Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Hënë, 19.04.2021 02:30
Shefqet Dibrani

​Demokracia diktatoriale 1

Prishtinë | 24/05/2018 08:22

Shkruar nga: Shefqet Dibrani

Libri “DEMOKRACIA DIKTATORIALE 1”, është pjesë e kolonës “MANDATI I KONTESTUAR”, në të cilin janë përfshirë kryesisht, komente, analiza, pikëpamje dhe disa reagime, të shkruara në mes viteve 2010-2016, që plotësojnë më mirë kuptimin e strategjisë analitike.

Po ashtu kemi bërë përpjekje për të ndërtuar një koncept të nocioneve dhe përkufizimeve politike, që si duket Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe Isa Mustafës nuk iu paskan pëlqyer. Pa dyshim, libri si tërësi merret kryesisht me kursin negativ të Isa Mustafës, i cili në vend të reformës dhe dialogut, do të përcaktohet për udhëheqje teknokrate e cila ka përfunduar me hakmarrje politike.

Shqetësimi i autorit lidhet me devijimet e kursit politik, që ka sjell këtë subjekt në një krizë identiteti. Kahet dhe premisat e këtyre zhvillimeve kanë shkuar në drejtim negativ duke degjeneruar konceptin e dikurshëm filozofik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nënkuptonte vlerën intelektuale, tolerancën, shprehjen elokuente dhe mendimin e peshuar intelektual. Në këtë subjekt politik, ka pasur një solucion pozitiv të grupmoshave, një përfshirje e mirë në aspektin konfesional e gjinor, një shtrirje e mirë regjionale dhe asaj të hapësirës gjeografike jashtë Kosovës, duke futur në këtë mes edhe diasporën!

Gjatë atyre viteve ka qenë një përkushtim i rrallë për elitën intelektuale dhe shtresën akademike, e cila historikisht ka bërë shumë për Kosovën, prandaj mund të themi se vitet e ’90-ta, kanë shënuar një lloj renesance kulturore e politike në këtë plan. Por si specifikë e atyre viteve mbetet raporti i ndërsjellë në mes Qen-drës në Kosovë dhe Degëve të LDK-së në Diasporë, jo vetëm në planin vlerësues, por ka funksionuar në mënyrë solide hierarkia e brendshme. Tashmë këto vlera janë lënduar dukshëm, madje me rrezik për t’u thelluar kjo përçarje dhe ky përja-shtim edhe më tej.

Së këndejmi demokracia e brendshme, si koncept filozofik i Lidhjes Demo-kratike të Kosovës, tashmë është në krizën ma të madhe që prej themelimit të saj. E këto devijime kaq negative janë shënuar me ardhjen në krye të LDK-së, të Isa Mustafës. Andaj shkrimet e këtij vëllimi, pasqyrojnë jo vetëm pikëpamjet e auto-rit, por përpjekjen e vazhdueshme të Diasporës, për të ndikuar në këto procese. Se sa ka mundur të ndikojë diaspora, kjo çështje është varur nga vullneti i Kryesisë Qendrore në Prishtinë, e cila vazhdimisht është sjellë në mënyrë shpër-fillëse me veprimtarët e saj.

Tashmë libri ka një tendencë për të sajuar një përkufizim më të vyeshëm për demokracinë e brendshme partiake, me këndvështrim ato brenda LDK-së. Natyrisht kjo është bërë duke i kritikuar shumë aspekte që e kanë degjeneruar platformën e dikurshme politike të LDK-së, e me këtë është lënduar përpjekja për të bërë një sistem funksional demokratik, i bazuar mbi vlera europiane, të cilat drejtpërdrejt kanë ndikuar në fizionominë dhe përpjekjen për shtetndërtim. Prandaj po çalon e tashmja e cila është shumë larg aspiratës së elitës së dikurshme intelektuale e cila bashkë me dr. Ibrahim Rugovën dhe profesor Fehmi Aganin, u angazhuan për të triumfuar demokracia edhe në vendin tonë, e më këtë për ta shkëputur përfundimisht Kosovën nga e majta ideologjike.

Le të mbesin këto qasje si një diskurs i kohës, si një klithmë kundër rikthimit të së majtës ideologjike dhe si një përpjekje sfiduese për të ndikuar në reformimin e brendshëm partiak, dhe krejt natyrshëm edhe për të dëshmuar për vendimin aspak demokratik që ka marrë Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë, bashkë me kryetarin Isa Mustafa, për të mos e njohur procesin zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër, që duket se ka prapavijë politike për ta shkatërruar LDK-në.

Gjithsesi shkrimet janë realitet i kohës, ndërsa lexuesi le të gjykojë i pavarur, qoftë për qasjen analitike të autorit, qoftë për tendencën e qëllimshme politike të Isa Mustafës, i cili si askush tjetër po bën përpjekje që përmes LDK-së t’i rehabilitojë strukturat e sistemit komunist dhe ta rikthejë të sforcuar të majtën ideologjike në këto hapësira. Gjithsesi këto përpjekje si nocione, si koncepte dhe si qasje analitike nxjerrin në pah konfliktin e koncepteve të kundërta, që me sugjerimin e redaktorit prof. Demë Jashari janë pagëzuar si “Diktaturë demo-kratike”, përkatësisht si “Demokraci Diktatoriale”!

*Libri së shpejti do të gjendet në rrjetin e shitjes në Prishtinë!

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar