Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 07:31
Menderes Ibra

​Të humbësh kohën

Prishtinë | 01/03/2018 09:08

Shkruar nga: Menderes Ibra

(“E shpërdorova kohën, dhe tash koha do t’më shpërdorojë mua.”) W. Shekspir

1.

Duke qenë mjet i domosdoshëm komunikimi, gjuha ka edhe një kod që po të vëzhgohet e zbërthehet kujdesshëm tregon shumëçka për mentalitetin, karakterin dhe shpirtin e njeriut. Tregon qëndrimin ndaj jetës dhe synimet e tij. Tregon për virtytet, veset apo cenet e njeriut të mbrujtura e ngulitura në gjene nëpër thellësitë e kohës së shekujve. Nganjëherë ato nxjerrin kokën befas e në forma të ndryshme duke zbuluar veti e cilësi përcaktuese jo vetëm përë të tashmen por edhe për të ardhmen. 

Nuk është se ndodhë rrallë që p.sh. njeriu ynë në pyetjen se,  ç’po bën, përgjigjet më shumë se çuditshëm: ‘asgjë, po humbë kohë’, ose ‘po e kaloj pak kohë, po e shtyj kohën’ etj. Sikur të mos mjaftonte vetëm ky autosugjestion dëmsjellës për ‘zotësinë’ për të humbur gjënë më të çmuar, por madje janë krijuar edhe lloje mallkimi për të, si: –‘kohë e ligë, e prishtë’, për të arritur deri te shprehja ndoshta më absurde fajësuese- ‘kohë e pakohë’! 

Një qasje e tillë për të trajtuar kohën sikur ajo të qe një hiçgjë dhe për ta bërë fajtor kujdestar për çdo gjë, e bën këtë diskurs jo vetëm të padrejtë por edhe të dëmshëm, e veçmas kur bartësit e saj kanë përgjegjësi më të gjerë se sa individuale. Sepse, fundja pesha e fjalëve është e veçantë, dhe ato gjithmonë kanë fuqi të madhe në krijimin e mendimit, e mendimet në marrjen e vendimeve. Prandaj duhet pasur kujdes me gjuhën, sepse secila sjellje e keqe dhe secila dhunë së pari fillon me gjuhën e dhunshme.
 Raporti i njeriut me kohën në gjithë trajtimet e mendimtarëve dhe filozofëve të njerëzimit gjatë historisë duke përfshirë edhe këtu bile pikëpamjet religjioze është krejtësisht tjetër fare, dhe thënë më së shkurti konsiston në pohimin se vetë njeriu është përgjegjës se si e përdorë kohën dhe jo anasjelltas. 

2.

Si e përdorim kohën? Sa e çmojmë atë? Sa shpesh ankohemi, se nuk kemi kohë për këtë apo për atë gjë. Se ajo kalon shumë shpejt, dhe sikur na humbë ndër duar duke na pamundësuar kryerjen e  punëve. Sa shpesh  ndjehemi përgjegjës dhe fajësojmë veten e jo kohën, duke u ngushëlluar se po gjejmë një fajtor? Mirëpo, ngushëllimi i gjendur në fajësimin e kohës është jetëshkurtër, pasi që e vërteta gjithnjë del në shesh.

Ata që ankohen më së shumti për kohën e paktë, e përdorin atë në mënyrën më të keqe, sepse një nga shpërdorimet më të mëdha të kohës është zvarritja. Cilado qofshin arsyet e saj dhe faktorët që e shkaktojnë, ajo është fatkeqësi  e madhe për jetën e njeriut. E si të mos jetë e tillë, kur puna që duhet kryer sot zvarritet për nesër, pasnesër apo pakufi. Sa herë që bëhet një zvarritje premtohet dhe shikohet në të ardhmen duke dëmtuar pamëshirshëm të tashmen. Zvarritja e një punë pamundëson edhe kryerjen e një tjetre, zhvendosjen e vëmendjes dhe  humbjen e energjisë kot. Shembulli i demarkacionit te ne e dëshmon këtë. Mirëpo, mos aftësia për të zgjidhur punën e caktuar në kohën e caktuar gjithnjë ka një çmim të lartë. 

3.

Ashtu sikurse që ka shembuj të shumtë të humbjes së kohës, ka edhe shembuj të kundërt kur koha përdoret me efektivitet të lartë. Historia është e mbushur me shembuj të tillë kur regresi apo progresi i arritur është dëshmi e shpërdorimit apo e përdorimit si duhet të kohës.  Do të përmend këtu dy shembuj nga Izraeli. 

I pari - puna e Simon Vizentalit gjahtarit të nazistëve për  krimet ndaj hebrenjve. Qendra e udhëhequr nga Vizental arriti të dënojë rreth 1100 nazistë, (nga rreth 90000 të tillë të identifikuar, për të cilët kishte grumbulluar shënimet për krime). Menjëherë pas themelimit të shtetit Izraeli filloi të ndiqte nazistët kudo që ndodheshin. Ata nuk u stepën, të thonë se nuk e kemi shtetin e fuqishëm ende, prandaj le të presim sa të forcohemi dhe veprojmë më vonë.  Punuan me vendosmëri duke i identifikuar, evidentuar dhe arrestuar përgjegjësit për krime. I arrestuan madje edhe në shtetet tjera, i dërguan në Izrael dhe i dënuan. Izraeli ishte shtet i ri, ballafaqohej me shumë vështirësi e rreziqe, por ata e dinin se nëse do të prisnin kohë më të mira për të kryer këtë punë, nëse do ta zvarrisnin këtë, rasti do të ikte. Gjurmët do të fshiheshin,  krimet do të harroheshin e zbeheshin, dëshmitarët do të pakësoheshin etj. Pra nuk kishin lejuar që të humbej kohë. Kishin vepruar dhe kishin arritur synimin.

I dyti- Pas tërë peripecive në formim të shtetit, izraelitët e dinin se duhej të punonin shumë që të krijonin shtet të fuqishëm duke dëshmuar se e meritonin atë. Studjues të shumtë duke analizuar rrethanat e themelimit të Izraelit, ato të njohura e të panjohura por edhe prapaskenat diplomatike sidomos të shteteve të fuqishme, përmendin kalkulimet nga më pabesueshmet të kancelarive të ndryshme gjatë këtij procesi. Nuk ishin të paktë ata që për arsye të ndryshme nuk ishin pajtuar me aktin e themelimit të Izraelit qoftë për shkak të ruajtjes së balancave apo mbrojtjes së interesave të tyre. Në anën tjetër  holokausti dhe viktimizimi i madh i hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore ishin fakte të pamohueshme që preknin ndërgjegjen edhe të atyre që nuk ishin në favor të krijimit të shtetit.  Duke ditur ambientin e vështirë dhe rrethanat e pafavorshme, thjeshtë ata kishin pritur që Izraeli do të dështonte. Edhe shumë veprime të mëvonshme të shteteve të ndryshme dëshmonin se ato i kishin vënë në sprovë pothuajse haptazi duke vëzhguar sjelljet  dhe punën e tyre. Mbase kjo mund të duket edhe jo e drejtë dhe jo morale, por në historinë e civilizimeve botërore lufta për interesa vetjake shumë shpesh ka qenë premisë politike e veprimit që dominon ndaj ndjenjave dhe emocioneve. 

Izraelitët, me punë e përkushtim serioz kapërcyen çdo vështirësi duke tejkaluar edhe vetveten, duke ndërtuar shtet funksional e të fuqishëm për vete, e në këtë mënyrë ’kalimthi’ edhe duke rrënuar kalkulimet e hastrexhinjëve të dështimit. Në pak vite kishin ndërtuar një shtet të fortë mjaftueshëm, të sigurt, dhe të zhvilluar ekonomikisht. Kishin fituar katër luftëra, kishin zhvilluar ekonominë (BPV aktual për kokë banori në Izrael rreth 37000 $). Është shumë mbresëlënës ritmi i rritjes ekonomike shumë të shpejtë, që mund të shihet edhe nga  nga vlera e BPV, kur  brenda 54 vitesh ai plot rritet 123 herë, ( prej 2.6 miliardë $ në vitin 1962, për të arritur në 320 miliardë $ në vitin 2016). Ka shumë shembuj se si ky popull e shfrytëzon kohën dhe e respekton vetveten, raste që përmenden gjithandej në botë. Kështu p.sh. edhe sot e kësaj dite përmendet rasti i vitit 1991 gjatë luftës së vendeve të Gjirit, kur Iraku e bombardonte me raketa scud Tel Avivin, dhe kur orkestra filharmonike e Izraelit po mbante koncertin e planifikuar me maskat kundër gazit në kokë! Koha, aty nuk humbej as në situatat e jashtëzakonshme.

4.

Jeta e njeriut nuk është e pafund, dhe magjia e saj ndër të tjerash qëndron në faktin se ajo  përshkohet në mënyrë të njëjtë si kur jemi zgjuar si kur jemi fjetur, si kur punojmë si kur vegjetojmë, si kur e përdorim si kur e shpërdorim atë. Ajo ka orën e limitin e vet, trajektoren, dhe ligjet e veta. 

Koha dhe universi kanë ligjësitë e tyre dhe detyrë e njeriut është të jetojë në harmoni me to, sepse të shpërdorosh  kohën, është njëjtë sikurse të presh degën ku je ulur, pasi që në të tilla raste do të p;përfundosh vetë i shpërdoruari. Bjerrakohësit, sehirxhinjtë kohë humbës mendojnë se koha nuk mund të kalojë pa lejen e tyre, dhe gabojnë rëndë. 

Disa njerëz presin që koha të vijë, kurse të tjerët luftojnë që ta fitojnë atë. Papa Gjon Pali II në një rast me të drejtë ka thënë: “E ardhmja nuk fillon nesër, por sot”!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar