Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
E Mërkurë, 01.04.2020 03:47
Zejnullah Jakupi

​​Diplomacia e qorrsokakut!

Prishtinë | 10/11/2015 14:06

Shkruar nga: Zejnullah Jakupi

Qeveria e Kosovës nuk ka plan për integrimin e Kosovës në BE, ashtu siç u pa edhe me dështimin e saj politik për ta bërë shtetin e ri anëtar të UNESKO-së.

Diplomacia e saj e jashtme e dobët, me personel që lenë shumë për tu dëshiruar, përjashto këtu disa personalitete, duhet sa me shpejt njëherë e përgjithmonë të ndryshohet rrënjësisht. 

Kjo qeveri duhet të mësoj nga dështimet e veta që i ka pësuar deri tani. Hapi i parë; ajo duhet të ndryshoj strategjinë e punësimit në stafin e ministrisë së Punëve të Jashtme, pra, të heq dorë së dërguari militant partiak nëpër ambasada dhe konsullata. Të gjej ndërmjetësues(lobist) me renome ndërkombëtare dhe në çdo hap të konsultohet me SHBA-në, Gjermaninë, Anglinë, Italinë, Francën dhe shtet tjera në këtë fushë. Të përmirësoj qeverisjen, luftimin e imazhit të keq brenda shtetit, mbase një pasqyrë e dobët në politik-bërje reflekton edhe në politikën e jashtme. Kur jemi tek politika ndërkombëtare nuk duhet vazhduar me politikën e deri tanishme ndaj shteteve të Evropës Lindore por edhe atyre arabe. 

Është tërësish strategji e gabuar qasja e deri tanishme duke kultivuar vazhdimisht strategjinë e bllokadës në lobimin drejt shteteve të Evropës Lindore. Kosova do të arrinte përmes lobistëve të saj të depërtonte në këto shtete si në Sllovaki, Bjello Rusi, Ukrainë, Gjeorgji dhe ish republikat e bashkimit Sovjetik. Kur jemi tek këto vende Kosova e ka patur njeriun më të duhur lobistin adekuat Behxhet Pacollin. Shteti i Kosovës ishte dashur ta shfrytëzoj maksimalisht Behxhet Pacollin pavarësisht funksionit të tij politik. Z. Pacolli është i familjarizuar me gjuhën, kulturën dhe gjithë gamën e spektrit kulturor që ka të bëjë me Evropën Lindore. Nuk u shfrytëzua kurrë një mundësi e depërtimit diplomatik nga kjo anë. Në vend të kësaj vazhduan akuzat se gjoja “bashkëpunimi” i tij në interes të Rusisë dhe Serbisë në të kaluarën, gjë që nuk është e vërtetë dhe çdo shtet dhe qeveri, po ta kishte një personalitet të tillë do ta përdorte si ndërmjetësues. Po të ishte kjo qeveri e përgjegjshme do të duhej të hapte një sektorë të posaçëm në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme apo në atë të Integrimeve për të lobuar në këto shtete.

Lobimi i munguar tek shtetet e Evropës Lindore

S´pari, është gabim që shoqëria jonë si gjithnjë deri tani, në çdo hap të kemi qasje negative kundër Rusisë, të mos e ndryshojmë qasjen ndaj këtij shteti dhe populli. Edhe pse nëse në esencë në të kaluarën politika e Rusisë në Ballkan ka qenë hegjemoniste, pse nuk fillojmë me një komunikim ndryshe, sepse bllokimi nuk ka qenë dhe nuk do jetë i mirë si i tillë. Së pari do duhej filluar kontakti me ambasadorin rus në Prishtinë, pastaj themelimin e ndonjë komuniteti ose shoqate ndërkulturore, seminari veror, apo ndonjë ekspedite ose bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Shqiptarët duke menduar se e kanë Rusinë kundërshtarin e përbetuar nuk mësojnë as gjuhën ruse, edhe pse kjo gjuhë është si kusht pas anglishtes dhe gjuhës frënge në diplomaci. Pra nëse konkurron për diplomaci në Gjermani, mund ta japish ketë gjuhë si gjuhë të dytë ose të tretë, pra mund ta përzgjedhës pas anglishtes dhe gjermanishtes gjuhën ruse.

Në Kosovë ka një disponim dhe armiqësi kundër Rusisë deri në absurditet (ashtu edhe ndaj shtetit Kinez, për ketë herëve tjera).

Ka një numër të pa imagjinueshëm paragjykimesh. Pavarësisht se shteti ynë mik SHBA nuk i ka punët mirë me Rusinë në politikë e jashtme, dyja shtetet janë dy fuqitë botërore që i kanë të ndara sferat e ndikimit dhe nuk mund të mbijetojnë pa njëra pa tjetrën, tani po shihet edhe “përafrimi” në luftën kundër Terrorizmit në Siri. Ky Konstellacion forcash ishte dhe mbeti kështu që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe fitoren mbi nazi-fashizmin e bënë bashkë. Politika kombëtare e jashtme kundër Rusisë ekziston edhe në shtetet tjera Perëndimore si në Gjermani dhe shtetet tjera. Ndërsa shumë analistë gjermanë, në këtë mes si është p.sh. SPD(Partia Social Demokrate) partia e dytë në vend, nuk dëshiron që të acarohen marrëdhëniet mes dy shteteve, pra mes Rusisë dhe Gjermanisë dhe është kundër sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, dhe mendon se kjo qasje ndaj Rusisë do të kishte efekt negativ për dyja vendet dhe do të sfidonte paqenë në Evropë dhe më gjerë.

Me pushtetin aktual ose mospajtues me politikën dhe regjimin e saj nuk pajtohen pjesërisht edhe vet rusët pro evropian, ata janë kundërshtar të pushtetit të Putinit sepse ata duan një rusi ndryshe nga ky regjim që është sot, që zhvillon politika ekspansioniste ndaj shteteve të rajonit por edhe më gjerë. Në Rusi, shumë kanë shtete përfaqësitë e tyre, kanë investuar atje, ndërsa këto shtete vazhdojnë të shihen si armiq nga Rusia. Qëllimi i politikës ndërkombëtare duhet të ngrihet mbi inate dhe qëllime ditore, drejt paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Qasja e Kosovës ndaj Rusisë dhe shteteve tjera nga ky rajon

Pse nuk ka iniciativa që shteti i Kosovës përmes zyrës Ruse në Prishtinë të afrohet dhe të shoh pse Rusia nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës? Nëse kjo nuk është e mundur, ose pse populli shqiptar ka një apati në start kundërshtuese jo vetëm ndaj politikës së jashtme ruse, por edhe kundër çdo gjëje ruse pra është kundër kulturës, gjuhës dhe gjithçka që lidhet me Rusinë, përpos ndoshta letërsisë klasike, nëse është e përkthyer në shqip ose anglisht, pse nuk thyhet ky izolim kundërshtues? Edhe më keq. Kosova nuk ka rishikuar as qasjen e marrëdhënieve politike me shtetet tjera të Evropës Lindore si Gjeorgjinë, Bjello Rusinë, Ukrainën kur këto vazhdimisht kanë qenë kundër Rusisë dhe kanë patur dhe kanë konflikte territoriale me këtë shtet. Si është e mundur se ne nuk kemi tentuar të kemi ndonjë bashkëpunim ose kontakte në cilësinë e lobuesëve me këto shtete? Një qasje të gabuar dhe pasive është mbajtur edhe ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, Sllovakisë. Diplomacia e Kosovës ka zhvatur taksat e qytetarëve sa për të hapur këto zyra për të punësuar simpatizantët partiak, për tu gjendur bashkatdhetarëve me dokumente dhe shërbime tjera, të cilat shumica edhe ashtu i kryejnë në vendlindje gjatë pushimeve (një pjesë e tyre, tani ka dhëne nën-shtetësinë kosovare), ndërsa fare nuk i ka kushtuar vëmendje lobimit në ketë drejtim, pos që ja ka lënë ketë punë ta kryejnë si gjithnjë shtetet aleate.

Diplomacia e munguar tek shtetet arabe

Dështimi i radhës ishte dhe mbetet qasja e dobët dhe fare e prekshme edhe me shtetet arabe. Në të kaluarën në media dhe në diskursin e brendshëm goxha si shumë u reklamua në lajme për konsumim të brendshëm se gjoja Ministria e Jashtme e Kosovës kishte fituar simpatinë e shume shteteve të vendeve arabe. Me këtë kjo ministri kishte dërguar edhe shumë përfaqësi diplomatike nëpër botë. Dhe ky dështim i mos votimit nga vendet si; Palestina, Arabia Saudite etj, janë të pajustifikueshme, ose nuk mund të kuptohen edhe për faktin se në Kosove kemi një popullsi mbi mesataren të besimit islam.

Dialogu i pabarabartë me Serbinë

Marrëdhëniet me shtetin fqinjë Serbinë gjithashtu nuk janë korrekte dhe janë të ndërtuara në baza jo reciproke. Qeveria e Kosovës nuk ka koncepte, por miraton vetëm ato që i “servohen” në tavolinë nga Bashkësia Ndërkombëtare ose edhe më pak, nuk ka pra një koncept dhe strategji, si të dal nga ky qorrsokak.

Dhe, gjithsesi nuk mund të pranohet politika e dyfytyrësisë e diplomatëve tanë. Në Bruksel ata shkojnë dhe bisedojnë, besa edhe këndoj këngë serbe, në shtëpi gjithsesi dëgjojnë muzikë në gjuhën serbe e boshnjake dhe kur dalin ne opinion janë tërësisht kontradiktorë dhe shiten si patriot dhe kundërshtues ndaj çdo gjeje serbe. Po këta patriot, nuk kanë ditur ta dallojnë se dëmet e luftës, vrasjet gjatë luftës nga regjimi serb dhe forcat paramilitare nuk duhet harruar, ato kërkojnë përgjigje në bisedime. Nuk mund të bisedosh me shtetin që të ka bërë aq shumë dëme, pa kërkuar prej tij një llogari e dëmshpërblim e kërkim falje, mbase përndryshe, kështu si deri tani, askush nuk të merr seriozisht si një faktor të pjekur dhe të përgjegjshëm politik.

Autori është magjistër i shkencave të komunikimit dhe Studimeve të Evropës Lindore përfunduar në Freie Universität në Berlin

Loading...

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar