Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 11.07.2020 02:33
Zejnullah Jakupi

​"Bota e Re", por e harruar!

Prishtinë | 03/04/2018 07:34

Shkruar nga: Zejnullah Jakupi

Si dikur edhe sot, gazeta studentore "Bota e Re" mbeti e pa hulumtuar. Një traditë e mohuar dhe e pa studjuar akoma, po fle në analet e historisë së re dhe pret një dorë të uruar që ta rizbulojë, si një fenikës, për t´a shpëtuar nga harresa.

Në 50 vjetorin e Botës së Re Faruk Tasholli nuk ka patur çfarë të bëjë, përpos ta postojë një numër të saj të ballinës. Komentet kanë vërshuar murin e tij në FB, kolegë, gazetarë, ish- redaktorë, bashkëpunëtorë të gazetës së famshme studentore. Faton Toci thotë; Bota e re ishte promotor i vrullit rinor dhe shkollë e gazetarisë e guximit intelektual të kohës, shuarja e saj ishte varfëri.

Kjo revistë, bashkë me simotrat tjera në Kosovë dhe rajon, ishte prijësja e ndryshimeve të mëdha shoqëroro-politike. Bota e Re, si Rilindja dhe RTP, ishin mediumet e shtetërore, shoqërore për mes të cilava thuhej e shkruhej fjala, informohej shoqëria për ngjarje të kohës, ato ju prinin ndryshimeve, dhe transformimeve të sistemit shoqëroro-politik dhe ekonomik. Autonomia e Kosovës u suprimua bashkë me gjithë aparatin e saj politik dhe kulturor nga rezhimi i Millosheviqit. U mbyllën gazetat, u mbyllë edhe Radio-Televizioni (RTP). Edhe pse tradita socialrealiste, ishte një përzirje mes ngjyrimeve nacionaliste dhe deri diku ideologjike, roli i saj në formimin e gjeneratës së saj kohe ishte i pa diskutueshëm, e cila do bëjë ndryshime rrënjësore në shoqëri.

Njëri nga bashkëpunëtorët e Botës së Re Gazmend Ademi e përshkruan atë gjeneratë dhe atë kohë si, kohërat me të vështira të rinisë studentore kosovare. „Ishte koha pas 1981.Redaktoret Faruk Tasholli dhe Liri Loshi kanë pas një përgjegjësi të madhe të asaj kohe...Koha ishte e brishtë.Mund të shkoje si "qeni në rush" për një fjali e lëre më artikuj.Këta dy persona e kanë mbajt timonin në kursin e duhur.Gjithnjë në favor të ardhmërisë dhe progresit. Atij i kujtohen disa prej emrave që fatkeqësisht nuk kanë vazhduar rrugën në gazetari por disa si Baton Haxhiu janë bërë emra të famshëm në gazetari. "Emrat e asaj kohe që më kujtohen dhe që kanë dal nga kjo gazetë,si Halil Matoshi,Blerim Shala,Fakete Rexha,Nazmi Jakurti,Bajrush Morina,Dibran Osmani,Naime Beqiraj,Haqif Mulliqi,Naim Balidemaj e shumë të tjerë janë personalitete të shoqërisë kosovare. Shumë gazetarë dhe analistë të sotëm i kisha kthyer në shkollën e botës së re“.

Vetëdija nacionale dhe forcimi i saj tek populli i Kosovës pas luftës së Dytë Botërore u bë pikërisht me ndihmën e artefakteve kulturore, me mediet, si Bota e Re, Jeta e Re, Rilindja, RTP etj.

Këto media u lanë në harrës edhe nga shoqëria e asaj kohe dhe më pas. Sepse shoqëria kishte halle tjera, ajo luftonte për ekzistencë. Çdo traditë e mediumeve që kishte ekzistuar deri atëherë anatemoheshin dhe liheshin në harresë sepse ndryshimet shoqëroro-politike e favorizuan një shuarje të tillë bashkë me personazhet e tyre. Ky trend vazhdoi, gjatë dhe pas luftës nga viti 1998/99. Gazetat, revistat, Radiotelevizionet, disa u shuan, disa u transformuan dhe kështu përfundoi ajo kohë bashkë me kulturën dhe traditën e tyre. Nuk kishte as interesim nga gjeneratat e reja të hulumtojnë në në mënyrë shkencore këtë traditë, sepse shumica e studiueseve ju mungonte përgatitja profesionale se si t´i qaseshin temave të tilla.

Në këtë gjendje ngeli edhe RTP. Nuk u kujdesë kush të ruhet dhe kultivohet tradita e raportimit, kultura e saj publicistike. Edhe pse RTK dhe udhëheqësit e saj në krye me të ndjerin Agim Zatriqin filluan dhe bënë digjitalizimin e materialeve arkivore, nuk kishte dhe nuk pati deri më tani iniciativa për studimet e zhanreve televizive. Ngjashëm ndodhi edhe me gazetat dhe revista, ndër ta edhe me gazetën “Bota e Re”.

Një interesim të dobët shprehu edhe elita e shkencëtarëve, ata që fituan tituj në fushën e medieve dhe ngritën katedrën e gazetarisë në UP. Hulumtimet e studentëve u preukupuan fare ose shumë pak për ta bërë objekt trajtimi dhe hulumtimi Botën e Re dhe mediet tjera nga koha e socializmit. Kjo neglizhencë erdhi për faktin se gjenerata e re nuk kishte qasje dhe ishte e vështirë për studentët hulumtimi i temave të tilla. Sot në katedrën e gazetarisë në UP, bëhen tema më shumë për mediat aktuale të pas luftës, të krijuara si mediume të reja, ne sistemin e ri shoqëroro-politik, ndërsa ato të vjetrat, të dikurshmet, edhe pse mund të jenë të ruajtura në arkiva, nuk ka ndonjë interesim për to që të bëhen edhe ato objekte studimi.

Këtë mospërfillje e pohon edhe Faruk Tasholli ish- redaktor i gazetës së studetëve Bota e Re. Përmes FB-së ai ka thënë se Bota e Re nuk e ka të shkruar deri më tani, s´paku një monografi, edhe pse ka shumë dokumentacion të ruajtur nga ajo kohë dhe fare nuk janë bërë studime shkencore për mediumin në fjalë. Shumë bashkëpunëtorë të asaj kohe kanë shprehur keqardhjen e tyre pse nuk u nisë kurrë ribotimi i saj dhe u la në harresë gjithë kjo traditë e cila kishte formësuar një gjeneratë të tërë gazetarësh dhe personalitete të kohës të cilën mbajtën gjallë frymën e lirisë dhe të çlirimit. Për 50 vjetorin e Botës së Re, shumë intelektualë shprehim respekte për atë gjeneratë të artë, një avangardë kjo e cila luftoi me mishë e shpirtë për të drejtat e Republikës së ardhshme ! Beteja për liri nacionale, për Kosovën Republikë, për kulturën dhe njeriun e shekullit 21 nuk ishte e lehtë! Bota e Re ishte paralajmërimi i ndryshime të mëdha, të cilat edhe pasuan më vonë. Kjo gazetë studentore, sipas Jusuf Tashollit ishte një vullkan i kohës. “Nga ajo plejade e krijuesve dhe bartësve të gazetës, dolën figura amblematike e kombëtare. Aty ishte edhe presidenti historik Ibrahim Rugova. Faruk Tasholli ishte një shtyllë kolose si shtyllat e Akropolit", shton ai.

Mediumet e asaj kohe ishin organe përmes të cilave në shumtën e rasteve artikulohej e drejta e shprehjes së lirë, por egzistonte edhe cenzura. Mendimi dominant artikulohej mes dy poleve dhe arrinte efektin e vet. Bota e Re nga ajo kohë humbi si pa gjurmë. U harrua. Tani, mbase nuk mund të ribotohet një Botë e Re, dhe as që do të mund t´í ngjajë asaj, Botës së Re të asaj kohe, megjithatë do të duhej studjuar se si ishte Bota e Re dikur, nga këndvështri i ditëve tona.

Çfarë mund të bëhet në ketë drejtim. Është mirë, që tash, të caktohet një grup punë dhe të bëhet projekti i hulumtimit (i studimit kritik dhe profesional të kësaj reviste). Duhet përkrahje dhe konsulltime e bashkëpunime të dy a tre studjuesve, mes tyre edhe ndonjë redaktori si z. Faruk Tasholli, dhe të ndahen punët, secili ta merrë përsipër një pjesë të projektit. Pra, në fillim do të duhej bërë një përshkrim i strukturuar i projektit (përbërja e libërit dhe tezat e hulumtimit e cila do të përshkruhej shkurtimisht, në pika të përgjithshme. Pastaj do të përshkruheshin 1.) Qëllimi i analizës, periudha e hulumtimit empirik, koha e realizimit, metoda, përfundimi dhe rekomandimet. Me ketë expose të këtij projekti të cilin do ta mbikqyrnin një grup prej 3-4 vetash do të duhej t´i drejtohet Ministrisë së Kulturës për financim dhe realizim të këtij studimi. Ndërkohë dikush do të bëjë intervista me punëtoret, redaktorët dhe udhëheqësit e asaj kohe, me pas do të pasonte analiza teorike dhe empirike.

Natyrisht do të nevoitet ndihmë nga ata që punuan dhe e mbajtën gjallë këtë revistë, të cilët do të ishin dëshmitarët direkt prej nga do të shkruhej një historik i revistës në veten e parë. Tematika e këtij historiku do të përfshinte çështje me sa vijon: Kur është themeluar Bota e Re, sa punëtorë ka patur, si është financuar, sa ekzemplarë ka patur, cila ishte struktura udhëheqëse etj? Pra qëllimi i këtij historiku do të ishte baza e fillimit mbi të cilën do të bëhej analiza empirike. Ky historik i Botës se Re do të merrte formën e një monografie të shkurtër. Krahas historikut të mediumit, në një kapitull hyrës do të pasonte historiku lidhur me rrethanat e kohës, historikun lidhur me gjendjen shoqëroro-politike të asaj kohe. Pastaj do të vinte, si pjesë e hulumtimit, intervista me ish-bashkëpunëtorët, redaktorët, për punën e tyre, kualitetin dhe specifika tjera të revistës. Dhe pjesa empirike, ku do të bëhet analiza e përmbajtjes së mediumit. Analiza analitike do të përfshinte: Temat e trajtuara, gjinitë letrare, analizën e titujëve, të rreshtave, të disa faktorëve të lajmit, pastaj tematizimin e gjendjes politike, të pozitës politike të Kosovës dhe përpjekjes së saj për liri dhe pavarësi, trajtimin ndaj elites politike, personalizimin, faktori nacional, konfliktin shoqëror dhe kalimthi qasjen ndaj zhvillimeve globale e politike të asaj kohe.

Dhe përfund, mbase ky ëshë një projekt me rëndësi nacionale, nuk prishë punë që në projekt përfshihen shumë autorë, të cilët do kontribuojnë për projektin në fjalë. Pavarësisht se si bëhet dhe kush do t´i prij projektit, finalizimi i tij do të ishte historik sepse "Bota e Re" ishte një medium kaq i rëndësishëm dhe duke u përmbledhur në një libër, do t´ ju shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme dhe do të hedhë pakëz dritë më shumë mbi historikun e gazetarisë kosovare të fundshekullit 20.

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar