Follow Us

*KYQU SHQIP ENGLISH
*staurday, 22.02.2020 02:20

​FFK me zyre të reja, ende nuk dihet sa do të kushtojnë ato (VIDEO)

Prishtinë | 22/01/2020 16:12

Federata e Futbollit të Kosovës shumë shpejt do të bëhet me zyre të reja.

Pas shumë problemeve në këtë institucion, tashmë krerët e kësaj Federate kanë vendosur për projektin e zyrave të reja, shkruan KosovaPress.

Këto zyre do të ndërtohen në vendin ku ata tanimë janë, mirëpo aty pritet të shtohet edhe një kat tjetër për stafin punonjës.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu në një intervistë për KosovaPress tha se stafi i kësaj Federata tash e një kohë të gjatë ka nevojë të madhe për të rritur ambientet e punës.

“Ju e dini që kohëve të fundit ka qenë aktuale pagesat që vijnë nga UEFA, burimet, fondet këto janë kryekëput për Federatën. UEFA dëshiron të ketë një filiale të vetën, një Federatë të vetën e cila ka kushtet moderne, për këtë arsye ky ka qenë një ndër projektet kryesore në mënyrë që mu funksionalizuar puna e administratës, sepse duhet që ata të kenë hapësirë të mjaftueshme, e dyta që palët e interesuara të kenë hyrje të veçanta e jo të pengohet puna. Ju pe shihni edhe vet si sekretar i përgjithshëm pothuajse s’mundesh të qëndrosh i qetë, ose kryetari sepse hynë palë të ndryshme. Tek në është vështirë pak deri të kuptohen që duhet me lënë një termin e tjera, edhe pse ne jemi gjithmonë në shërbim të kërkesave të anëtareve tanë”, tha fillimisht Salihu.

Salihu gjithashtu zbuloi se ky objekt do të ndërtohet në tri faza të ndryshme. Ai shtoi se tanimë e kanë pronësinë e objektit ku gjendet dhe kjo iu ka lehtësuar atyre punën në rregullimin e dokumentacionit për pajisje për leje të ndërtimit.

Salihu: Objekti do të ndërtohet në tri faza

“Do të bëhet në tri etapa. Për fat të mirë e kemi pronësinë e kemi marrë falë vendimit që është bërë të qeverisë Haradinaj por me iniciativën e kryparlamentarit Kadri Veseli...Edhe kemi arritur në fazën që i kemi kryer të gjitha planet, të gjitha të detajuara bile se si do të duket selia e FFK-së. Kemi fat që në katin nëndhes kemi shumë të mirë. Kemi hapësira të mjaftueshme për pajisje sportive për fanella”, shtoi ai.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së bëri të ditur se ndërtimi i këtyre zyreve do të fillojë këtë vit. Ata kishin planifikuar që edhe më herët të nis një gjë e tillë, mirëpo problemet e fundit në këtë institucion kishin pamundësuar një gjë të tillë.

“Ne kemi menduar shumë më herët me fillu, por ju po e shihni se vazhdimisht po kemi probleme të ndryshme. Mendoj që sivjet ka me fillu dhe ky është një projekt madhor, por paralelisht ne do të punojmë edhe në në KEK, në stadiumin e KEK-ut si dhe në Hajvali, ku do të ndërtojmë një stadium, një qendër të re teknike për grup moshat tona, për futbollin e femrave dhe për drejtorinë teknike ku mendojmë për të ardhmen me mbajt ligjërata, seminare, trajnime e licencime”, potencoi Salihu.


Sa i përket çështjes së fondeve, Salihu u shpreh se ende nuk dihet saktësisht se sa do të kushtoj ndërtimi i këtyre zyreve, por sigurisht që ditët e ardhshme FFK do ta bëjë të ditur edhe një gjë të tillë.

“Të them të drejtën nuk e di saktë, por do të ndërtohet faza, faza. UEFA HatTrick Committee quhet, i kemi dërguar sepse është dashur të marrim ekspertë për poshtë. I kemi dërguar masat, parallogaritjet për tri faza. Së pari bodrumin, pastaj katin e lartë, funksionalizmin e katit të poshtëm dhe objektin përreth. Ju po e shihni pengon shpesh personat që po vijnë me i paguar dënimet në Polici, do të bëjmë një hyrje tjetër në mënyrë që mos me pas më  hyrje për personat që nuk kanë punë me neve. Kështu që nuk e di saktë, por sigurisht që ditëve në vijim mund të ju tregoj saktësisht se sa parashihet”, deklaroi Salihu.

Gjithashtu KosovaPress mëson se stafi i Federatës së Futbollit të Kosovës, gjatë ndërtimit të këtij objektit nuk do të zhvendoset në ndonjë objekt tjetër. Ata do të improvizojnë punën e tyre, duke punuar në pjesët të cilat përfundohen më herët.

Federata e Futbollit të Kosovës më herët ka punuar në shtëpinë e sporteve, në kushte më të vështira kështu që pas ndërtimit të këtij objektit pritet të jetë më e lehtë për funksionimin e kësaj Federate, e cila është Federata më e madhe sportive në Kosovë./KosovaPress/

Loading...
 

Shpërndaje


Artikuj të sponzorizuar

Më shumë nga KosovaPress