtinë | 17/09/2018 08:28

Shkruar nga: Menderes Ibra

“Problemi i vetëm dhe më i madh në komunikim është iluzioni se ai ka ndodhur”. G.B.Shaw

1.

Disa organizime debatesh, tryezash të rrumbullakëta e takimesh të ndryshme që mbahen aty-këtu, duken mu sikurse monedhat një centëshe: Më e lartë është kostoja e përgatitjes se sa vlera e tyre. Kjo diskrepancë bëhet akoma më e theksuar kur diçka pretendon të fillon si dialog, e përfundon si monolog. Mirëpo, pse ndodhë kështu? Pse, dhe si rrëgjohet komunikimi deri në këtë nivel? Përse, në vend të rrugës normale dykahëshe, ku dy palët japin e marrin aktivisht me njëri tjetrin, krijohet rrugë njëkahëshe ku njëra palë duhet vetëm që të jep dhe tjetra vetëm që të merr! Njëra vetëm të flas dhe tjetra vetëm të dëgjoj! 

Në këso evenimentesh, pavarësisht ftesës pompoze për debat e rrahje të hapur mendimesh, ndodhë që organizatori, moderatori apo ai që ka fjalën kryesore t’ua ndërpret fjalën pjesëmarrësve, t’ua kufizojë, të mos ua japë fare atë, apo madje të ushtrojë edhe arrogancë e përçmim të caktuar. Kështu, dikund ku sypozohet që të ndodhë një proces komunikimi, ndodhë surrogati i tij, ose bile edhe e kundërta e tij moskomunikimi! 

2.

Të llogaritësh dëmet që një shoqëri pëson nga moskomunikimi e keqkomunikimi. është pothuajse njejtë si të llogaritësh dëmet e një tërmeti apo uragani. Është shumë  vështirë e  bile e pamundur që të mos i shohësh e t’i injorosh. Ato shtrihen gjithëkah, gjërë e gjatë, dëmsjellëse e kokëforta, bile edhe aty ku s’ta pret mendja fare. Ato janë vetëshpjeguese. Nëse ka një shteg të mirëfilltë dhe të sigurtë, një emërues të përbashkët drejt progresit, ai është pikërisht shtegu i komunikimit, andaj sa më shumë që përparon njerëzimi, aq më shumë  rritet nevoja për komunikim. Ose, sa më shumë që rritet komunikimi në mes njerëzve aq më shumë  rritet edhe progresi. 

Sepse komunikimi nënkupton një marrdhënie korrekte në mes folësit dhe dëgjuesit. Një ndërveprim kualitativ ku fjalët reciprokisht e transformojnë jo vetëm dëgjuesin por edhe vetë folësin. Nënkupton një respekt e mbi të gjitha një besim të ndërsjellë. Nënkupton që as folësi dhe as dëgjuesi nuk pretendojnë se e zotërojnë të vërtetën, dhe nuk kanë pronësi mbi të. Nënkupton një proces të shtruar, ku mbizotëron jo argumenti i forces, por forca e argumentit. Nënkupton një fuqi për të dëgjuar, dhe një vullnet për të pranuar edhe të kundërtën e asaj që mendojmë. Nënkupton frenimin e domosdosë vetëm për të folur dhe zgjerimin e gatishmërisë edhe për të dëgjuar, aftësisë për të rishikuar e reviduar qëndrimet personale.

Kur nuk ka komunikim atëherë ka keqkuptim e konfuzion, cimentim qëndrimesh, bllokim e barikadim kokëfortë në vend të bashkëbisedimit. Kur nuk ka komunikim njerëzit hyjnë në qerthuj problemesh të frikshme e vorbulla makthesh të pafundme, ku paragjykimet i zënë vendin arsyes duke e çkyçur atë përfundimisht.

3.

Dialogu është stadi më i lartë i komunikimit, ose mjeshtria supreme e tij. Duke qenë kështu dialogu nuk thjeshtë vetëm diskutim apo debat i përciptë, por është shumë më tepër se kaq– është gjakimi për kuptimin e ndërsjellë dhe harmoninë e përgjithshme. Në dialog pëjashtoeht natyra e një bisede rutinore apo debati të ashpër e rigjid që rezulton me një palë fituese e një humbëse. Esenca e dialogut qëndron në mundësinë e komunikimit edhe të ideve nga perspektiva tejet të ndryshme, dhe pavarësisht diferencave të thella njerëzit nuk frikësohen t’i shprehin ato, përkundrazi ndjehen të sigurtë dhe të respektuar të shprehin mendimet e tyre. Kur dialogu bëhet si duhet arrihen rezultet të jashtëzakonshme e stabilitet në planin afatgjatë, krijohen vlera të reja dhe stimulohet kreativiteti.

 Për këtë arsye, nuk mund të ketë asnjëherë dialog të mirëfilltë në rastet: Kur fjalët që thuhen nuk dëgjohen me kujdes dhe  refuzohen ende pa u kuptuar; Kur dëgjuesi në vend se të degjojë fokusohet në përgjigjen që do t’i këthej folësit; Kur mendimi i njërit apriori hudhet poshtë, e i tjetrit apriori pranohet; Kur më shumë çmohet një lajkë e shpifur dhe e pavlerë se sa një fakt a kundërshtim i sinqertë; Kur në vend të këmbimit të mirëfilltë të opnioneve luhet ping pong me to duke tentuar që me dredhi t’ia hedhësh tjetrit; Kur e vlerëson vetëm mendimin tënd dhe e injoron të tjetrit; Kur flitet pa bazë e analiza, apo siq thotë populli, ‘kur fjala vëhet në gjuhë para se të vëhet në tru’! 
 Në raste të tilla mund të vie lehtë deri te thyerja e dialogut, dhe ai shterret për të humbur në plasaritjet e thella të prapësive e hipokrizive. Në të tilla raste gjithnjë ka një pyetje intriguese:  Çka ndodhë në një mes ku shterron dhe rrëgjohet dialogu, kur folësi zemërohet, e dëgjuesi zhduket? Përgjigje pa dyshim që mund të ketë shumë, por ka vetëm një rezultat – rrëgjimi i komunikimit dhe zhbërja e dialogut. 

Atëherë krijohen barrierat që bëjnë të mos  dëgjohet e lëre më të kuptohet njëri tjetri. Nga thellësitë e errësirës ngrenë kokën kercejtë e egërsisë, plot keqkuptim, konfuzion, mosdurim, agresivitet, e që së fundi e tëra degjeneron në dhunë e armiqësi. 

4.

Mendimtarët kur numërojnë faktorët që e bëjnë një shtet të suksesshëm, nuk e harrojnë asnjëherë të përmendin njërin syresh: Aftësinë për të jetuar së bashku!  Dhe sikurse gjërat tjera në natyrë, edhe njerëzit për të qëndruar së bashku duhet të kenë diçka që i mban afër e nuk i lë të largohen, një ngjitës, një zamkë të fuqishme. Zamka që  e mban një komb apo shoqëri së bashku është të kuptuarit e përbashkët, është besimi në njëri tjetrin ai që i jep jetë komunikimit, është parimi themeltar që i mban bashkë marrdhëniet në mes të njerëzve. Në shoqëritë e pazhvilluara komunikimi i mirëfilltë kërcënohet nga një mori rreziqesh, dhe veçanërisht nga të keqkuptuarit e vetë atij. Shpesh herë për fat të keq kjo vjen nga mungesa e ndjenjës së dashurisë, injoranca, paragjykimet e njëanshmëritë. 

Në procesin e komunikimit ka edhe një pengesë të madhe – shpërfillja dhe shpërdorimi i heshtjes. Sidoqftë, duhet pasur parasysh, dhe nuk duhet harruar se heshtja nuk është diçka amorfe, e zbrazët, e që duhet injoruar. Përkundrazi, ajo është plot përgjigje- për ata që kuptojnë. Ekonomisti i njohur P. Druker, me një rast me plot të drejtë ka thënë: ”Gjëja më e rëndësishme në një komunikim është të dëgjosh atë që nuk është thënë!”.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar