Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 22.02.2020 02:54

​Thaçi: Kosova ka përmbushur kriteret për viza, por shtetet e BE-së nuk janë unike

Prishtinë | 17/01/2020 14:22

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën vjetore të prokurorëve, deklaroi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave duke përfshirë edhe luftën kundër krimit e korrupsionit, por vendimmarrja nuk po ndodhë për shkak të mosunitetit të shteteve të BE-së.

Thaçi duke iu drejtuar prokurorëve, tha se nuk duhet të punojnë vetëm për të përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por për të forcuar shtetin e Kosovës dhe ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve.

Ai tha se nëse prokurorët e kryejnë punën me përkushtim, është i bindur se Kosova do të jetë një vend më i fortë dhe më i mirë për të jetuar.

Kreu i shtetit ka folur edhe për krimet e luftës, ku tha se Kosova si asnjë vend tjetër ka kaluar në sistem të drejtësisë në faza të ndryshme për më tepër se 20 vite.

Ai tha se ka pasur lëshime në procesin e ndjekjes së atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë, ku shtoi se përveç lëshimeve në kuptim të mosefikasitetit në punë, ka pasur edhe një selektim në drejtësi, që sipas tij, janë ndjekur më shumë shqiptarët si viktima që kanë qenë.

Thaçi tha se në Kosovë janë mbi 13 mijë civil të vrarë, mbi 20 mijë gra të dhunuara, mbi 1 mijë fëmijë të vrarë dhe mbi 400 masakra, e për të gjitha këto ai theksoi se nuk ka ndodhur drejtësi.

Ai shtoi se është mirënjohës shteteve të Quintit që pas 20 vitesh folën për masakrën e Reçakut publikisht, për çka tha se më mirë vonë sesa kurrë.

Ndërkaq, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, tha se më e fortë se çdo sfidë apo mëdyshje është forca dhe uniteti i sistemit prokurorial, i cili edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe në ditët e para të këtij viti, sipas tij, ka treguar imunitet ndaj kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme.

Ai tha se kanë treguar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të ndalen nga askush, pasi sipas tij ky është interesi i shtetit.

Lumezi potencoi se për trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë kanë nevojë për njerëz profesionist, të guximshëm, me integritet dhe të trajnuar, për çka u shpreh i bindur se njerëz të tillë gjenden brenda sistemit prokurorial.

Kryeprokurori Lumezi tha se institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar edhe në vitin e kaluar kanë treguar se janë të vendosur të kontribuojnë në luftën kundër terrorizmit. Në këtë drejtim ai tha se kanë rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, me ç’rast kanë arritur në mënyrë të suksesshme të kthejnë në Kosovë 110 kosovarë të cilët kanë qëndruar në zonat e konfliktit në Siri, dhe për një numër të tyre kanë filluar edhe procedurat penale.

Sa i përket krimeve të luftës, ai tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës, në vitin e kaluar ka miratuar strategjinë për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës, ndërsa tha se përveç që janë duke bërë identifikimin e ngjarjeve të cilat po trajtohen me prioritet, janë duke bërë përpjekje që të mbledhin dëshmi dhe prova të cilat i identifikojnë kryesit dhe urdhërdhënësit e këtyre veprave penale për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale.

Ai tha se për fat të keq struktura të caktuara me nisma të ndryshme po nxisin urrejtje ndaj Prokurorisë, duke i mohuar rezultatet e punës në të gjitha fushat, me qëllim që ta paraqesin Prokurorinë si të dështuar. Për këtë, ai tha se sot sistemi prokurorial është shumë hapa përpara asaj që ka qenë në të kaluarën.

Kurse, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Bahri Hyseni, tha se ndjehet krenar për të arriturat që kanë pasur gjatë vitit të kaluar, ndërsa tha se ndjehet i vendosur që të vazhdojnë në avancimin e sistemit prokurorial duke aplikuar standarde të larta në rekrutimin, vlerësimin, disiplinimin dhe trajnimin e prokurorëve.

Ai tha se do të vazhdojnë të ngrisin nivelin e llogaridhënies, efikasitetit, cilësisë së punës në zgjidhjen e rasteve dhe transparencës. Hyseni tha se kanë arritur që për herë të parë pas shumë viteve të rekrutojnë numrin e planifikuar të prokurorëve dhe aktualisht në sistem kanë numrin e mjaftueshëm të prokurorëve.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, tha se sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë ka nevojë të përmirësohen.

Kreu i Gjykatës Supreme tha se sfidë mbetet konfiskimi  i pasurisë së kryerësve të veprave penale, ku ai tha se ka pak konfiskim për çka tha se duhet të ketë një përkushtim duke e ditur rëndësinë e konfiskimit në goditjen e krimit.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se gjatë dy viteve që ka drejtuar ministrinë e Drejtësisë është munduar të fuqizojë sistemin prokurorial dhe gjyqësor në vend.

Ai tha se tashmë nuk është pengesë numri i prokurorëve për zbatimin efikas të ligjit. Tahiri duke iu drejtuar prokurorëve tha se i pret një punë e madhe për konfiskimin e pasurisë, por që tha se e kanë bazën për ta konfiskuar çdo pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme.

Zëvendës shef i misionit të ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, tha se janë të përkushtuar të ndihmojnë Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit.

Duke iu drejtuar prokurorëve, ai u tha se duhet t’i bëjnë ballë përpjekjeve nga politikanët apo kriminelët që të ndikohen.

Edhe zëvendës shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Riccardo Serri, tha se prokurorët duhet të jenë të lirë nga ndikimet e jashtme, e sidomos nga politika.

Ai tha Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, por që tha se kur vije puna tek rastet e shenjestruara që lidhen me këtë proces puna duhet të vazhdojë.

Ai tha se BE do të vazhdojë të mbështetë Kosovën për të siguruar një sistem prokurorial të pavarur./KosovaPress/

Loading...
 
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress