Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 25.05.2020 08:01
Rexhep Kasumaj

​"Populli i sëmurë"... (Prehja që do vjen?!)

Prishtinë | 11/12/2019 00:02

Shkruar nga: Rexhep Kasumaj

1. Ditë e bukur nëntori e vitit 1968. Vjeshta shpaloste bujarisht bukurinë e verdhë. Ar mbi gjithçka. Dhe mbi epokën e ringjalljes.

Për fatin e saj dhe fatkeqësinë e kancelarit, rojat e Berlinit, nuk e njihnin. Po, po. Ishte ajo e askush tjetër. Dama e flokëkrehur kujdesshëm, kishte thërritur edhe më parë nga tribuna e vizitorëve në një seancë Bundestagu në Bon. Me patos. Kurajo civile. E frymë të re që shenjëzonte brezin pasnacist.

Ishte kjo (sipas Jan Demas) 29 vjeçarja Beate Klarsfeld. Kongresi i CDU-së mbyllte punimet. Kancelari federal Kiesinnger kuvendonte lirshëm me të ftuar e admirues. Figurë markante. I qeshur. Plot entusiazëm. Pa përtesë e krejt mirësjellshëm, shpërndante autogramet e shumta.

Në një çast shpërqëndrimi, afrohet anësh një vajzë e vetmuar. Kancelari vonohet. Një përjetësi, gati si në ëndrrat e liga kur nuk mund parandalosh asgjë. Si t'a ndjente praninë, kthehet papritur dhe të dy gjenden përballë. Në vend të përshëndetjes, zonjusha symprehtë i jep atij një shpullë ftyrës, duke brohoritur tri herë: "Nacist"!

Një ditë më pas, ajo mori një vit burgim dhe 50 buqeta lulesh.

2.

Kohë tjetër. Vitet e parë të shekullit të ri. Gebëllsi i Sllobodanit, Vuçiq, për të betonuar vazhdimsinë, fronsohet pushtetshëm në Belgrad.

I përfalet demiurgut shpirtëror. Me idhujtari. Koherencë doktrine. Ishte prijës i madh, thoshte pranë Ujmanit shqiptar. Liqenit, në syprinën e të cilit, hëna kish pasqyruar tmerrin e krimit përbindshor serbian kundër tyre.

Frymëzuar nga skena gjermane, ngrejmë tani në amfiteatrin virtual shfaqjen e pamundshme në Pallatin e Dedinjes në Belgrad. Event salloni. Pjesëmarrës e ndjekës rrethojnë trashëgimtarin e burgtarit që ngrysi jetën qelive të Hagës. Ngadalë, pa e vërejtur askush, as syri zhbirues i sigurimsave, përvidhet një vajzë e bukur, simbol i një brezi dhe kulture të re postfashiste. Dhe ndërsa Presidenti pret t'i kërkojë autogramin e ëndërruar, gjithçka përmbyset. Humb shkëlqimin. Zymtohet. Prishet eleganca. Hallakaten rojat.  Ai merr prej saj t'papriturën: një shuplakë ftyrës. Dhe tri herë atë thirrjen e prerë revoltuese: fashist!

Kjo mrekulli, ndërkaq, nuk është shënuar në asnjë kronikë. Sepse, thjeshtë, s'ka ndodhur kurrë. E largët apo e mosqenshme është ende, a, mbase, përgjithmonë.

3.

Një "popull i sëmurë"? Kështu, në fakt, e shihte popullin e tij Friedrich Wilhelm Foersters në messhekullin e ikur. E trondiste ideja se të jesh gjerman qenkësh shéjtnia më e epërme e Universit të paanë. Ndaj librat e tij do hynin frikshëm në "Listës së zezë". Dhe, si pasojë, do bëheshin pjesë e ritualit të egër: djegies së tyre. Ndërkohë që Europa kish rënë në heshtje, orgjia s'ndalonte dot. E poshtëruar nga Lufta e parë, Gjermania kërkonte shpagim: rend bote, madje religjion të ri që mohonte vetë Selinë e shenjtë. Führeri kishte përkryer teorinë  e mbiracës. Mirëpo, për çudi, ishte një sëmundje që nuk ligështonte. Lloji i saj i rrallë, do t'a bënte atë më fuqimadhen e kohës.

Veçse ky popull, kur murtaja do shporrej, gjeti formulën e përtëritjes. Do mposhtte lëngatën mortore me një Komision të veçantë denacistifikimi e karatsis kolektiv, për t'u bërë amzë përlindëse e Shtëpisë së hirshme Europë.

4.

Ndryshe prej tij, serbi, ky hipokondriak kolektiv, e do sëmundjen e vet që transmetohet nga koha në kohë. Trajtën vendore të delirit hegjemonial. Përherë. Qysh në motet e dyndjes këndej, në Gadishullin ilirik. Ajo i dhuron kuptim ekzistencës së tij. E bën të lumtur. Ndjehet vetja nën krusmën e saj, të rrallëngjashme në botë. Dhe kjo është, me gjasë, arsyeja që nuk lypë kurë asnjëherë e askund.

Si për të provuar këtë, një letrar mediokër serb, P. Sariq, rreth 30 vjet më parë, titullonte romanin e tij "Sundimtari vjen nesër". Sikur desh të thoshte figurshëm e krejt fluturak "I Kryesëmuri vjen nesër". Dhe vinte, vërtetë, si njëri prej saturnalesh tyre të përgjakura...

Ndonëse e pakuptimtë për qytetninë libertare, ajo ngjan të ketë një shpjegim. "Sëmundja" e dashur do dëshmohej dobiprurëse ndër vite. Meqë e mpakte dhe veniste, i siguronte atij keqardhjen a mëshirën e kancelerive të mëdha. A nuk e cilësonte Serbinë frëngu Zhorzh Klemanso "ngordhësirë të aleatëve"? E tillë, ajo përfitonte prej Madhnisë së saj territore, resurse, hapsirë jetike...

Rasha e vogël ngjitej lartë tek pragu i Vjenës dhe zbriste poshtë tek portë e Selanikut. Meskiniteti i saj, i veçantë, i fshehtë e i pambarimtë, vente përtej fantazisë së korifenjve mes Rinit e Spresë. Në "Listën e zezë", për dallim pre tyre, hynin tashmë jo vetëm librat, ikonat, figurat, simbolet e huaja. Ishte vetë qenja, lashtësia dhe gjeni shqiptar që i zinte udhën për dalje nga burgu gjeopolitik i Jovan Cvijiqit. Adriatiku fanitej si makth netëve të pagjumë...

5.

Së fundmi, kur aleatët e mëdhenj, kësaj here dalzotës të shqiptarëve, riskiconin gjeografinë, "i Sëmuri" copërisht do merrte veten. Jugun shtrëngohej  t'ia kthente të zott, por ajo ende bën vaj. Lëngata e mundon, e shkrin, e moleps fare. Dhe s'do e nuk arrin t'a kurojë kurrësesi. Janë njëshbërë në kalvarin e zgjebosur që drynohet me veprën dhe kujtesën gjenocidale.

Po shpresa nuk është shuar. Një ditë do i këputen dhe ato mbetjet e huaja gjymtyrore që nuk funksionojnë në trupin e tij. E vetëm atëherë, duke u kthyer në natyrshmërinë e atij rripi të mjaftë toke caktuar nga Qielli, serbi do gjejë, mbase, prehjen e vonë.../

Berlin, vjeshtë 2019/

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar